GJERMANI – Publikohen dokumente konfidenciale që kritikojnë lidhjen e Turqisë me grupet islamike
Qeveria gjermane thotë se islamizimi i politikës së brendshme dhe të jashtme të Turqisë, e ka bërë vendin një zonë qendrore për grupet islamike, sipas një dokumenti konfidencial të zbuluar nga televizioni shtetëror ARD. “Si rezultat i rritjes së islamizimit në politikën e brendshme dhe të jashtme të Ankarasë nga viti 2011, Turqia është bërë një platformë qendrore për veprim nga grupimet islamike në rajonin e Lindjes së Mesme …”, sipas një përgjigjeje zyrtare për një hetim nga Partia e Majtë. Dokumenti është shkruar nga Ministria e Brendshme në përgjigje të një kërkese nga ligjvënësi i Partisë së Majtë, Sevim Dagdelen dhe është i bazuar në informacionet e dhëna nga agjencia sekrete e jashtme gjermane (BND), njoftoi sot ARD.