Pallati i Brigadave dhe arkitektët që e projektuan atë
Gjon Fierza
Agjencia Kombëtare e Mjedisit
Që në vitet e Shkollës Mesme Pyjore, por dhe në Fakultetin e Pyjeve, tek mësonim lëndën e Dendrologjisë (që studion morfologjinë dhe ekologjinë e drurëve dhe shkurreve pyjore), pedagogët na shpjegonin se disa lloje pyjore ekzotike me shumë vlera, në numër të pakët, të mbjellë në mesin e viteve ‘30, gjendeshin vetëm në mjedisin e gjelbër te Pallati i Brigadave, të sjella nga Italia. Këta drurë ishin: dy lloje sekuo-je, një cedër, bambu, disa shkurre, etj.
Gjelbërimi, llojet dhe arkitektura e mjedisit, që qarkon atë që u nis për Vilë Mbretërore, janë unikale, mund të konsiderohet nga realizimet më të mira dhe të pa arritura në vendin tonë. Sot, gjendja lë për të dëshiruar nga pamundësia e mirëmbajtjes dhe e trajtimit.
Prej kohësh dëshiroja ta shihja këtë mjedis, pikërisht të shikoja me sytë e mi ata drurë dhe atë mjedis të gjelbër që e kemi shumë pranë, por, për fatkeq, e njohim shumë pak. Para viteve ’90 jo e jo, por edhe sot është disi e vështirë ta vizitosh ketë mjedis, ndonëse një vit më parë u fol për hapje dhe një projekt restaurimi(!) U mundësua që së bashku me kolegun im, inxhinier Hajredin Muçën, specialist i parqeve në Bashkinë e Tiranës, ta vizitonim këtë peizazh. Me aparat fotografik në dorë, për më se dy orë e shëtitëm këtë mjedis.
Në këto radhë nuk kam qëllim të evidentoj vlerat, pasi ato i kanë thënë shumë emra të njohur të fushave përkatëse. Por, sipas meje, ato nuk mund të quhen të tilla (vlera), sa nuk vihen në shërbim të qytetarëve, studiuesve, turistëve, nxënësve të shkollave, etj.
Tek sheh mjedisin e gjeneruar dhe veprat arkitekturore që harmonizohen në të, lind pyetja: Kush i ka realizuar ato? Shfletova dokumente, shkrime të kohës dhe arrita t’i jap një përgjigje kësaj pyetjeje: Skulpturat, kryesisht janë vepra të italianit Antonio Maraini dhe skulptorit shqiptar Odise Paskali; ndërsa arkitekti i peizazhit ka qenë Pietro Porcinai. Të dy skulptorët, janë emra të mëdhenj e të njohur të këtij arti në Itali, Shqipëri e më gjerë. Por edhe Pietro Porcinai është një emër mjaft i njohur i fushës së peizazhit, autor në disa projekte të njohura në Evropë, por edhe më gjerë. Ai, 30 vite më parë, më 9 qershor 1986, është ndarë nga jeta. Si homazh për këtë personalitet që dhe në Shqipëri ka lenë një vepër monumentale gjelbërimi, siç është mjedisi i Pallatit të Brigadave, “më detyruan” të përgatis këtë shkrim.
Kush është Pietro Porcinai
I vlerësuar për veprat, studimet dhe botimet në fushën e peizazhit natyror, ai hyn në elitën botërore të arkitektëve të kopshteve dhe konsiderohet si më i shquari i kësaj fushe në shekullin e kaluar në Itali dhe në botë.
Pjetro Porcinai u lind në Firence më 20 dhjetor 1910 dhe vdiq më 9 qershor të vitit 1986. Ishte diplomuar për bujqësi dhe fillimisht ka punuar në Belgjikë dhe në Gjermani. Më pas ai kthehet në Institutin e Bujqësisë në Firence, ku vazhdoi studimet deri sa u diplomua në vitin 1935, ndërkohë që punonte dhe në Pistoia. Ne vitin 1941 filloi Institutin e Lartë të Arkitekturës në Firence, por e braktisi në vitin 1945, pa u diplomuar. Ai u ngrit kundër institutit, pasi, sipas mendimit të tij, instituti nuk ishte në gjendje për të kryer rolin social, për të formuar e dhënë njohuritë e të bukurës te studentët; nuk arrinte të edukonte modelin e krijimtarisë, arti kryesor i të cilit është Natyra.
Më pas ai nisi të punonte jashtë Italisë, në kopshtet më të rëndësishme të Arkitekturës Evropiane, ku iu krijuan mundësi për t’u përballur me metoda e teknika të reja dhe me disa zgjidhje e koncepte të rëndësishme të peizazhit. Ai ka bashkëpunuar me arkitektët e monumenteve të gjelbra më të njohur në Evropë dhe në botë si Fritz Enchke, Karl Foerster, Gustav Lüttge, Russell Faqe, Geoffrey Jellicoe, René Pechère, Gerda Gollwitzer, Ludovico Belgioioso dhe Ernesto Nathan Rogers, Vittoriano Vigano, Marco Zanuso, Pietro Consagra, Riccardo Morandi, Joachim Louis Mellucci, Oscar Niemeyer, Renzo Piano, Richard Rogers, Carlo Scarpa, Franco Albini etj.
Gjatë jetës profesionale ka krijuar shumë organizata për peizazhin dhe lulet, ka mbështetur me asistencë teknike mjaft biznese, që janë marrë me lulëtarinë dhe me peizazhin në Itali dhe më gjerë.
Opusi i tij projektues dhe krijues përfshin një listë shumë të gjatë në shumë vende të botës, mbi 1100 vepra të peizazhit natyralistik (kopshte ku njeriu duket se nuk ka bërë asgjë).
Ndër këto vepra të gjalla të Pietro Porcinait është edhe vepra e tij e parë e realizuar në vitin 1935 në Tiranë (Kopshti i Pallatit Mbretëror).
Veç një numër të madh monomesh të gjelbra në mbarë botën, Porcinai ka lënë edhe mjaft botime profesionale, libra, udhëzues praktikë, ese të vlefshme të cilat sot kanë gjetur përdorim në projektet e parqeve dhe lulishteve.