Albspirit

Media/News/Publishing

Të “argumentosh” punën e pabërë me shkrime mediash

Për fasadën e stadiumit “Qemal Stafa” nuk ka një përgjigje ligjore. Për bazorelievin u thanë vetëm disa opinione nga kryeministri, edhe ato në Facebook, pati një deklarim nga Instituti i Monumenteve që premtonte mbrojtjen, ndërkohë që kreu i qeverisë pranonte prishjen e tij.

Punimet vazhdojnë paralelisht me një kërkesë publike për zbardhje të dokumentacionit që rrjedh nga karta e restaurimeve. Është i vetmi referim ligjor që është përcjellë deri më tani e që nuk ka asnjë përgjigje. Merr tjetër kuptim kjo lloj heshtjeje që pret me siguri inaugurimin e stadiumit të ri me triumfalizmin e “punëve që flasin vetë”, kur sheh se qëllimi i përfaqësuesve shtetërorë kujdeset edhe këtu për imazhin sesa për ligjin. Kërkohet simetria me qëndrimin ndaj prishjeve të Berishës, si mënyrë për të delegjitmuar shqetësimin e ngritur në një protestë të stisur portalesh apo medie. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka preferuar pikërisht këtë, kur përmes një statusi në profilin e vet në “Twitter” sugjeron si argumente një shkrim mbi prishjen e Piramidës dhe të hotel “Dajtit”. Ajo e përshëndet qasjen, duke lënë të kuptohet se zhurma për stadiumin dhe fasadën është krejt pa vend(https://twitter.com/MirelaKumbaro).

Mirëpo tjetër gjë pritet nga një ministre Kulture, e cila mund të na thotë diçka më shumë për aspektin ligjor, për veprimet që kryhen, apo qoftë edhe të japë konferenca online me pyetje përgjigje për të gjithë ata që duan të dinë diçka më shumë. Fundja këtë e bën edhe Presidenti i SHBA-së, pse të mos e bëjë Mirela Kumbaro?

Nuk është as etike, por as dinjitoze që për një çështje që kërkon trajtim serioz të solidarizohesh me shkrime të ndryshme, ta kthesh një temë që debatohet në subjekt të mediave sociale. Kjo nuk përligjet  as nga lodhja e dukshme e qeverisë për të reaguar, por as nga heshtja dhe sofizmat. Fundja edhe prishja e dy objekteve të shkrimit në fjalë është e dënueshme, por fakt është se për Piramidën pati edhe protesta, ndërkohë që për hotel “Djati”, kaluar drejt Bankës së Shqipërisë, nuk pati nga kjo qeveri as hetim, as rishikim dhe as ndërhyrje. Ndoshta si Piramida edhe Dajti, vlejnë më shumë kështu, të rrënuar, pese u kujtohet njerëzve, apo militantëve, gjurma shkatërrimtare e Berishës. Po çfarë lidhje ka kjo xhanëm me Kulturën dhe Ministrinë e Kulturës?

Please follow and like us: