U mbars mali dhe polli një mi: Kushtetuta e re me pamundësi zbatimi
Ashtu siç pritej Presidenti i Republikës ka deklaruar sot zyrtarisht se nuk do të hedhë shortin për Këshillin e Emërimeve në Drejtëi, që duhet të niste sot, pesë ditë nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese. Në një njoftim të posaçëm, zyra e Bujar Nishanit ka sqaruar arsyet ligjore dhe kushtetuese pse e pamundësojnë shortin, duke iu referuar bllokimit që krijon përplasja në afate mes neneve 149 dhe 179 i ndryshimeve të reja kushteuese:
“Dispozitat kalimtare dhe të fundit, në pikën 11 të nenit 179 të Kushtetutës, së ndryshuar, legjislatori ka përcaktuar se Presidenti i Republikës duhet të organizojë shortin në pesë ditë nga hyrja në fuqi e Ligjit, duke bërë referencë nenin 149/d pika 3, ku përcaktohen numri, përkatësia e gjyqtarëve që do të përfshihen në short si dhe kriteri përjashtues i masës disiplinore. Madje, dispozita përcakton se menjëherë pas përzgjedhjes me short, të zgjedhurit do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit sipas përcaktimeve kushtetuese në nenin 179/b nga Komisionet përkatëse, të cilat akoma nuk janë krijuar dhe që referohen në një ligj të posaçëm. Në këto kushte, procesi i përzgjedhjes do të ishte joefektiv, përsa kohë nuk është e qartë se kur do të miratohen ligjet e referuara. Presidenti i Republikës vlerëson se në përzgjedhjen e kandidaturave që do t’i nënshtrohen shortit, është e nevojshme që të merren në konsideratë dhe “kriteret e tjera”, të cilat Kushtetuta në pikën 5 të nenit 149/d i ka referuar në ligjin e posaçëm, i cili akoma nuk është miratuar. Referuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të cituar më sipër, Presidenti i Republikës vlerëson se ndodhemi në rastin e rezervës ligjore absolute, ku norma kushtetuese ia rezervon vetëm ligjit rregullimin e kritereve të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve, të cilët do t’i nënshtrohen shortit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Pavarësisht, se dispozita 179 pika 11 e Kushtetutës së ndryshuar, referon vetëm në pikën 3 të nenit 149/d, ajo nuk mund të interpretohet më vete dhe të anashkalohet pika 5, e cila kërkon detyrimisht “kritere të tjera” për shkallën e kualifikimit të kandidatëve që do t’i nënshtrohen shortit, përveç atij përjashtues të masës disiplinore. Duke marrë në konsideratë që Këshilli e Emërimeve në Drejtësi është një nga organet më të rëndësishme në hierarkinë e organeve të pavarura në drejtësi, Kushtetuta ka pasur si qëllim që të përzgjidhen kandidatët me cilësitë më të larta dhe për të respektuar parimin e kushtetutshmërisë funksionale, çmoj se në mungesë të kritereve të tjera që do të përcaktohen me Ligj, Presidenti i Republikës e ka të pamundur të organizojë shortin dhe aq më tepër të përzgjedhë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Presidentit.
I cili në zbatim të detyrimeve që ka e që rrjedhin nga ndryshimet kushtetuese ka konstatuar këtë absurditet të instaluar në ligjin themeltar nga ekspertët më të mirë. Është padyshim mënyra më e keqe e mundshme për të inuaguar një Kushtetutë të re, por ja që kjo e vërteta e procesit profesional të reformës në drejtësi.