Albspirit

Media/News/Publishing

Spiunia angleze, mikeshë e Lef Nosit

Sekretet e zonjës Hasluck

“GRUAJA JONË NË SHQIPËRI: JETA E MARGARET HASLUCK, AKADEMIKE DHE SPIUNE”. KY ËSHTË LIBRI QË STUDIUESI BEJTULLA DESTANI I KA KUSHTUAR NJË PREJ FEMRAVE MË TË NJOHURA TË SPIUNAZHIT ANGLEZ, I CILI PRITET TË DALË SË SHPEJTI NGA QENDRA PËR STUDIME SHQIPTARE NË LONDËR

Margaret HasluckKur Margaret Hasluck udhëtoi drejt Shqipërisë nuk e mendonte se nuk do ta harronte kurrë këtë vend. Anglezja me sytë e mëdhenj të zezë dhe flokët që i mbante gjithnjë nën qafë, mendonte vetëm diçka teksa bënte gati rrobat për të mbërritur në vendin që e kishte njohur vetëm përmes letrave, “të mund të harronte kujtimin e të shoqit”. Ishte vetëm 38 vjeç dhe burri me të cilin kishte kaluar momentet më të bukura të dashurisë kishte vetëm tre vjet që ishte ndarë nga jeta për shkak të tuberkulozit. Kjo humbje e kishte ndryshuar Margaret. Vajza që dashuronte librat, tashmë kishte zgjedhur si shpëtim prej dhembjes studimin. Vendet e reja, dhe kërkimet shkencore u bënë një si një motiv për të ecur përpara. Dhe Shqipëria nuk ishte e panjohur për të. Ferderick Hasluck burri me të cilin ajo u martua më vitin 1912, dhe që për vite me radhë drejtoi shkollën britanike të Athinës, e kishte pasur Shqipërinë shpesh pjesë të studimeve. Në tryezën e tij të punës, Margaret kishte lexuar disa histori, për vendin që ndodhej shumë pranë Greqisë, dhe të cilin ajo do ta vizitonte vetëm kur Ferderik nuk do të ishte më pranë saj. Ajo mbërriti në Shqipëri në vitin 1923 dhe u vendos për të jetuar në qytetin e Elbasanit. Gruaja që vishej plot stil, dhe që dinte të fliste bukur jo vetëm për letërsinë angleze, e cila pëlqente bisedat me njerëzit, dhe kërkonte të eksploronte gjithçka të panjohur të atij qyteti do të bëhej shumë shpejt pjesë e kastës intelektuale të asaj kohe. Në rrugicat e ngushta të kalasë apo në rrugët që zgjaten tej në bulevardin kryesor të qytetit, ajo do të shëtiste shpesh mbrëmjeve me një burrë, që do të gjente tek anglezja, një bashkëbiseduese të veçantë, të cilën do të donte ta takonte shpesh për të ndarë mendimet e tij. Ky burrë ishte Lef Nosi, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, patriot, arkivist, folklorist, etnograf e politikan… Miqësia e tyre do të ishte shumë e veçantë, aq sa kur vite më vonë Margaret u detyrua ta linte Shqipërinë, vetëm diçka kishte në mendje, “fatin e mikut të saj”. Janë pafund letrat që ajo shkroi me të, dhe i ruajti me kujdes në shtëpinë e saj. Po, ashtu dhe letrat që Nosi i shkroi mikes së tij… Në kujtimet e Margaret nënvizohet se “pa përkrahjen e Lef Nosit nuk do të mund të kishte nxjerrë në dritë shkrimet e saj”. Studiuesi dhe historiani Bejtullah Destani prej kohësh ka qenë i tërhequr nga personaliteti i Margaret Hasluck. Pas një pune kërkimore ai ka bërë gati një libër kushtuar figurës së saj “Gruaja jonë në Shqipëri: Jeta e Margaret Hasluck, akademike dhe spiune”, i cili pritet të botohet këtë vit në Londër. Në të, sipas Destanit përfshihet gjithë aktiviteti i Hasluck si studiuese, dhe kontributi i saj për Shqipërinë, si dhe puna si informatore e anglezëve. Margaret Hasluck ka qenë një nga agjentet më të besuara dhe aktive të anglezëve në Shqipëri. Emri i saj gjendet poshtë shumë dokumenteve të asaj periudhe, apo në kujtimet e oficerëve britanikë që operuan në Shqipëri. Libri është i bazuar në dokumente të gjetura në arkivat e Londrës, dhe shkrime të kohës, të cilat e bëjnë më të plotë portretin e anglezes që jetoi gati 16 vjet në vendin tonë. Po kush është jeta e Hasluck? Margaret Hasluck u lind në vitin 1885 në një familje fermerësh. Ajo u bë një nga ekspertet më të njohura të botës perëndimore për popullin dhe kulturën e Shqipërisë. Librat e shkruar prej saj bazohen në përvojat e drejtpërdrejta në Shqipëri dhe ende konsiderohen ndër veprat më të arrira akademike. E lindur në Skoci, Margaret u shndërrua në një heroinë në atdheun e saj të ri, ku thërritej “anglezka”. Në një kohë kur të pakta qenë femrat që pranoheshin në botën akademike, Margaret Hasluck studioi për letërsi klasike në Universitetin e Aberdinit dhe u diplomua në vitin 1907. Më pas, ajo vendosi të vijojë studimet në Kembrixh. Ndonëse përfundoi studimet me sukses, ajo nuk mori tjetër diplomë pasi deri në vitet ’20 Kembrixhi nuk u jepte diploma femrave. Megjithatë, Margaret do ta shuante etjen për studime të mëtejshme. Ajo shkoi në Greqi për të studiuar arkeologji në Shkollën Britanike të Athinës, gjë që i dha asaj mundësinë të merrte pjesë në gërmime arkeologjike në Turqi. Periudha e saj në këtë shkollë pati një ndikim të thellë në jetën e saj. Atje ajo është njohur me bashkëshortin e saj të ardhshëm, drejtorin e shkollës, Frederick Hasluck, me të cilin ajo u martua në vitin 1912. Frederick Hasluck tregonte interes të veçantë për kulturën shqiptare dhe kishte botuar kërkime mbi bektashizmin (një version jokonformist i Islamit që referohet edhe si feja e katërt në Shqipëri). Mundësitë e tij për t’i thelluar më tej këto njohuri u ndërprenë fatalist, pasi ai u diagnostikua me tuberkuloz dhe vdes në vitin 1920. Margaret fitoi një grant nga Universiteti i Aberdinit për të shkuar në Shqipëri, ku do të ndërmerrte kërkime etnografike duke u bazuar në disa nga shënimet e burrit të saj. U zhvendos në Shqipëri për të studiuar klanet veriore dhe banonte në qytetin e Elbasanit. Ajo mësoi gjuhën shqipe dhe botoi një libër mbi gramatikën e fjalorin e saj. Ndërkohë, në Elbasan Margaret zuri miqësi me intelektualin e mirënjohur, Lef Nosin, i cili i shiti asaj një copë truall ku ajo të ndërtonte një shtëpi. Lef Nosi bashkëpunoi me të për studime të thelluara mbi etnografinë dhe folklorin shqiptar. Margaret u përzu nga Shqipëria në prag të Luftës së Dytë Botërore dhe përfundoi në Kajro, ku u rekrutua nga Operacionet Speciale që do të përdornin ekspertizën e saj për të nxitur rezistencën në Shqipëri. Megjithëse fillimisht ndihej e lumtur ngaqë ofronte informacioneve të shumta, ajo u zhgënjye me zhvillimet e mëvonshme dhe për pasojë dha dorëheqjen në vitin 1944, edhe pse u nderua nga mbretëresha me titullin “MBE” për kontributin e saj. Margaret Haslick u nda nga jeta nga leucemia në vitin 1948. Vepra e saj më e njohur është “Ligji i pashkruar në Shqipëri”, enden shumë nga dorëshkrimet e saj. Sigurisht që edhe të gjithë librat e saj. Gjithashtu në Universitetin e Aberdinit janë ekspozuar shumë objekte nga jeta e saj. Shtëpia që ajo ndërtoi në Elbasan, është tashmë një jetimore. Më 18 qershor 2010, për 125-vjetorin e lindjes së saj, Margaret u nderua me titullin “Qytetare Nderi e Elbasanit” dhe një pllakë përkujtimore u vendos në shtëpinë e saj të dikurshme. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm dhe pjesëtarë të familjes së saj. Alison Brown i Universitetit të Oksfordit në një studim mbi punën e Margaret në Shqipëri, sidomos në Elbasan ku ajo u vendos në afërsi të lagjes “Haxhias”, thotë se ajo u quajt “Englezka” dhe shtëpia e saj edhe sot quhet “Shtëpia e Englezkës”. Sipas Brown ajo ka qenë një koleksioniste e mirë e tekstileve dhe materialeve folklorike që tashmë ndodhen në muzeun Mariskal (Marischal). Koleksionimet e saj u realizuan aty nga mesi i vitit 1921 dhe vazhduan deri në fillim të vitit 1940. Këto koleksione përbëhen nga rreth njëqind objekte.

Letra drejtuar Enver Hoxhës

“Pa Nosin, s’mund t’i përfundoj librat…”

Lef NosiNë vitin 1946, kur Lef Nosi ishte në burg, i kryqëzuar si “Kolaboracionist”, skocezja Margaret Hasluck mori guximin dhe i shkroi një letër Enver Hoxhës për t’i falur jetën Lef Nosit. Në të, ndër të tjera, në letër thuhet: “Jam gati me u-prezantue si dishmitare përpara çdo gjyqi shqiptar për me i kallzue punët e tij, vetëm se edhe nuk u-shërova prej nji sëmundjeje fort të keqe qi më ka ra vjet në Cairo, e doktori nuk më ep leje qi t’udhëtoj…. Guxoj me ju shkrue ashtu, shkëlqesi, si mikesha e Shqipnisë qi jam dëftye gjithmonë, kur të vij në Shqipni, po të më epni leje, do të ju dëftej ca letra prej Shqiptarëve që thojnë se unë jau mora sigurimin zyrtar e indipendencës së Shqipnisë në shendre 1942. Pa zotin Lef s’un plotësoj mirë librat që jam tue shkrue përmbi Shqipninë…. Ashtu ju shkruaj kët letër si private. Në qoftë se do të keni mirësinë me pranue kët lutje, do të jau di për nder gjithmonë. Me nderime të nalta, shkëlqes!

Margaret Hasluck

 

Studimet për punën e Hasluck

Roderick Bailey  professor nga  St. Antonys College i Oksfordit, në librin e tij “Çifti i çuditshëm: Margaret Hasluck dhe operacionet e posaçme ekzekutive, 1942-44”,  kërkon të gjejë arsyet që e mbajtën Margaret gjatë në Shqipëri.

Sipas tij, “ngjizja me Shqipërinë është edhe një faktor tjetër për të parë rrjedhën e saj”. Me dëbimin e saj nga vendi në 1939, ajo vendoset përkohësisht në Skoci. Në 1942, ajo u rekrutua në (SOE), Organizim në Britaninë e asaj kohe që u shërbente Operacioneve Speciale Ekzekutive, një shërbim i forcave sekrete të kohës së luftës. Kjo organizatë e krijuar nga Churchill kishte për synim sipas Bailey për të ‘vënë Europën në flakë’, dhe kështu Hasluck u vendos në komandën e kësaj organizate në Shqipëri. Ky është një angazhim i shkurtër i saj, por shumë i rëndësishëm për jetën dhe veprimtarinë e saj në shërbim të detyrës. Me rëndësi të veçantë ishte edhe ndikimi i bashkëshortit të saj, FW Hasluck, një arkeolog, me të cilin ajo udhëtoi në të gjithë Greqinë. Ballkani, sidomos Shqipëria në atë kohë janë cilësuar si zona me magjepsje të theksuar për elementin femëror, sidomos të grave udhëtare të atij shekulli. Kjo kishte ndodhur më parë me Edith Durham (1863 – 1944) dhe më vonë me Margaret Hasluck (1885 – 1948). Përveç kësaj, duhet theksuar se Shqipëria e asaj kohe ishte edhe një vend interesant për koleksionime të ndryshme. Ajo mblodhi koleksionet e veta dhe e gjithë kjo punë e saj kishte një marrëveshje me autoritetet britanike duke mos ndikuar aspak në antropologjinë e ideologjive apo edhe folklor. Në punën e saj, mësohet se Hasluck ishte frymëzuar nga etnologët dhe folkloristët e saj bashkëkombës AC Haddon dhe Sir William Ridgeway, me të cilët ka punuar në Cambridge gjatë periudhës kur ajo kreu studimet e saj atje.

Please follow and like us: