Fatos Baxhaku: Lordi më “shqiptar” ndër anglezët
Sikur në 1904, një shqiptar dibran dhe një diplomat pasanik anglez të mos takoheshin rastësisht në Selanik, shqiptarët do të kishin pasur një mik të madh më pak. Aubrey Herbert kishte lindur në një familje fisnikësh anglezë në 1880-n. Gjatë së gjithë jetës së tij të shkurtër, thuajse të gjithë e cilësuan si të “jashtëzakonshëm”, “të krisur”, “ekscentrik”… Ndonjë studiues ia mvesh shëndetit të tij të dobët këto cilësi, të cilat të kombinuara me vetitë e udhëtarëve shëtitës anglezë të shekullit XIX krijuan një ndër figurat më interesantë që silleshin vërdallë, mes Stambollit, Londrës dhe Ballkanit. Nga të gjitha cilësimet e thëna për të duket se më afër së vërtetës është ai i John Bucha: “Ndërthurja më e jashtëzakonshme e bujarisë, fisnikërisë me trimërinë më të çmendur, që kam njohur ndonjëherë – një lloj i mbijetuari nga kohët e kryqëzatave…”. Mbase pikërisht kjo etje për bëmat e së shkuarës e lidhën fort fisnikun anglez me shqiptarët që kishin mbetur si të ngrirë në kohë mes shkrepave të tyre të ashpra. Historinë “shqiptare” të Aubrey Herbert na e paraqet një libër që ka dalë në qarkullim para disa kohësh: Miku i madh i shqiptarëve. Aubrey Herbert dhe krijimi i Shqipërisë së sotme. Ditarë dhe letra (1904-19123), përktheu Kastriot Myftiu, përgatitur për botim nga Bejtullah Destani dhe Jason Tomes, me parathënie të Noel Malcolm, Via Egnatia 2012, 431 faqe, çmimi 1800 lekë.
Herbert ishte caktuar si diplomat në Ambasadën Britanike në Stamboll. Gjatë një udhëtimi në Selanik, ai njihet me Qazim Kukelin, një dibran që prej kohësh jetonte në Stamboll. Vendosa ta marr si shërbëtor, por dibrani shumë shpejt do të bëhet më shumë se kaq. “Kam gjetur një shërbyes – shkruan Herbert në ditarin e tij në mars të 1904. – Nuk më kujtohet emri; shumë tërheqës, megjithëse tani vishet si bekçi. Është edhe bujk i mirë dhe kësisoj mund të më hyjë në punë në Pikxton”. Në 1906, Herbert dhe Qazimi përshkojnë të gjithë shkretëtirën arabike që nga Bagdadi deri në Damask. Në vit më vonë, në prill të 1907-s mbërritën në Shkodër. Ishte e para herë që fisniku anglez shkelte në Shqipëri. Prej këndej u nis për një udhëtim të gjatë që kaloi nga Puka në Prizren e në Shkup. Anglezi mrekullohet me atmosferën e veçantë që shikon këtyre anëve. “… Tutje-tëhu Drini i Zi rrëzëllues bashkohet me Drinin e Bardhë – shkruan ai në ditarët e tij – me një pamje që nga largësia shëmbëllen me një liqen poshtë një mali të stërmadh të mbuluar me dëborën e varur si ehuj akulli. Rrafshina e Prizrenit shumë e sheshtë në këtë anë, me tokën e kuqe të shndritur, që të ngjall një ndjenjë paqeje dhe rehatie. Plepa gjithandej. Tanë një ure të mbuluar, duket qyteti i bardhë si dëbora mbi të me minaret dhe varrezat e tij. Një radhë e gjatë plepash dhe pëllumbash, që gugatin pambarim. Mendova për shqiptarët në Jemenin e nxehtë, të cilët kishin folur aq shpesh për freskinë dhe ujin me bollëk të Prizrenit dhe e kuptova thellësinë e kontrastit…”.
Gjatë udhëtimit të tij të parë shqiptar, Herberti pati rastin të takojë prijës lokalë, njerëz të thjeshtë, zyrtarë osmanë dhe të njihet më nga afër me mënyrën shqiptare të jetesës. Në nëntor 1908, është sërish në Stamboll, këtë herë si vëzhgues i të parave zgjedhje të përgjithshme në Perandorinë Osmane. Pak muaj më vonë. Pak kohë më pas, në nëntor të 1909-s, së bashku me Qazimin e pandarë ndërmarrin një udhëtim me tren nga Stambolli në Mitrovicë. Gjatë këtij udhëtimi pati rastin të mësonte se si e kishin pritur shqiptarët, të cilët tani kishin 25 deputetë të tyret në Parlament, shpalljen e Kushtetutës. Përveç ditarit shkruante edhe për gazetën “The Times”. Verën e 1909 e kaloi në Janinë. Ishte hera e parë që njihej me toskët shqiptarë. “Jugu – shkruan ai – të jep të njëjtën përshtypje të suksesit të pakthyeshëm si veriu. Në rast se turqit e rinj nuk përballen me trazira nga jashtë, përpjekjet e tyre do të kenë sukses. Në këto treva, nuk ka shumë fanatizëm dhe ndryshe nga myslimanët e tjerë të Turqisë, toskët kanë aftësi të shumta për tregti dhe e shohin tregtinë si të ardhmen e tyre. Dy reformat e nevojshme më të ngutshme janë riorganizimi ushtarak dhe ndërtimi i rrugëve, nga të cilat rruga kryesore automobilistike e përmirësuar nga Janina në Sarandë me gurët e saj të kilometrazhit (që mbaj mend t’i kem parë për herë të parë në Turqi) është model i shkëlqyer”.
Në nëntor të 1911, Aubrey Herbert zgjidhet anëtar i Parlamentit anglez. Vetëm një muaj më vonë, ai mban një fjalim të rëndësishëm ku bën thirrje që Britania të ndërhyjë në Stamboll për të fashitur gjendjen luftarake në Veri të Shqipërisë. Ishte koha kur ai ende besonte te politika e xhonturqve.
Por Veriu i Shqipërisë, megjithatë, nuk u qetësua. Për ta parë gjendjen në vend, Herbert, në verën e 1912, ndërmerr një udhëtim që nis nga Sarajeva dhe përfundon në Kosovë nëpërmjet Novi Pazarit. Në shkrimet e tij, ai parashikoi një dimër të paqtë. Ishte gabuar. Në tetor, Mali i Zi dhe më pas, Serbia, Greqia dhe Bullgaria i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Kishte nisur Lufta e Parë Ballkanike. Paqja në Europë po rrezikohej seriozisht. Shqiptarët rrokën armët për të mbrojtur trojet e tyre.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë e gjeti lordin në vilën e tij në Portofino, diku afër Venecias. Pas një hezitimi të shkurtër (ai kishte mbetur disi mik i status quo në Ballkan) kur pa se ushtritë ballkanike po depërtonin thellë në troje shqiptare, ai themeloi “Komitetin Shqiptar”, i cili kishte për detyrë që të ndikonte në politikën e jashtme ballkanike, me qëllim ruajtjen e trojeve shqiptare. Po në të njëjtën ditë mblidhej në Londër e famshmja Konferencë e Ambasadorëve, pikërisht ajo që më pas do të fiksonte kufijtë që kemi edhe sot. Në Komitetin Shqiptar bënin pjesë fisnikë, politikanë, ushtarakë, klerikë myslimanë, madje edhe kryerabini i Londrës. Hebrenjtë u druheshin fitores së shteteve të krishtera në Ballkan. Nën Perandorinë Osmane kishin pasur goxha privilegje. Anëtarët shqiptarë të Komitetit ishin vetëm dy: Fan Noli, i cili ishte dërguar nga Vatra e SHBA-së në Londër për lobim në favor të çështjes shqiptare dhe Anton Presha, një gjakovar katolik, pronar i një lokali në Londër dhe shtetas britanik. Dokumenti i parë i mbledhjes iu dërgua 20 gazetave britanike, por asnjë prej tyre nuk e botoi si lajm, atëherë Herbert pagoi vetë faqen e parë të “The Times”. Kështu anglezët nisën të njihen me telashet e thella të shqiptarëve. Po në janar të 1913-s, Herbert priti dhe strehoi delegacionin shqiptar në Londër të përbërë prej Mehmet Konicës, Rashid Dinos dhe Filip Nogës. Këta ishin zëdhënësit e parë të qeverisë së Vlorës. Një memorandum i hartuar nga Komiteti Shqiptar dhe përfaqësuesit e Vlorës, i cili përmbante të dhëna demografike dhe harta etnike, u shpërnda në Londër në më shumë se 850 kopje. Në fund të prillit të 1913-s mbërriti në Londër vetë Ismail Qemali i shoqëruar nga Isa Boletini, mik i vjetër i Herbertit) Gurakuqi dhe të tjerë. “Figura më piktoreske e delegacionit ishte Isa Boletini – shkruan Herbert – Robin Hoodi shqiptar. Ai ishte një burrë i paarsimuar, me një emër të madh, të drejtë për guximin e tij dhe si një njeri punëmbaruar. Bëmat e tij ishin bërë legjendë, kurse rrëfenjat se sa herë u kishte shpëtuar turqve dhe serbëve ishin shndërruar në fabula. Në Londër ndjehej i humbur dhe i përmalluar për vendlindjen, sepse nuk ia thoshte asnjë fjalë të vetme në anglishte. Kalonte orë të tëra në shtëpinë time, duke pirë kafe turke. Kur ndodhesha në Dhomën e Komuneve vazhdimisht merrja telefonata të shqetësuara nga gruaja dhe kur kthehesha, shpesh i gjeja atë dhe Isën pa shkëmbyer asnjë fjalë, por duke iu përkulur njëri-tjetrit herë pas here”. Lufta Ballkanike u mbyll me disfatën e Perandorisë Osmane. Më 30 maj u nënshkrua Traktati i Londrës, sipas të cilit Turqia dhe Lidhja Ballkanike binin dakord që gjashtë Fuqitë e Mëdha të merrnin përsipër fatin e mëtejshëm të shtetit të brishtë shqiptar. Sa ishte ende në Londër, Ismail Qemali i propozoi Herbertit fronin e Shqipërisë. Pas një bisede me ministrin e Jashtëm Grey, Herbert refuzoi. “Nuk di çfarë të bëj – shkruan ai – do të ishte punë shumë interesante, por gjithë gjemba dhe e vështirë, sa nuk mund të besohet. Këtë popull e njoh bukur mirë dhe më pëlqen, por kjo nuk do të thotë që njeriu të bëhet i fiksuar. Sigurisht, Kryeministri dhe gjithë të tjerët pas tij, kanë kohë që nuk po më lënë rahat për këtë, por nuk e di, nëse a do të kem vërtet mbështetjen e tyre nëse lypset. Shqiptarët nuk duan asnjërin prej kandidatëve të tanishëm. Kuptohet, për mua, problem janë paratë. Shqiptarët nuk kanë paguar kurrë taksa, madje edhe sikur të paguajnë të gjorët e varfër, nuk mund të paguajnë shumë. Mendoj se nuk ka gjasa që t’u dërgojnë ndonjë princ të mirë. Çdo princ do të ishte gomar ta pranonte këtë detyrë, po t’i dinte vështirësitë, por më gomar po të mos i dinte”.
Në gusht të 1913-s, Herbert mbërriti në Shkodër. Ishte alarmuar nga gjendja që po kalonte qyteti pas rrethimit të gjatë nga malazezët dhe serbët. Gjatë kësaj kohe u shkri edhe një herë në atmosferën e veçantë të kryeqendrës së Veriut, duke udhëtuar deri lart në Hot. Këtu njihet me Edit Durhamin, që do të bëhet më pas një nga bashkëpunëtoret e tij më të afërta për çështjet shqiptare. “Darkova me znj. Durham – shkruan në ditarin e tij – sikur të mos i kishin dalë përpara këto punët e tjera, do të kishte qenë militante e së drejtës së votimit të grave; grua e zgjuar, e drejtpërdrejtë, shumë agresive”.
Në shtator të 1913-s, Herberti mbërrin për herë të parë në Vlorë. Këtu dëgjon të gjitha shifrat e masakrave që andartët grekë po kryenin në Jug dhe ia raporton ato shtypit anglez. Qëndron gjatë me Ismail Qemalin dhe e gjen thuajse të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen përballë intrigave të Esat Toptanit. Pastaj vazhdon një udhëtim të gjatë nga Berati, në Elbasan, Durrës, Tiranë e Shkodër, ku takon figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare të kohës. Nga Shkodra i dërgon një letër urgjente Eduart Grejit, ministrit të Jashtëm, ku i kërkon ndërhyrjen urgjente të Britanisë për të shpëtuar refugjatët e luftës që lëngonin në të gjithë Shqipërinë që nga Veriu e deri në Jug.
Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore punon në shërbimin e zbulimit të ushtrisë në Kajro. Edhe këtu takon sërish shqiptarë. Në janar të 1915 shkruan: “Një shqiptar kishte hequr të zitë e ullirit. Ai ishte nënshtetas malazez, por e kishin dëbuar që andej, nga Podgorica, sepse ishte mysliman. Në Kostandinopojë e kishin arrestuar dhe e kishin internuar, sepse ishte shtetas malazez, në Egjipt e kishin burgosur sepse vinte nga Turqia, ndërsa në burg e kishin rrahur turqit sepse ishte antiturk. Kur u ndodha para tij, nuk u përmbajt dot, më puthi dorën gjithë ngashërim, duke thënë se ishte lindur për të qenë gjithnjë i huaj, në dhe të huaj, i varfër dhe i përçmuar nga të gjithë njerëzit”.
Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, Herbert vazhdoi të ishte shumë i interesuar për problemet e shqiptarëve. Janë me dhjetëra shkrimet dhe studimet e tij në këtë fushë. Ai ishte një ndër personazhet kryesorë që shmangu zbatimin e Traktatit të Londrës së 1915, sipas të cilit Shqipëria ndahej mes shteteve fqinje dhe Italisë. Ishte në krah të pjesës më patriotike shqiptare deri në përfundim të Konferencës së Paqes ku Shqipërisë, pas shumë mundimesh iu premtuan kufijtë e 1913-s. Ishte një fitore e cunguar deri në palcë, por ishte shmangur asgjësimi i krejt Shqipërisë. Në mars të 1918-s, “Komiteti Shqiptar” u zëvendësua me “Shoqërinë Anglo-Shqiptare”. Sërish në krye ishte lordi mik i shqiptarëve. Krahu i tij i djathtë këtë herë ishte vetë Edit Durhami. Në verën e 1918-s, pas një lëngate të rëndë kthehet sërish në Shqipëri. Këtë herë me detyra të posaçme zbulimi. Qëndron afro dy muaj dhe përshkon territorin mes Vlorës dhe Selanikut. Beteja e tij e fundit shqiptare ishte ndihma për t’u anëtarësuar në Lidhjen e Kombeve. Ishte krahu i djathtë i shqiptarëve derisa Shqipëria, më në fund, u pranua si anëtare me të drejta të plota. Vitet e fundit të jetës i kaloi në një udhëtim të gjatë nëpër Europë, derisa vdiq papritur nga helmimi i gjakut në vitin 1923. Ishte vetëm 43 vjeç. Asokohe në Angli ishte shumë i përhapur “mallkimi i mumjes”. Pak kohë më parë, një gjysmëvëlla i Herbertit, arkeolog i famshëm, vdiq vetëm pak pasi kishte zbuluar varrin e faraonit Tutankamon. Edhe vetë Aubrey ishte bestyt i madh. Vejusha dhe djali i tij mbajtën gjallë deri vonë një fondacion që mbante emrin e të parëve të tij “Carnarvon”. Ky fondacion financoi tharjen e disa kënetave, ndihmoi për kurimin e malaries, themeloi një bibliotekë në Tiranë. Derisa para fundit të Luftës së Dytë Botërore, emri i tij ishte shumë i respektuar. Herbert madje quhej dhe një fshat pranë Kavajës, i populluar nga të ardhur kosovarë. Pastaj e mbuloi heshtja për shumë dekada. Lordi anglez nuk kishte se si të shkonte mirë, qoftë edhe pas vdekjes me komunizmin. Kështu vazhdoi derisa në vitin 1992 kur kujtimi i tij u dekorua nga Presidenti i atëhershëm Moisiu. Me librin që sapo ka dalë në qarkullim, Herberti mbase do ta gjejë edhe një herë admirimin e vjetër.
Të gjitha citimet janë marrë nga miku i madh i shqiptarëve, Aubrey Herbert dhe krijimi i Shqipërisë së sotme, ditarë dhe letra (1904-1923), përgatitur për botim nga Bejtullah Destani dhe Jason Tomes, me parathënie të Noel Malcolm, Via Egnatia).