Nënpresidenti amerikan Joe Biden në Kosovë
Nënpresidenti amerikan Joe Biden, arriti të martën mbrëma në Kosovë në kuadër të vizitës dyditëshe në rajon në përpjekje për të nxitur përparimin e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimeve evropiane.
Ai u prit në aeroportin e Prishtinës nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me të cilin nënpresidenti Biden pritet të bisedojë të mërkurën sikurse edhe me kryeministrin Isa Mustafa.
Rrugët e stoisura me flamujt amerikanë dhe ata të Kosovës e pritën nënpresidentin Biden i cili në Kosovë shihet si një nga mbështetësit e fuqishëm të lirisë dhe pavarësisë së saj. Udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë e kanë cilësuar vizitën me rëndësi historike.
Kryeministri Isa Mustafa i tha të martën Zërit të Amerikës se kjo vizitë është jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën dhe rajonin.
“Ne do të bëjmë përpjekje që nënpresidentin Biden ta njoftojmë me ecuritë aktuale në Kosovë, të kërkojmë po ashtu që bashkërisht edhe më tutje t’i shtyjmë proceset që janë të rëndësishme jo vetëm për Kosovën por edhe rajonin por edhe miqësinë dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne, Shtetet e Bashkuara i shohim partnerin më të rëndësishëm strategjik për Republikën e Kosovës, është vendi i cili në të gjitha fazat e ka përkrahur dhe ndihmuar edhe shtetin e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Vizita e nënpresidentit Biden e gjen Kosovën në një periudhë tensionesh për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Kjo çështje mund të zërë vend në takimet e tij në Prishtinë ku pritet që të diskutohet edhe përballja me ekstremizmin e dhunshëm si një sfidë në nivel botëror, por edhe me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Nënpresidenti Biden do të marrë pjesë të mërkurën në ceremoninë e emërimit të një rruge me emrin e dalit të tij të ndjerë Joseph “Beau” Biden. Rruga që do të mbajë këtë emër çon në Bondstell në kampin e disa qindra trupave amerikane që vazhdojnë të shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë.
Kjo do të jetë edhe një nga rrugët që mbajnë emrat e personaliteteve amerikane, një formë kjo me të cilën në Kosovë shprehet mirënjohja për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën rolin e të cilave e cilësojnë të pazëvendësueshëm në të gjitha proceset politike.
Nënpresidenti amerikan Joe Biden, qëndroi të martën në Serbi në fillim të vizitës dyditëshe në rajon gjatë së cilës do të qëndrojë edhe në Kosovë. Vizita e tij në Beograd cilësohet si mbështetje për aspiratat evropiane të Serbisë, e cila po përpiqet të ruajë drejtpeshimin e saj ndërmjet perëndimit dhe Rusisë.
Ai takoi kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç dhe presidentin serb Tomislav Nikoliç, për të diskutuar edhe çështjet e hapura na marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.
Nënpresidenti Biden dhe kryeministri serb Vuçiç, nënvizuan siç u tha, rëndësinë e përparimit në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo është punë e vështirë, nuk ka asgjë të lehtë dhe la shumë histori për të tejkaluar. Kërkohet shumë punë dhe vullnet politik për të tejkaluar dallimet”, tha nënpresidenti Biden, duke nënvizuar se “nëse të dyja pakët qëndrojnë të përkushtuara ndaj ardhmërisë në paqe e përparim, kjo do t’u ndihmojë të dyja vendeve që të lëvizin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Kryeministri serb tha se çështjet kryesore në bisedimet me nënpresidentin Biden ishin marrëdhëniet dypalëshe, bisedimet me Prishtinën, marrëdhëniet në rajon dhe rruga evropiane e Serbisë.
Ai tha se do të bëjë gjithë çfarë është e mundur për të siguruar invetsuesit, përfshirë edhe ata amerikanë, ndërsa nënvizoi se e ka njoftuar nënpresidentin Biden se brenda një muaji do të pres në Beograd kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama si dhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës.
“Shumëkush ka bërë gabime në marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, shumë serbë e shqiptarë kanë humbur jetën”, tha kryeministrit serb.
Derisa nënpresidenti Biden po bisedonte me kryeministrin serb, qindra mbështetës të Partisë Radikale serbe, protestuan kundër vizitës së tij, duke brohoritur në favor të kandidatit presidencial amerikane, Donald Trump.
Protestuesit që po brohorisnin “Votoni për Trumpin” mbanin të veshura bluza me portretin e kandidatit republikan.
“Trumpi është alternativë e globalizmit. Ai do të shkatërrojë qendrat e vjetra të fuqisë në Amerikë dhe është mbështetës i Rusisë”, tha kryetari i Partisë Radikale Vojislav Sheshel, dikur shef i kryeministrit aktual të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe presidentit serb Tomislav Nikoliç.
“Joe Biden duhet ta dijë që Serbia nuk e do por e urren atë”, tha Sheshel duke nënvizuar rolin e Shteteve të Bashkuara në fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, që çuan në përfundimin e luftës në Kosovë.
Nënpresidenti Biden, ndërkaq pas takimit me kryeministrin serb shprehu ngushëllimet e tij për serbët që kanë humbur jetën gjatë bombardimeve të NATO-s, duke u bërë kësisoj zyrtari i parë amerikan që e bën një gjë të tillë.
Shtetet e Bashkuara luajtën rolin kryesor në fushatën e bombardimeve të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në proceset politike që çuan në pavarësinë e saj e cila vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi.
Ndonëse nuk u përmend gjatë konferencës me gazetarë, besohet se nënpresidenti Biden ka nxitur Beogradin që të trajtojë me përparësi çështjet që lidhen me krimet e luftës. Në këtë kuadër ai besohet të ketë diskutuar edhe ndriçimin e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyci, tre shqiptaro amerikanë që u vranë në rrethana të panjohura në korrik të vitit 1999.
Kryeministri serb, Aleskandër Vuçiç, është zotuar disa herë për ndriçimin e këtij rasti, por edhe 17 vjet pas luftës autorët nuk janë identifikuar dhe as vënë para drejtësisë.