Gorki për Malëshovën në kongresin e shkrimtarëve sovjetikë
Cili ishte personaliteti i Sejfulla Malëshovës përballë kulturës sovjetike? Cili ishte vlerësimi që i bëri Gorki në Kongresin e I të Shkrimtarëve sovjetikë? Si u pa nga sovjetikët portreti i oportunistit Malëshova? Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës
Cili ishte personaliteti i Sejfulla Malëshovës përballë kulturës sovjetike? Cili ishte vlerësimi që i bëri Gorki në Kongresin e I të Shkrimtarëve sovjetikë? Si u pa nga sovjetikët portreti i oportunistit Malëshova? Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga “Ideart”, sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.
“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.
Këndvështrimet nga, e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.
***
Po ashtu në vitin 1945, doli dhe vëllimi me vjershat e S.Malëshovës, i pari e i fundit në të gjallë të tij, me pseudonimin Lame Kodra. Krijimtaria e tij nisi në vitet ‘20 dhe tërhoqi vëmendjen e M.Gorkit, i cili, në fjalën e mbajtur në Kongresin I të shkrimtarëve sovjetikë, u shpreh për të me dashamirësi. Në Shqipëri ai u quajt poeti i revoltës, poeti i revolucionit. Vjershat patriotike si “Si e dua Shqipërinë”, “Klithma e Dragobisë”, etj., u bënë nga më populloret dhe hynë në tekstet shkollore. Madje, edhe për përkthime ai zgjodhi vepra, të cilat i përshkonte fryma kryengritëse revolucionare, siç janë “Internacionalja” e E.Potiesë, “Kënga e zgalemit” dhe “Kënga e skifterit” të M.Gorkit.
S.Malëshova përktheu shumë dhe me dashuri. Nga trashëgimia e tij e pasur letrare, do të desha të veçoja atë pjesë, që mund të bashkohet nën emërtimin “cikli rus”. Por, shumë punë të tij kanë humbur. Dihet, p.sh., që ai ka përkthyer shumë nga Pushkini, nga të cilat ka mbetur vetëm vjersha “Ançari”, e publikuar në vitin 1937. Më shumë përkthime kanë mbetur nga N.A.Nekrasovi, përfshi poemën “Kush jeton mirë në Rusi”, “Kujtimit të Dobroljubovit”, “Poeti dhe qytetari”, “Gjyshi Mazaj dhe lepujt”, “Udha e hekurt” e të tjerë.
Është për t’u theksuar, se tema ruse në krijimtarinë e S. Malëshovës zë fill përpara se ai të emigronte në Bashkimin Sovjetik. Më 16 shtator të vitit 1924, në kulmin e revolucionit, në gazetën “Bashkimi”, u botua miniatura e tij lirike një prozë poetike: “A keni dëgjuar ndonjëherë korin rus?”. Një vepër krejt e panatyrshme për kohën kur doli (Në Gjenevë, në Ligën e Kombeve, Fan Noli luftonte ndërkohë për njohjen e qeverisë së vet dhe Malëshova që në krah të tij) dhe aq e ndryshme për nga karakteri me krijimtarinë e tij, sa ia vlen të japim disa rreshta.
“Disa orë me radhë, dje mbrëma na dehu dhe na çoi në botën e kthjelltë e të bukur të artit. Ka zëra të thella plot dhembkë e mallëngjim, që tronditën shpirtin tonë të mykur në këtë qark, ku na u zu fryma nga intrigat e shamatat e përditshme.
Një natë një koncert i rusëve është një kurë e domosdoshme, një pastrim!
Mirëpo, dëgjojmë disa nga ortodhoksët e këtushëm se s’dashkan korin në kishë.
U pëlqejnë më mirë zërat e çjerra e të ngjirura që shpëtojnë nga gurmazët e djegur të psallëve.
Kësaj i thonë muzikë bizantine!
A ka kjo të bëjë me artin e perëndishëm të Bethovenit e të Shumanit?”
Në Moskë, muza e Lame Kodrës heshti. Doli në pah “uni” i tij i dytë, Sejfulla Malëshova politikan me bindje socialiste, antifashist dhe patriot. Ai e përmbushi deri në fund detyrën e vet, ashtu si i thoshte ndërgjegjja. Që pas mbledhjes së byrosë të dhjetorit të vitit 1945, atij i mbeti etiketa e oportunistit. Ai i mbrojti pikëpamjet e veta, por humbi. Në shkurt të vitit 1946, përjashtohet nga Byroja politike dhe lirohet nga postet e tjera, në organizatat ekonomike. Për pak më shumë se një vit, vazhdoi të drejtonte ministrinë e propagandës dhe kulturës, por pas plenumit të KQ të PKSH-së të majit të vitit 1947, që e përjashtoi nga partia, largohet përfundimisht nga arena politike.
Fati i mëtejshëm i këtij njeriu të rrallë qe tragjik. Për dy-tre vjet u internua në kampin e punës në Ballsh, ndërsa, pas lirimit, u transferua në Fier, ku ishte nën mbikëqyrjen e policisë. Emri i tij u harrua. Në qytetin e vogël, në të cilin jetoi e punoi, e njihnin të gjithë, por askush nuk guxonte, qoftë edhe ta përshëndeste. Më 11 korrik të vitit 1971, S. Malëshova vdiq nga apendiciti, që i kaloi në peritonit. E varrosi e motra, varrmihësi dhe dy agjentë të sigurimit.
Duke hedhur poshtë idetë e S.Malëshovës mbi demokracinë (e zgjeruar) popullore në Shqipëri, si periudhë kalimtare drejt një faze më të lartë, demokracisë socialiste, Byroja Politike e KQ-së përcaktoi zgjedhjen e vet. Në Plenumin V të KQ të PKSH-së, në shkurt-mars të vitit 1946, u dha orientimi për ndërtimin e socializmit. Ai nënkuptonte shfrytëzimin e modelit sovjetik të organizimit të pushtetit e të forcave prodhuese, përshtatur për kushtet shqiptare. U theksua se rruga drejt socializmit nuk ishte aspak e thjeshtë dhe popullit shqiptar do t’i duhej të kalonte vështirësi të karakterit politik ekonomik. Masat konkrete më të rëndësishme të përcaktuara nga plenumi parashikonin: përfundimin e shtetëzimit të ndërmarrjeve ekonomike, kontrollin sa më të madh mbi sektorin privat dhe kufizimin e mëtejshëm të veprimtarisë së tij, shtetëzimin e të gjitha materialeve të ndërtimit të tregtarëve dhe sipërmarrësve privatë, rritjen e rendimentit në bujqësi dhe nxitjen e krijimit të kooperativave, zhdukjen e analfabetizmit, dërgimin e studentëve në BRSS dhe Jugosllavi, pastrimin e organeve të pushtetit shtetëror nga sabotatorët dhe elementët armiqësorë, etj.
Në vendimet e plenumit theksohej domosdoshmëria e orientimit drejt BRSS-së, “që është garancia më e madhe e pavarësisë dhe pushtetit tonë popullor”. Për Jugosllavinë thuhej: “Politika jonë duhet të synojë drejt lidhjes më të ngushtë e konkrete me Jugosllavinë. Populli ynë duhet të kuptojë, se kjo miqësi vëllazërore është garancia e ekzistencës sonë”. Kështu lindi formula, që përcaktonte marrëdhëniet e trekëndëshit BRSS-Shqipëri-Jugosllavi: “rruga për në Moskë kalon përmes Beogradit”. Pra, fati i Shqipërisë duhej të vendosej në Moskë, por sipas skemës jugosllave, e cila, për udhëheqësit shqiptarë qe krejt e natyrshme. Që në qershor të vitit 1946, pas kthimit nga Beogradi, Hoxha i kumtoi ambasadorit sovjetik mendimin e Stalinit (sipas fjalëve të Titos), se “qeveria sovjetike e shikon Shqipërinë si një republikë motër, së cilës është e domosdoshme t’i jepet një ndihmë e madhe e gjithanshme”. Por vihej në dukje se Bashkimi Sovjetik do ta ndihmonte Shqipërinë nëpërmjet Jugosllavisë sepse, sipas mendimit të qeverisë sovjetike, ndihma e drejtpërdrejtë për Shqipërinë, në kushtet aktuale, mund të shkaktonte pakënaqësinë e aleatëve.
***
Të gjithë si kinezët: Mehmet Shehu, shembullin personal- bëhet traktorist
Nina Smirnova
Duke kopjuar praktikën kineze më 18 janar të vitit 1966, specialistë të bujqësisë të aparatit të komitetit ekzekutiv të rrethit të Durrësit vendosën të linin vullnetarisht postet drejtuese në administratën e të shkonin për të punuar në kooperativa. Nisma e tyre përfshiu edhe rrethin e Elbasanit. Pas kësaj 166 punonjës të Ministrisë të Bujqësisë dhe 125 të Ministrisë të Industrisë deklaruan të njëjtën gjë. Ministri dhe institucionet e tjera u përfshinë gjithashtu në këtë fushatë. Të gjithë vendin e përfshiu vala e shkurtimeve të aparatit administrativ, në mars të vitit 1966 rreth 15 mijë nëpunës, me dashje apo pa dashje shkuan në sektorët prodhues. Me propozim të qeverisë Kuvendi Popullor vendosi të bashkojë një sërë ministrish duke shkurtuar një numër tepër të madh punonjësish, ndërsa ministritë nga 19 u përmblodhën në 13. Në këtë luftë kundër burokratizmit u shkurtua edhe Ministria e Drejtësisë e cila u riorganizua vetëm në vitin 1990.
Me letrën e marsit të vitit 1966, drejtuar gjithë punonjësve, KQ i PPSH-së hartoi dhe shpalli bazat e revolucionarizimit të shoqërisë. Ato përmblidheshin në thirrjen për të luftuar kundër burokratizmit, kundër shfaqjeve të mbeturinave borgjeze e për të forcuar unitetin moralo-politik të popullit rreth partisë. Çdo komunist dhe çdo punonjës thuhej -në letër -, të punojë e të mendojë në mënyrë revolucionare çdo ditë, çdo orë.
Në përgjigje filluan të vinin propozime për nisma të reja: herë administrative ndërmarrje zotohej njëzëri të punonte një ditë në javë falas në prodhim, herë fshatarët shprehin dëshirën të ndihmonin në punët e stinës kooperativën fqinje, herë ushtria, me vendim të këshillave ekonomikë të krijuar në çdo repart ushtarak, përfshihej në punëra bujqësore, herë punëtorët shkonin vullnetarisht për të mbledhur prodhimin, duke lënë detyrë shokëve, që mbeteshin në reparte të bënin dy-tri norma pa shtesë page. Për t’u dhënë „shembull“ masave , nëpër fusha dilnin dhe punonjësit e organeve më të larta partiake shtetërore. Në një nga këto dalje në popull punoi me traktor vetë M.Shehu.
Në vitin 1967 shqiptarët, morën në dorë stafetën e maoistëve, që prishnin tempujt e manastiret në Tibet. Ndërtesat e institucioneve fetare të të gjitha besimeve u kthyen në institucione fetare të të gjitha besimeve u kthyen në institucione kulturore laike apo në mensa. Një fat më të mirë patën kishat e vjetra të krishtëruara, të njohura në tërë Ballkanin për arkitekturën dhe afresket e tyre. Shpëtuan dhe minaret e disa xhamive historike në Tiranë e në Shkodër.
U përndoq, madje dhe respektimi fshehtazi i riteve fetare. Është i njohur rasti i dënimit në Shkodër të një prifti katolik, i cili kishte pagëzuar një fëmijë në shtëpi. Protesta e ashpër e Vatikanit nuk ndaloi luftëtarët kundër opiumit fetar dhe E.Hoxha mundi ta shpallte Shqipërinë si vendin e vetëm ateist në botë.
Udhëheqja shqiptare i shpëtoi tundimit për të ndjekur shembullin kinez për të kryer diçka të ngjashme me „revolucionin kulturor“. Në Shqipëri nuk qe e nevojshme „të hapej zjarr kundër shtabeve”, apo të bëhej thirrje për lulëzimin e 100 shkollave për të zbuluar kundërshtarët. Makina burokratiko-policore e krijuar në vend e cila përfshinte dhe aparatin partiako-shtetëror, shmangte domosdoshmërinë për ndëshkime masive ndaj opozitave të mundshme. Veç kësaj mesi i viteve 60-të qe një periudhë krahasimisht e qetë në kërkimin e armiqve brenda udhëheqjes së partisë së shtetit. Pastrimet masive do të bëheshin të nevojshme më 1973-1975, kur u vu re ftohja e marrëdhënieve shqiptaro-kineze. Po afronte një ndërrim i ri i kursit e bashkë me të dhe një valë e re ndëshkimesh.
Ndërkohë, rendi dhe qetësia mbaheshin në mënyrë tradicionale, me anë të kontrollit të vazhdueshëm të popullit nga organet e sigurimit, që bazoheshin mbi një legjislacionit të ashpër penal e mbi arbitraritetin e hapur. Sa për “revolucionin kulturor” kinez mbështetja ndaj tij shprehej vetëm me fjalë dhe përmblidhej në formulën e paqartë: “Revolucioni i madh proletar kulturor kinez është zhvillimi i mëtejshëm i revolucionit socialist në kushtet e diktaturës së proletariatit dhe të kushteve konkrete të Kinës”.
U bënë përpjekje për të futur forma të kritikës, të huazuara nga përvoja kineze, si “dacibao-t” (përkthimi fjalë për fjalë nga gjuha kinez: gazeta e hieroglifeve të mëdha), që morën emërtimin shqip “fletërrufe”. Më 6 janar të vitit 1967, E. Hoxha dha këtë porosi: “Kushdo, pa frikë dhe me germa të mëdha të shkruajë ç’mendon ai për punën dhe për njerëzit”. Shumëkush e mori seriozisht këtë porosi, filluan që kjo nuk mund t’u pëlqente organeve administrative dhe disa drejtuesve ndërmarrjesh e organizatash shoqërore (p.sh. bashkimeve profesionale), sepse punonjësit zunë të varnin fletërruge me kritika për vartësit e tyre. Nisën të shpërthenin konfliktet, por ndërhyrë partia. Ajo drejtoi ”vrullin kritik revolucionar të masave” në shtratin e zakonshëm, në demaskimin e intrigave të imperialistëve e revizionistëve. Shumë shpejt lëvizja u shua.
Një përpjekje e dështuar për të kinezëruar ekonominë shqiptare, ishte kopjimi i “hopit të madh”. Një nga plenumet e KQ të PPSH-së në fund të vitit 1969, E. Hoxha hodhi parullën: “1970 duhet të jetë viti i një sulmi revolucionar të paparë deri më sot në të gjitha drejtimet”. Po përfundonte pesëvjeçari i radhës dhe me fushata masive për rritjen e ekonomisë, nënkuptohej, që brenda një afati të shkurtër, të plotësoheshin mosrealizimet. Organizimi i aksioneve dhe dërgimi në fshat i brigadave të krijuara me punëtore e nëpunës, u bënë një gjë e zakonshme, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në shumicën e vendeve socialiste europiane. Por, vetëm ideologët partiakë shqiptarë i dhanë kësaj praktike, që dëshmonte mosfrytshmërinë e sistemit ekonomik të socializmit, karakterin e një zbulimi të ri në organizimin e prodhimit. Çdo nismë i shtohej fjala “revolucionare”.