Albspirit

Media/News/Publishing

Armina Mevlani: Nuk përlyhem me politikë 

armina mevlani

“Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet”, – ka thënë dikur Oscar Wilde. Ajo nuk mund të fshihet e as të zhduket. Edhe nëse ikim larg, në një vend ku nuk na njeh askush, përsëri nuk lirohemi dot prej saj, pasi jemi vetë ne që e bartim me vete.

Aq më tepër nëse flasim për të kaluarën e dikujt, në një vend të vogël e fjalëshumë si Shqipëria. Për Armina Mevlanin duket se gjithçka shkruhet përbën interes publik e poltik. E teksa shkrimet për të tashmen e saj vazhdojnë të botohen përditë, dikush ka kthyer sytë e duart për të rrëmuar në të shkuarën e saj, për të cilën ajo ka qenë gjithmonë e hapur. Por edhe nëse bukuroshja e modës nuk e ka ditur në fillim se edhe kundër vullnetit të saj do e bëjnë pjesë të vorbullës politike, tanimë me siguri ajo e ka mësuar dhe pranuar. Ndoshta për këtë arsye flet me kaq lirshmëri e vetëbesim.

Kërkuam prej Arminës ca përgjigje për pyetje që i kishim në kokë, që i lexuam nëpër artikuj e komente… Ajo na i dha të gjitha, fare thjeshtë, me thjeshtësinë e një njeriu që thotë të vërtetën.

Si ka nisur e po mbyllet vera e këtij viti për Arminën?

Në fakt ka nisur me impenjime pune, por kam gjetur edhe mundësinë të shkëputesha pak ditë pranë mikeshave të mia, familjes sime dhe gjithashtu familjes së Zenit. Për mua ka shumë rëndësi puna, por edhe njerëzit e zemrës janë shumë të rëndësishëm, ndaj mundohem të gjej kohë për ata.

Cili është vendi më i bukur që ke vizituar? Ku dhe kur je kënaqur më shumë?

Këtë verë vendi më i bukur dhe që nuk e kisha vizituar më parë ishte Kroacia. Për t’u kënaqur, kënaqem kudo, mjafton të kem afër shoqëri të mirë.

Ti je vajzë e bukur. A ke dhe ti dilema si të tjerat kur del ditën e parë me bikini?

Shumë faleminderit! Si çdo vajzë dhe unë kur vjen koha e bikinit mundohem më shumë në palestër dhe tregoj pak më shumë kujdes me ushqimin. Pjesa e dilemës së bikinit mendoj se është pjesë e pandashme e çdo vajze (qesh).

Po në Shqipëri, bëni plazh në çift? Ju shohin çuditshëm pushuesit?

Kemi bërë plazh në jug të Shqipërisë disa herë, madje edhe në Lalëz. Shikimet janë të pashmangshme kur je person publik, por unë jam mësuar me to.

Këtë periudhë është folur shpesh për kohën kur ishe vetëm. Pushimet e atëhershme ku i kaloje?

Në fakt nuk e di pse njerëzit kanë dëshirë të flasin për të shkuarën, por edhe unë i kujtoj pushimet e mëparëshme me shumë nostalgji pasi përveç pushimeve familjare që bëja çdo vit, ne kemi qenë një grup shoqesh që gjithmonë, çdo vit, në gjimnaz, shkëputeshim për të bërë pushime diku jashtë si: Milano, Barcelonë, Madrid, Turqi, Greqi dhe mund të them me plot gojën janë kujtime të paharrueshme. Prindërit i kam pasur si shokë dhe ata gjithmonë më kanë mirëkuptuar kur ka qenë fjala për liri dhe pushime me shoqërinë, sepse e vërteta është që kam pasur një shoqëri shumë të mirë, jemi rritur bashkë.

Është e vërtetë se ke qenë e varfër? Sa ka ndryshuar jeta jote nga ana materiale pas lidhjes me djalin e ish-Kryeministrit?

Të jesh i varfër nuk është antivlerë, megjithatë unë nuk kam qenë dhe nuk jam ndjerë kurrë e tillë. Kam qenë fëmijë i vetëm dhe falë prindërve që punonin shumë, me punë dhe projekte që justifikonin kërkesat tona familjare, nuk më ka munguar gjë në raport me dëshirat që kam pasur. Kjo është ajo që unë do t’ia di përjetësisht prindërve të mi për faleminderit… Ne kemi qenë një familje normale, prindërit e mi bënin punë të ndershme dhe kanë qenë të suksesshëm në sferat e tyre. Jeta ime ndryshoi në vitin që unë u shkëputa prej tyre dhe fillova punë vetë në një revistë mode pasi doja që të isha e pavarur ekonomiksht dhe po atë vit fimosa kontratën e “Birra Tirana”, e cila ishte një shumë e majme. Shkëlzeni erdhi në jetën time vite më pas dhe sigurisht edhe ai si partner më mbështet çdo ditë në punën time.

Armina si i përgjigjesh këtyre akuzave? A të kanë lënduar ato, apo rreshtat në artikujt që lexon për veten? Përse mendon se të sulmojnë?

Së pari une nuk kam lexuar akuza, por ofendime vulgare me gjuhë rruge. Injorimi është mënyra e duhur për t’u përgjigjur. Nuk më lëndojnë, sepse janë shpifje të mbushura me mllef dhe aspak të vërteta. I kuptoj ata që vënë emrin poshtë këtyre shkrimeve të porositura pasi është më e thjeshtë ta fitosh bukën e gojës duke shitur emrin. Arsyet e sulmit janë politike për shkak të lidhjes sime me Shkëlzenin, por unë nuk kam ndërmend as të përlyej njerëzit e mi e as të përlyhem vetë në shpifjet e politikës. Kam zgjedhur një rrugë tjetër dhe askush nuk më tjetërson dot.

Çfarë planesh ke për në shtator? Do të të shohim sërish në televizion?

Planet janë të shumta, dedikuar blogg-ut dhe kontratave për blogg-un. Do kemi projekte të reja, por nuk dua t’i publikoj tani pasi është ende herët. E reja më e fundit është aplikacioni që lançohet këtë javë “Rebel Heart” dhe mund të shkarkohet nga çdo celular. /RevistaWHO

Please follow and like us: