Shqipëria mes Italisë dhe Jugosllavisë, më 1927
SITUATA – NË VITIN 1926, SHQIPËRIA KISHTE NJË STABILITET POLITIK PREJ PAK MË SHUMË SE NJË VITI. SHQIPËRIA NIS BISEDIMET PËR NJË SERI MARRËVESHJESH ME ITALINË. NËNSHKRUHEN KONTRATA TË RËNDËSISHME KONCESIONARE DHE NË SHKURT 1927, NËNSHKRUHET KRYEMARRËVESHJA: TRAKTATI ITALO-SHQIPTAR I MIQËSISË DHE SIGURISË
TRAZIRAT – TRAKTATI SHKAKTOI SHQETËSIME TË MËDHA NË BEOGRAD. GAZETAT E BEOGRADIT E KONSIDERONIN ATË SI EKUIVALENT TË ANEKSIMIT TË BOSNJËS NGA AUSTRO-HUNGARIA MË 1908, NJË NGA HAPAT QË ÇOI DREJT LUFTËS SË MADHE, SIÇ NJIHEJ NË ATË KOHË, LUFTA E PARË BOTËRORE
DEKLARATA – NË VITIN 1921, QEVERITË E FUQIVE TË MËDHA FITUESE TË LUFTËS SË PARË BOTËRORE NËNSHKRUAN NJË DEKLARATË, KU GARANTOHEJ PAVARËSIA E SHQIPËRISË SI PJESË E SITUATËS SË PËRGJITHSHME TË SIGURISË PËR MBRETËRINË E ITALISË
PAVARËSIA E HUMBUR – SOT, DITA E PUSHTIMIT TË SHQIPËRISË NGA ITALIA FASHISTE NJIHET ENDE SI 7 PRILLI I VITIT 1939, POR NË TERMA DIPLOMATIKË, PAVARËSIA U HUMB NË VITIN 1927. SHQIPËRIA PUSHOI SË QENI NJË VEND I PAVARUR POLITIKISHT DHE EKONOMIKISHT
UDHËHEQËSIT – SHQIPTARËT UDHËHEQËS SHFAQEN NË ANALIZËN E STEED SI NJË TURMË NJERËZISH MJESHTËR PËR TË PRANUAR “SUBVENCIONIME” NGA TË HUAJT DHE SHUMË SHPESH, DUKE PRANUAR NGA DY FUQI TË HUAJA NJËHERËSH, PA LIMIT E PA KUFIZIM
Një analizë britanike
Analiza e H. Wickham Steed, më 5 prill 1927, Instituti Mbretëror për Çështje Ndërkombëtare
Dallimet mes Italisë dhe Jugosllavisë në lidhje me Shqipërinë, të cilat shkaktuan ankth të madh tri javë e gjysmë më parë, janë ende të pazgjidhura. Ato janë të vështira për t’u përkufizuar, për shkak se e kanë origjinën nga probleme më të thella se sa çështjet e dukshme. Jo vetëm që këtu kemi të bëjmë me vetë problemin e Adriatikut, por ato prekin edhe perspektivën e paqes në të gjithë gadishullin Ballkanik. Për të diskutuar këtë çështje ne duhet të kemi parasysh natyrën e vërtetë, në rast se duam t’i gjykojmë qartë, qoftë në raport mes vetes, qoftë në raport me politikën e Britanisë.
Para luftës, pra mes viteve 1897 dhe verës së vitit 1914, politika e Italisë në Shqipëri dhe në Ballkan në përgjithësi ishte e qartë. Objektivi ishte të ndalohej çfarëdolloj ndryshimi i dëmshëm për sigurinë e Italisë; ose, në rast ndryshimi, për të siguruar avantazh të përshtatshëm për Italinë, të barabartë me atë që mund të merrte Austro-Hungaria. Edhe para vitit 1897, interesat e Italisë në Shqipëri kanë qenë të gjalla. Crispi, i cili ishte vetë me rrënjë siciliano-arbëreshe, nuk e hoqi kurrë nga vëmendja çështjen shqiptare; dhe, sipas mendimit të tij mbi Aleancën Trepalëshe, kishte një provizion të pashprehur se marrëdhëniet e tolerueshme mes Romës dhe Vjenës kërkonin që Austro-Hungaria të mos kryente ndërhyrje aktive në çështjet shqiptare. Ai shpenzoi para të konsiderueshme për të mbajtur shkolla italiane në Shqipëri dhe – ndoshta – duke subvencionuar disa nga udhëheqësit e klerit katolik në këtë vend. Më kujtohet zhgënjimi që ai pati kur pasardhësi, Marquis di Rudini, pezulloi më 1896, paratë e alokuara për të mbajtur shkollat italiane përgjatë Adriatikut.
Në pranverë 1897, kur kryengritja e Kretës dhe lufta mes Turqisë dhe Greqisë e riktheu çështjen e Ballkanit në qendër të vëmendjes, Austro-Hungaria dhe Rusia, si “dy fuqitë më të interesuara”, nënshkruan një marrëveshje në Shën Petërburg për të ruajtur status quo-në në Ballkan dhe ndanë mes vetes sfera influence. Ballkani Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, ra në sferën austriake. Ndoshta në këtë kuadër, ministri i Jashtëm i Italisë, Marquis Visconti Venosta, ngriti çështjen e Shqipërisë në intervistën e tij me ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë, Kontin Coluchowski në Monza, në shtator të atij viti. Ata shkëmbyen garanci verbale se si Austro-Hungaria ashtu edhe Italia, nuk do të ndërhyjnë në Shqipëri. Më 1900, kur Visconi Venosta ishte sërish në zyrë, këto garanci verbale u konfirmuan përmes shkëmbimit të shënimeve të shkruara; dhe pas kësaj kjo u konfirmua herë pas here, si për shembull, në takimet mes Coluchowski dhe Signor Tittoni më 1905 dhe në Venecia më 1906. Megjithatë, Italia vijoi të frikësohej se Austro-Hungaria mund të depërtojë vjedhurazi në Shqipëri; dhe praktika e subvencionimit të shkollave të ndryshme e fisnikëve shqiptarë rifilloi. Austria, nga ana e saj, gjithashtu subvencionoi shkolla si dhe klerikë e disa nga kapedanët më me ndikim të vendit. Unë mbaj mend të kem takuar një prelat të rëndësishëm shqiptar që m’u ankua për përndjekjet që kishte pësuar në Vjenë nga shërbimi sekret austriak që e kishte gjurmuar ditë dhe natë.
“Pse ata nuk kanë besim tek unë?”, u ankua ai. “Unë pranoj dhuratat nga Perandori Franc Jozef si provë e vullnetit të mirë kundrejt tij dhe tregoj madje edhe paanësi, duke mos refuzuar dhuratat që ofrojnë italianët dhe nuk ka asnjë arsye që austriakët të më trajtojnë mua si një spiun”.
Duke marrë subvencionime nga dy, apo kur është e mundur, nga tri burime të ndryshme, si dhe duke bërë pak a shumë se çfarë i kërkohej, nuk qenë të paktë dinjitarët dhe kapedanët shqiptarë që treguan paanësi fisnike. Kam dëgjuar, megjithëse kjo histori mua vetë më duket e pabesueshme, se disa madje ia kanë dalë të nxjerrin flori edhe nga ai ekonomisti piktoresk Mbreti Nikolla i Malit të Zi. Vetë Nikolla ishte një ekspert në artin e gjetjes së subvencioneve. Për më tepër, ai i deklaroi luftë Turqisë më 1912, një apo dy ditë më vonë se sa aleatët ballkanikë, në mënyrë që të kapë në tempin e duhur Bursën e Parisit para se tregtarët e tjerë më pak të zhdërvjellët të gjenin mënyra për të shfrytëzuar situatën. Ka një proverb shumë të mençur turk për të shpjeguar këtë: kur një shqiptari i thuhet se duhet të shkojë në ferr, ai reagon duke pyetur: “A ka flori atje?”. Ne mund të jemi gjithsesi gabim në rast se dalim në konkluzionin se të gjithë shqiptarët janë të korruptuar të pakorrigjueshëm. Ata thjesht sa shfrytëzonin rivalët për përfitim të vet. Vendi i tyre ka qenë dhe mbetet një vend i varfër. Ari nënkupton armatime dhe municione. Pushkët dhe fishekët nënkuptojnë pavarësi personale dhe mundësi për të mbajtur gjakmarrjen e nderuar apo luftëra të tjera mes fiseve. Imagjinoj se asnjë shqiptar nuk ka ëndërruar kurrë të shesë vendin e tij për para. Por të përfitosh nga qëndrimet e të tjerëve në lidhje me këtë vend, është një çështje tjetër.
Nuk duhet gjithashtu të harrohet se, kur Abdul Hamid u zëvendësua nga Xhonturqit, dhe politikat e tij të mençura u zëvendësuan me skemën fanatike të “turqizmit”, Shqiptarët u ngritën menjëherë. Qe pikërisht përpjekja e xhonturqve për të “turqizuar” shqiptarët përmes dhunës dhe masakrimit që solli me të vërtetë aleancën ballkanike dhe Luftën Ballkanike të vitit 1912.
Ndërkohë, marrëdhëniet mes Austrisë dhe Italisë qenë acaruar gjithnjë e më shumë dhe frika e italianëve për të ardhmen e Shqipërisë ishte e konsiderueshme. Agjentët e Austro-Hungarisë qenë shumë të zënë me punë nëpër malësitë e Shqipërisë gjatë atyre viteve; dhe, megjithëse unë dyshoj se ushtarakët e Austro-Hungarisë kanë qenë ndonjëherë aq budallenj sa të besojnë se interesat e vendit të tyre mund të plotësohen përmes pushtimit të një vendi kaq të vështirë, ata qenë natyrisht shumë të interesuar për të shtypur lëvizjen jugosllave, ose, siç quhej në atë kohë, lëvizjen panserbe, duke përdorur armët për të zgjidhur llogaritë me Nikollën e Malit të Zi, i cili po lajkatonte me shqiptarët ashtu si edhe me Italinë. Në punimet e Konferencës së Ambasadorëve që u zhvillua në Londër më 1912-‘13, Shqipëria ishte një çështje e rëndësishme. Pavarësia u shpall në Vlorë gjatë Luftës së Parë Ballkanike më 28 nëntor 1912. Tri javë më vonë, Konferenca e Ambasadorëve ra dakord në parim për autonominë e Shqipërisë. Kufijtë e vendit u caktuan me përafërsi dhe William Wied u përcaktua si princ. Një pikë e rëndësishme në përcaktimin e kufijve të vitit 1913 ishte se, me kërkesë të Italisë, ishulli i vogël i Sazanit, i cili kontrollon hyrjen në Gjirin e Vlorës, iu caktua Shqipërisë. Ai ka qenë pjesë e ishujve të Jonit dhe i ishte transferuar Greqisë më 1864 në kontekstin se duhet të mbetet neutral. Gjiri i Vlorës, duhet thënë se është gjiri i vetëm i mirë i Shqipërisë.
Pas shpërthimit të Luftës së Madhe më 1914, Princi i largua nga Shqipëria, e cila u kalua nga forcat serbe gjatë tërheqjes së tyre të famshme më 1915-n dhe shpartallimit nga austriakët në vitin pasardhës. Italia, gjithsesi pati zbarkuar një bateri detare në Sazan në tetor 1914, shtatë muaj para se ajo të hynte në luftë dhe në Traktatin Sekret të Londrës më prill 1915, ajo i detyroi Aleatët të njohin sovranitetin e saj mbi Vlorën dhe Sazanin. Ata mbetën me të vërtetë nën pushtimin italian deri më gusht 1920, kur një kryengritje anti-italiane shpërtheu në rrethinat e Vlorës. Lëvizja solli nënshkrimin e Traktatit Italo-Shqiptar të Tiranës më 2 gusht 1920, ku Italia njohu Pavarësinë e Shqipërisë, evakuoi Vlorën dhe tokën shqiptare por, – ndoshta përmes ndonjë marrëveshjeje të fshehtë – mbajti pushtimin e Sazanit.
Pjesërisht si pasojë e njohjes së pavarësisë, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve, si një shtet i pavarur më dhjetor 1920.
Në fund të qershorit 1921, kur çështja shqiptare erdhi para Konferencës së Ambasadorëve në Paris pas luftës për përcaktim final, posedimi i Sazanit nga Italia hapi debate të mëdha. Vetëm në nëntor 1921, konferenca përcaktoi statusin e Shqipërisë së pavarur dhe formoi një komision për delimitimin e kufijve të saj në bazë të vendimeve të marra nga Konferenca e Ambasadorëve më 1913, e cila ia kishte dhënë Sazanin Shqipërisë. Për rrjedhojë, ndërsa pozicioni i Sazanit nuk u përmend në mënyrë eksplicite në vendimin e vitit 1921, duket se, i pushtuar apo jo nga trupat italiane, ishulli në të vërtetë është pjesë e territorit të Shqipërisë.
Kur marrim në shqyrtim marrëdhëniet aktuale të Italisë me Shqipërinë, tri dokumente, që të gjitha të regjistruara te Lidhja e Kombeve, kanë rëndësi të madhe. E para është Deklarata e qeverive të Britanisë, Francës, Italisë dhe Japonisë që u nënshkrua në Paris më 9 nëntor 1921, në të njëjtën ditë kur Konferenca e Ambasadorëve fiksoi kufijtë e Shqipërisë në përputhje me vendimin e Konferencës së Londrës, pra duke përfshirë Sazanin në territorin shqiptar. Kjo Deklaratë njohu pavarësinë e Shqipërisë dhe e konsideroi integritetin e kufijve të saj tashmë të saktësuar, si çështje me rëndësi ndërkombëtare. Dhunimi i tyre apo dhunimi i pavarësisë së Shqipërisë përbën një kërcënim për sigurinë strategjike të Italisë. Deklarata thotë se Shqipëria është e lirë të kërkojë ndihmë të huaj para Këshillit të Lidhjes së Kombeve në rast se nuk është në gjendje të ruajë integritetin e saj territorial. Deklarata thotë më tej se, qeveritë e Britanisë, Francës, Italisë dhe Japonisë, në rast se Shqipëria kërkon ndihmë te Lidhja, do të instruktojnë përfaqësuesit e tyre të rekomandojnë se rivendosja e kufijve të Shqipërisë duhet t’i besohet Italisë. Deklarata shton se në rast se Shqipëria dështon të bëjë një thirrje të tillë drejtuar Lidhjes brenda një kohe të arsyeshme, “në rast kërcënimi të pavarësisë territoriale të Shqipërisë apo integritetit ekonomik të lindur nga një agresion i huaj apo nga çdo formë tjetër”, qeveritë nënshkruese do ta ngrenë vetë çështjen për dijeni të Lidhjes së Kombeve dhe do të instruktojnë përfaqësuesit e tyre të veprojnë sipas klauzolës së sipërpërmendur në rast se Këshilli do ta konsiderojë ndërhyrjen të nevojshme. Në rast se, Këshilli vendos me shumicë kundër ndërhyrjes, qeveritë nënshkruese të Deklaratës do ta ekzaminojnë vetë çështjen në gjykimin e parimit se çdo ndryshim në kufijtë e Shqipërisë përbën një rrezik për sigurinë e Italisë.
E marrë si një manifest politik nga ana e katër qeverive që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Lidhjes së Kombeve dhe referimi që gjoja i bëhet Lidhjes, kjo deklaratë është një largim i jashtëzakonshëm dhe i paimagjinueshëm nga parimet e Lidhjes. Duke parë këtë Deklaratë, ndoshta nuk duhet të duket habitëse se pse palët nënshkruese janë disi nguruese për të ngritur mosmarrëveshje mes Italisë dhe Jugosllavisë mbi Shqipërinë para Këshillit të Lidhjes.
Dokumenti i dytë me rëndësi të madhe është Traktati i Miqësisë dhe Sigurisë i nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë në Tiranë më 27 nëntor 1926. Preambula e saj thotë: Me synimin për të forcuar marrëdhëniet e ndërsjellta të miqësisë dhe sigurisë, siç reflektohet edhe nga pozicionet gjeografike dhe për të kontribuuar për konsolidimin e paqes; të vendosur nga dëshira për të mbajtur status quo-në politike, juridike dhe territoriale të Shqipërisë brenda kuadrit të traktateve që të dyja palët kanë nënshkruar dhe në përputhje me Konventën e Lidhjes së Kombeve:
Qeveritë e Shqipërisë dhe Italisë kanë rënë dakord të nënshkruajnë Traktatin aktual, si më poshtë:
-
Shqipëria dhe Italia pranojnë se shqetësimi i çfarëdolloj ndaj status quo-së aktuale politike, juridike dhe territoriale të Shqipërisë është në kundërshtim me interesat politike të palëve.
-
Në mënyrë që të mbrohen interesat e sipërpërmendura, palët nënshkruese ndërmarrin t’i japin njëra-tjetrës mbështetje dhe bashkëpunim të përzemërt të ndërsjellë, dhe të mos nënshkruajnë me Fuqi të tjera politike apo ushtarake që kanë paragjykime ndaj interesave të palës tjetër kontraktuese të përcaktuar në këtë traktat.
-
Palët e larta kontraktuese marrin përsipër t’i nënshtrojnë një procedurë paqëtimi apo arbitrimi çështjeve që mund t’i përçajnë ato dhe që mund të kenë mbetur pa zgjidhur përmes metodave të zakonshme diplomatike. Format dhe procedurat e zgjidhjeve paqësore do të përcaktohen në një konventë të posaçme që do të përfundohet pa vonesa.
-
Kohëzgjatja e Traktatit aktual do të jetë për pesë vjet dhe mund të denoncohet ose rinovohet një vit para skadimit.