AKTORI SHQIPTAR: SI PËRFUNDOVA NË ‘PEOPLE’S MAGAZINE’ ME ANGELINA JOLIE
“Mireseerdhet ne Hollivud! Cila eshte endrra juaj? Te gjithe vijne këtu, ky është Hollivudi, toka e ëndrrave. Disa realizohen, të tjera jo, mos hiq dorë nga ëndrra, ky është Hollivudi. Ka gjithmonë kohë për të ëndërruar, prandaj ndiqni ëndrrat!”. Epilogu i filmit “Pretty Woman”, fillimviti ’90, nuk ishte vetëm për të treguar fatin e Hirushes moderne, më shumë se çdo gjë ishte një “fiction” për të kthyer besimin tek ëndrrat për t’i ushqyer. Me gjithë utopinë, “realitete” të këtij lloji të tregonin se së paku ke lirinë për të ëndërruar.
Në kohën kur bota entuziazmohej e shpresonte të ishte brenda Lotus Esprit-it të Eduardit (Richard Gere), Xhuliano Ujka sapo kishte lindur. Sigurisht, nuk kuptonte as këtë e as arsyen se pse familja e tij, për shkak të vështirësive të njëllojta që kishin njerëzit atyre viteve, ishte e detyruar të emigronte e të largohej nga Shëngjini në kërkim të një jete më të mirë. Vitet e para të shkollimit i kaluan jo pa e ndier trysninë e familjes për zgjedhjen e madhe që duhet të bënte më vonë.
Mjek apo avokat? Mbase i ndikuar nga e ëma, jo vetëm profesionalisht por edhe prej empatisë së saj, Xhuliano zgjodhi të studionte për Mjekësi në Verona të Italisë. Ndërkaq, kishte qenë gjithnjë djaloshi bukurosh që binte në sy në të gjitha aktivitetet, ca prej baletit e ca prej modelingut kishin nisur ngacmimet nga “bota tjetër”, jo ajo që kishte zgjedhur të studionte. Ishte gjithnjë me njërën këmbë jashtë, sado që librat shkencorë po shtoheshin në dhomën e studimit.
“U rrita me qëllimin për të qenë i dobishëm për komunitetin, ashtu siç kisha parë time më e tim atë të ishin për njerëzit, shpeshherë duke rrezikuar edhe veten e tyre. Doja të kisha pikërisht forcën e saj, që nuk merrte parasysh asgjë nëse ishte duke bërë diçka të mirë. Kjo të bën të kuptosh që në moshë të vogël gjërat e rëndësishme në jetë”. Mirëpo, këto shërbyen vetëm për ta formuar karakterialisht, sepse, nga sa u pa më vonë, mjekësia nuk mund të ishte e ardhmja e tij! Ndërpreu studimet e Mjekësisë dhe u largua për në Los Anxhelos, ku frekuentoi për një vit Nju Jork “Film Academy” dhe pas kësaj u bë pjesë e “The Groundlings”.
“Kohët e fundit kam marrë pjesë në filma të ndryshëm. Disa prej tyre janë vendosur të paraqiten në ‘Netfilix’ nga janari i 2017. I pari është drama ‘Trip House’, një histori që zhvillohet në 1970, në Los Anxhelos e që flet për një doktor me probleme mendore, por në një mënyrë u vjen në ndihmë njerëzve ‘të humbur’, pa qëllime e motive. Filmi tjetër, komedi e jashtëzakonshme, ‘Cosplay Universe’, me një pafundësi personazhesh komikë të moshave të ndryshme. Një nga legjendat e Hollivudit, Stan Lee, merr pjesë në këtë projekt, i cili do të transmetohet gjithashtu në ‘Netflix’.
Aktualisht po punoj për realizimin e një komedie televizive, që bazohet thuajse tërësisht në ngjarje të vërteta. Gjithashtu kam një skenar të shkruar që zhvillohet në Shqipëri rreth dy të rinjve, që gjejnë njëri-tjetrin në rrethana të paimagjinueshme dhe që nga instinktet primare të mbijetesës dhe impulsit ‘vrit ose je i vrarë’ arrijnë të krijojnë një raport ku sjellin dhe një herë te njëri-tjetri aftësinë e ‘njeriut’ për t’u kujdesur për atë që do. Që në janar të këtij viti jam në kërkim produksioni në Shqipëri sepse do të doja ta xhiroja në Shqipëri dhe ta paraqes në ‘Oscar’”.
Xhuliano Ujka e ndoqi ëndrrën e tij dhe ka ndërmend t’i shkojë deri në fund. Rrugës, përveçse po shijon gjënë që donte të bënte, po prek edhe yjet që bënë Hollivudin, po punon e po mëson prej tyre. “Projekti i parë me famë që kam marrë pjesë ka qenë ‘Beverly Hills Christmas’, që doli në dhjetor të 2015. Aty kam pasur nderin të punoj me një nga ikonat e kinemasë amerikane, John Savage, i cili ka punuar me emra si Robert De Niro, Meryl Streep në ‘The Deer Hunter’ dhe ‘The Godfather’ me Al Pacino. Kam pasur fatin të takoj edhe vetë disa nga aktorët e famshëm. Në nëntor të 2015, në festivalin AFI pata fatin të takoja Angelia Jolie dhe Brad Pitt, kur ajo po paraqiste filmin ‘By the sea’.
Angelina ka qenë idhulli im i përhershëm, karriera e saj më ka frymëzuar gjithmonë. U takuam dy herë në të njëjtën ditë. Përfundova në ‘People’s Magazine’ me të. Të tjerë emra që kam takuar janë Ryan Gosling, Selena Gomez, Johnny Depp, si dhe kam një marrëdhënie shumë të mirë me Mickey Rourke”. Fatit hapi derën, lista nuk mbaron me kaq. Përgjatë dy viteve që studioi në NYFA, Ujka pati mundësinë të marrë mësime nga Al Pacino e J.K Simmons.
Në shkollën tjetër ku do të studionte më vonë janë shkolluar idhujt e tij, komediania e famshme Lisa Kudrow, Kriten Wig, Jack Black, etj… Ëndrra vazhdon! Në të ardhmen, Xhuliano synon të bëhet pjesë e “Actors Studio” dhe, nëse do të ëndërronim deri në minutën e fundit të mëngjesit, të fitojë një “Oscar”! Ky është Hollivudi! Ndiqni ëndrrat…