Albspirit

Media/News/Publishing

A jemi vetëm në kozmos?

A jemi vetëm në kozmos? Shkencëtarët thonë se janë më afër se kurrë gjetjes së përgjigjes. Gjatë këtij procesi shkencëtarët kinezë japin një ndihmesë të madhe.

“Ne jemi me fat të jetojmë në këtë erë të re, kur së shpejti pritet të dalë brezi i ri i teleskopëve gjigandë. Me ndihmën e tyre, mbase mund të zbulojmë gjëra befasuese në 10 apo 20 vitet e ardhshëm”, tha Mao Shude, drejtor i Qendrës për Astrofizikën dhe Astronominë pranë Universitetit Tshinghua, në Pekin. Sipas opinionit që njihet gjerësisht në qarqet shkencore, qeniet jashtëtokësore mund të ekzistojnë sepse ka mjaft planetetë ngjanshme me Tokën tonë. Në tërë universin numërohen qindra miliardë galaktika dhe çdo galaktikë përfshin qindra miliardë yje, shumë prej të cilave me sisteme të ngjanshme me atë diellor. Në bazë të këtyre fakteve, Mao vë në dukje se qeniet primitive mund të zbulohen lehtë, por ato intelegjente janë të rralla. Mënyra më e zakonshme për kërkimin e fqinjëve jashtëtokësorë është zbulimi i planetëve të ngjashëm me Tokën, ku ka rrezatim të mjaftueshëm, ujë të lëngshëm dhe një atmosferë mbrojtëse. Mirëpo, kjo mënyrë shpesh vihet në dyshim sepse disa njerëz janë të mendimit se jeta në anë të tjera të kozmosit mund të ndryshojë shumë nga jeta në Tokë.

Lidhur me këtë, shkencëtari Mao thotë se: “Nuk mund të eksplorojmë, pa ditur çfarë qenie po kërkojmë. Të paktën të dimë se kushtet në Tokë janë të favorshme për jetë të ngjashme me të planetit tonë. Prandaj, shkencëtarët kërkojnë planete që ndodhen rreth yjeve si Dielli, duke iu referuar ‘zonës së banueshme'”. “Zona e banueshme” ka të bëjë me distancën nga një yll, ku ka një planet me ujë të lëngshëm. Studjuesi Mao thotë se është më e lehtë të nisemi nga kushtet që njohim dhe të zgjerojmë territorin kërkimor, pasi ekzistojnë shumë enigma ende të pazgjidhura. Gjatë dekadave të kaluara, astronomët kanë identifikuar mbi 3000 planete si ato në sistemin diellor. Por duhet theksuar se pjesa kryesore e tyre janë planete gjigande që përbëhen nga gazi, të cilat janë më të lehta për t’u zbuluar. Në shumë pak prej tyre janë gjetur gjurmë uji apo shkëmbinjsh. Gjatë kërkimit të planeteve të ngjanshme me Tokën, shkencëtarët po “skanojnë” edhe kozmosin për të gjetur sinjale jashtëtokësore me anën e teleskopeve me valë radiofonike, sepse ka mendime se qytetërimet e tjera prodhojnë dhe lëshojnë valë radiofonike, siç kemi bërë ne gjatë evolucionit. Astronomi amerikan Frank Drake është i pari që testoi këtë metodë. Në vitin 1960, ai nisi projektin “Ozma”, një eksperiment pionier për kërkimin e inteligjencës jashtëtokësore. Megjithëse projekti i tij dëshmoi, ai nxiti dhjetëra programe të mëvonshme.

Selektimi i sinjaleve që mund të kenë kuptim nga zhurmat masive harxhon shumë kohë dhe energji. Për këtë arsye Laboratori i Shkencave Hapsinore i Universitetit të Kalifornisë nisi në vitin 1999 projektin SETI@Home, duke u ofruar vullnetarëve kanale të përdorimit të informacioneve të grumbulluara me aparate laboratorike për të gjetur qenie jashtëtokësore. Sipas drejtuesit të këtij projekti, Dan Werthimer, deri tani, rreth 9 milionë vullnetarë dhe astronomë në 226 vende të botës kanë analizuar të dhëna të mbledhura në 15 vjet. Fatkeqësisht ata nuk kanë gjetur asnjë sinjal që mund të konfirmohet si i ardhur nga qytetërimi jashtëtokësor. “Ne kemi filluar të përdorim valët e radios para 100 vjetësh dhe lazerin para 60 vjetësh. Ndaj sapo e kemi nisur këtë përvojë për të eksploruar frekuencat dhe sinjalet që mund të përdoren nga një tjetër qytetërim. Por, lajmi i mirë është se teknologjia jonë po përparon shpejt dhe teleskopi FAST do të jetë shumë më i fuqishëm”, tha z. Werthimer. Teleskopi FAST që u përurua më 4 korrik në thellësinë e rajoneve malore të provincës Guizhou të Kinës Jugperëndimore është radioteleskopi më i madh në botë. Me një “pjatë” kolosale sa 30 fusha futbolli, diametri i FAST-it është 500 metra. Shkencëtarët e përshkruajnë atë si një “vesh” super të ndjeshëm që mund të kapë mesazhe nga valë shumë të dobta radiofonike, nga fqinjët e njerëzimit. Werthimeri po kërkon bashkëpunim me astronomë kinezë për të zhvilluar një program të SETI@home në bazë të teknikave të FAST-it. “Megjithëse nuk dimë kur mund të gjejmë jashtëtokësorë, mbase pas 1000 vjetësh ose vitin tjetër, FAST-i na jep shpresë për të shpejtuar zbulimin e qiellit”, shtoi ai.

Ndërsa, shkencëtarët kinezë po marrin pjesë në projektin SKA, për ndërtimin e multi-radio teleskopëve në Australi dhe Afrikën e Jugut. Kërkimi i jetës jashtëtokësore është edhe një ndër programet kryesore studimore të këtij projekti. Megjithëse gjatë gjysmëshekullit të kaluar nuk është gjetur ndonjë informacion që mund të vërtetojë ekzistencën e jashtëtokësorëve, komunikimi me ta shpesh vihet në dyshim. Astrofizikani i famshëm britanik Stephen Hawking ka paralajmëruar se komunikimi me alienët mund të bëhet një kërcënim për jetën mbi Tokë. “Nëse ata na vizitojnë, pasojat mund të jenë si ato të Kolombit kur shkeli tokën e Amerikës, çka nuk është pozitive për banorët e planetit tonë “, u shpreh ai.

Please follow and like us: