Gjenerali që zbuloi sekretet e Enver Hoxhës
Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga “Ideart”, sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më pare
“Zëri i popullit” njofton dënimin me vdekje të Liri Gegës. Cilat ishin masat që merr Partia kundër spiunomanisë? Arratisja e gjeneralit Panajot Plaku para se ta bënte viktimë Enver Hoxha. Pse Brezhenjevi dhe Hrushovi nuk e pranuan strehimin e gjeneralit shqiptar? A ishte vërtetë Plaku, njeriu që i “nxori” bojën PPSH në artikujt anonim botuar në gazetën “Borba” të Jugosllavisë? Pse Hrushovi e vizitoi Shqipërinë, cilat ishin këshillat e tij?
Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga “Ideart”, sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.
“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqindvjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot. Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.
Nga Nina Smirnova
Doli përsëri në skenë teza e rrethimit kapitalisto-revizionist të Shqipërisë me të gjitha pasojat që vinin prej tij. Më 23 nëntor të vitit 1956, “Zëri i Popullit” njoftoi për gjyqin që po zhvillohej kundër Liri Gegës, burrit të saj, Dali Ndreut dhe kolonelit Petro Bullati, të cilët u dënuan me vdekje “për spiunazh në favor të një shteti të huaj”.
Brenda vendit, propaganda e partisë nuk e fshehu se ata qenë pushkatuar, pasi kishin punuar për jugosllavët. Karakteri demonstrativ i këtij akti ishte tepër i qartë. Dy të parët, heronj fatkeqë të Luftës Nacionalçlirimtare, jetonin prej kohësh diku në rrethina, nën mbikëqyrjen e policisë dhe nuk kishin asnjë lidhje me sekretet shtetërore. Ndërsa Bullati, sipas të thënave, e “pësoi për shkak të fushatës”: ai ishte me origjinë jugosllave (emri i tij i vërtetë qe Peter Bulatoviç) dhe duke shfrytëzuar zbutjen e krahasueshme të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, kishte kërkuar të kthehej në atdhe.
Kishte filluar një periudhë e re e spiunomanisë dhe e luftës kundër “revizionizmit”. Shkak për këtë u bë një ngjarje e jashtëzakonshme: më 16 maj të vitit 1957, u arratis në Jugosllavi një nga heronjtë më popullorë të Luftës Nacionalçlirimtare, anëtar i KQ të PPSH-së dhe deputet në kuvendin Popullor, gjenerali Panajot Plaku, pasi kishte mësuar se do të ishte viktima e radhës. Nuk dihet sa të bazuara qenë dyshimet e Plakut, por që ai nuk mund të pajtohej me gjendjen e krijuar në PPSH, e dëshmonte letra e tij për KQ të PPSH-së, e dërguar një muaj pas arratisjes. P. Plaku shpresonte të gjendte strehim në BRSS, por diçka e pengoi Hrushovin dhe Brezhnjevin për ta pranuar. Gjatë kohës, që jetoi në Beograd, ai nuk dha as intervista, as deklarata politike. Vetëm më 27 maj të vitit 1961, i shprehu shkurt korrespondencës të gazetës “Borba” mendimin e vet për procesin e admiralit Teme Sejko. Por, duke filluar nga viti 1960, në shtypin jugosllav zunë të dilnin artikuj anonimë për disa probleme të historisë së PPSH-së, të mbushur me hollësi të tilla, të cilat mund ti dinte vetëm një dëshmitar i ngjarjeve. Nuk përjashtohet mundësia që ky njeri të ketë qenë Panajot Plaku. Pas vdekjes së tij, në vitin 1969, nuk pati më publikime të tilla.
Që nga shkurti i vitit 1957, udhëheqja e PPSH-së filloi të përtërijë shkallë-shkallë vlerësimin pozitiv të rolit të Stalinit. Në fillim, ky proces shkoi në përputhje me prirjet, që u vunë re në BRSS, ndërsa më pas zu të zhvillohej me ritme tejkaluese. Fill pas kësaj, u ringjall me tërë forcën e vet, kulti i heronjve, që kishin shpëtuar partinë, i dënuar nga kongresi i III i saj. Sepse Enver Hoxha kishte përparësinë, që të ishte i vetmi personalitet politik aktiv i mbetur nga përbërja e KQ-së së parë të PKSH-së. Fama e tij si themelues i partisë dhe udhëheqës i pagabueshëm, u botua plotësisht. Shkëlqimi i tij ra dhe mbi Mehmet Shehun, çka pasqyrohej në agjitacionin figurativ. Në ditë festash, në vitrinat e dyqaneve dhe në rrugët kryesore të Tiranës e të disa qyteteve të tjerë, mund të shihje portrete të Leninit të bëra me porosi në Çekosllovaki. Ato përbëheshin nga lente trekëndëshe shumë të vogla, efekti optik i të cilave bënte të mundur, që nga pozicioni ballor të shikoje portretin e udhëheqësit sovjetik. Ndërsa, po të shmangeshe djathtas apo majtas, herë dalloje tiparet e Hoxhës, herë të Shehut.
Periudha pas kongresit nuk solli asgjë të re parimore në orientimin e jashtëm (politik dhe ekonomik) të Shqipërisë. Miqësia dhe bashkëpunimi me vendet socialiste vazhdoi të mbeteshin guri i themelit në politikën e PPSH-së. Furnizimet nga vendet socialiste mbi bazën e kredive shpesh tejkalonin mundësitë reale për përdorimin e tyre. Në fund të viteve ’50-të, në shtypin shqiptar zunë të shfaqen kërkesa drejtuar strukturave dhe ndërmarrjeve përkatëse ekonomike për të eksportuar pajisjet e makineritë e tepërta, që kishin mbushur portet detare të vendit.
Marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike arritën pikun e vet me vizitën e N.S Hrushovit, në maj të vitit 1959. Kjo ishte vizita e parë e një personaliteti shtetëror sovjetik të një rangu kaq të lartë. I pritur me entuziazëm nga populli, Hrushovi vizitoi ndërmarrjet e ndërtuara nga specialistët sovjetikë dhe foli nëpër mitingje. I befasuar nga klima e favorshme e bujare e Shqipërisë dhe bimësia e begatë, ai tha se Shqipërisë nuk i duhej as industria e rëndë e as prodhimi i drithit. “Një litër benzinë nga nafta juaj do të kushtojë më shtrenjtë se një kilogram haviar,-i tha ai Hoxhës. Në do t’ju japim aq drithë, sa të kërkoni. Tek ne minjtë hanë më tepër nga ç’keni nevojë ju”. Sipas fjalëve të Hrushovit, Shqipëria duhej të bëhej një kopësht i lulëzuar, që të furnizonte vendet e bashkësisë socialiste me fruta subtropikale. Ky ishte një gabim serioz, që më pas u dha kritikëve shqiptarë të drejtën për ta akuzuar se donte ta shndërronte Shqipërinë në prodhues të lëndëve të para për vendet më të zhvilluara të kampit socialist…
Moska, Shqipërisë: Leckamanë që japin mend
Si u komentua largimi i Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik? Çfarë shkruante publicisti gjermano-perëndimor në vitet ’60 për politikën shqiptare? Moska ndërhyn në vendet evropiane kundër Shqipërisë? Si u prish plani i ndërtimit të pallatit të miqësisë sovjeto-shqiptare?
Hrushovi përsëriti gabimin e Stalinit, i cili, në vitin 1948, përjashtoi Jugosllavinë nga bashkia e vendeve socialiste që po krijohej. Humbja e Shqipërisë në vitin 1961 pati një pasojë akoma më të rëndë për BRSS-në, duke e dobësuar në mënyrë të ndjeshme pozitën ushtarako-strategjike për të gjithë kampin socialist, në raport me bllokun e NATO-s. Që në fillim të viteve ’60, publicisti gjermano-perëndimor, Harri Hamm, duke analizuar pasojat e largimit të Shqipërisë, nxirrte këtë përfundim aspak ngushëllues në librin e vet, “Të rebeluarit kundër Moskës: Shqipëria një urë kalimi e Pekinit në Evropë”: “Për vendet komuniste të Ballkanit, realizimi i një politike unike ndaj Turqisë e Greqisë, me mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Sovjetik, këtej e tutje është e pamundur”.
Nga stonaturat e Hrushovit e pësoi autoriteti i BRSS-së në botë. Ndëshkimi i Shqipërisë së vogël, ndonëse kryeneçe, u përjetua në mënyrë kritike si nga republikat e Bashkimit Sovjetik, veçanërisht nga ato me popullsi të vogël, ashtu edhe nga vendet e huaja, si p.sh., Kuba. Shprehjet të tipit: “Si nja dy milionë”, “Leckamane që kërkon të japë mend”, nuk u pritën mirë dhe shërbyen si vërtetim i shprehive të vjetra prej shtetit të madh të Moskës dhe i synimit të saj për diktat.
Në situatën e ndërlikuar ndërkombëtare të fillimit të viteve ’60, udhëheqësit shqiptarë nuk dukeshin pa mëkate dhe nuk po e pësonin pa faj. Ata prireshin nga një llogari thellësisht pragmatiste. Me kushtin e vetëm që të ruhej pushteti i tyre, shpërfaqej dhe mbështetja në autoritetin moral për ndihmën materiale së “një miku të madh”. Në vitin 1961, vendin e Bashkimit Sovjetik e zuri Republika Popullore e Kinës. Shqipëria hyri në “periudhën kineze”.
Krijimi dhe rrëzimi i miteve
Viti 1961 qe guri i ri kilometrik në historinë e Shqipërisë së pasluftës. Fillimi i tij nuk parathotë atë ndryshim dramatik, që kishte filluar si rezultat i keqësimit, e më pas i prishjes së marrëdhënieve sovjeto-shqiptare.
Në të gjithë vendet e bashkësisë socialiste qe rrënjosur praktika (sipas shembullit të BRSS-së) e planifikimit të të gjithë jetës politiko-ekonomiko të shoqërisë me pesëvjeçarë dhe kongreseve të partive. Kongresi përcaktonte direktivat e pesëvjeçarit të radhës, të cilat përfshinin gjithçka, nga politika e jashtme deri te kultura, parlamenti, i miratonte populli nën udhëheqjen e partisë, realizonte dhe tejkalonte detyrat, pastaj kongresi tjetër bënte bilancin e arritjeve, përcaktonte detyrat e ardhshme dhe më tej gjithçka shkonte sipas një rrethi të mbyllur, ndërsa kur dilnin pengesa dhe për qarqet e larta të pushtetit, bëhej e qartë se treguesit e planifikuar ishin larg nga rezultatet reale, në radhët e punës bëheshin korrigjimet, ndërsa shkenca e bindur e statistikës e gjente më të përshtatshme të falsifikonte.
Si përfundim, dilte se edhe dega më e dështuar e ekonomisë, që kudo dhe përherë ishte bujqësia, e kishte realizuar planin 99%. Dhe Shqipëria nuk bënte përjashtim.
Kongresi i IV i PPSH-së, data e mbledhjes të së cilit u shty disa herë (nga nëntori në dhjetorin e vitit 1960, nga dhjetori në janar të vitit 1961), u mbajt në shkurt të vitit 1961. Në pjesët për politikën e brendshme e të jashtme të raporteve kryesore, një vëmendje e madhe iu kushtua çështjeve teorike e, gjithashtu, demaskimit të revizionizmit modern. Ky term u ngulit thellë në propagandën zyrtare shqiptare, kur u bë e domosdoshme të kritikohej udhëheqja e PK të BS-së, pa përmendur haptas emrin e saj.
Në përfundim përcaktohej se në Shqipëri nuk ekzistonte më ekonomia e larmishme, se ishte krijuar sistemi socialist i ekonomisë, vendi kishte hyrë në periudhën e ndërtimit të bazës materiale-teknike të socializmit e të zhvillimit të përshpejtuar dhe në udhën e transformimit nga një vend agraro-industrial, në industrialo-agrar. Për arritjen e këtyre synimeve, sipas planit të tretë pesëvjeçar (1961-1965) parashikohej rritja e konsiderueshme e prodhimit shoqëror: vëllimi i prodhimit të përgjithshëm industrial 52%, bujqësor 72%, të ardhurat kombëtare 65%. Synohej dhe një ngritje e dukshme e mirëqenies materiale të punonjësve. Por në realizimin e detyrave të pesëvjeçarit të tretë dolën menjëherë vështirësi jo të vogla. Ndërprerja e lidhjeve ndërshtetërore sovjeto-shqiptare solli ndërprerjen e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Me rekomandimet këmbëngulëse të Moskës, vendet evropiane anëtare të KNER-it, refuzuan t’i jepnin Shqipërisë kreditë e negociuara, që më parë përbënin 30-35% të të gjitha investimeve kapitale në ekonominë e vendit. Ata tërhoqën specialistë, të cilët punonin në degë të ndryshme të ekonomisë shqiptare. Si përfundim, më shumë se 40 objekte industriale, ndërtimi i të cilave kishte filluar me ndihmën e kreditimeve nga jashtë, u vunë pjesërisht apo tërësisht në ngrirje. Tregtia e pesëvjeçarit të dytë përbënte më shumë se 54% të tregtisë së jashtme, në vitin 1961 u reduktua në një të tretën, krahasuar me vitin 1960, ndërsa në vitin 1962 praktikisht u ndërprenë. U ul në mënyrë të dukshme këmbimi i mallrave me RD Gjermane, Rumaninë, Hungarinë dhe Bullgarinë. Ndihma e shumë reklamuar e Kinës, e parashikuar për të arnuar të çarën e krijuar si pasojë e ndërprerjes së lidhjeve me miqtë e Evropës Lindore, u vonua. Ajo filloi të vinte vetëm pas vitit 1963.
Qeveria e RPSH-së u bëri thirrje punonjësve të përfundonin ndërtimin e disa objekteve me forcat e veta. Kjo nismë nuk u kufizua vetëm me ndërtimin e ndërmarrjeve industriale. Një fat i hidhur e priste pallatin e miqësisë sovjeto-shqiptare, dhuratë e qeverisë sovjetike për popullin shqiptar. Ai filloi të ndërtohej sipas projektit të arkitektëve sovjetikë, me materiale ndërtimi e me pjesëmarrjen e inxhinierëve sovjetikë, në vendin ku ndodhej pazari i vjetër, një rrënojë larushe në qendër të kryeqytetit. Me rritjen e fërkimit të dy palëve, në Moskë u vendos ngrirja e ndërtimit. Prandaj në prill të vitit 1961, pas endjesh të gjata deri në brigjet shqiptare, hyri në portin e Durrësit anija tregtare në të cilën ndodheshin furnizimet dhe pajisjet e tjera për ndërtesën, sipas urdhrit të marrë që gjatë udhëtimit, materialet nuk u shkarkuan, por u kthyen mbrapsht në atdhe. Për një farë kohe, simboli i papërfunduar i miqësisë mbeti si i vdekur, deri sa specialistët shqiptarë të ndërtimit e shndërruan në një kompleks, që përmblidhte Teatrin e Operës dhe Bibliotekën Kombëtare.