ARRSH, 1 mld lekë për mirëmbajtjen 1-vjeçare për tunelin e Krrabës
Tuneli i Krrabës vazhdon të rëndojë xhepat e taksapaguesve. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një procedurë prokurimi me vlerë 1 miliardë lekë të vjetra për mirëmbajtjen njëvjeçare për këtë tunel. Sipas dokumenteve, prokurimi është për shpenzime mirëmbajtje, kontrata e re për vitin 2016.
Nga dokumentet e tenderit, që zotëron gazeta “Shqip”, thuhet se objektivat parësorë të qeverisë në sektorin e transportit janë zhvillimi i korridorit të 8-të Pan Europian, Korridorit Lindje – Perëndim, Korridori Veri – Jug, si dhe aksin Durrës – Kukës – Morinë që lidh Kosovën me Durrësin dhe detin Adriatik. “Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës nëpërmjet Ministrisë së Financave ka
aplikuar për një kredi tek Banka Islamike për Zhvillim (IDB) për mbulimin e kostos së nevojshme për implementimin e ndërtimit të tunelit te Krrabës ne seksionin rrugor Tiranë – Elbasan, ndërsa segmentet rrugorë para dhe pas tunelit janë financuar nga
Banka Islamike për Zhvillim, Fondi Abu Dhabi për Zhvillim dhe OPEK. Objektivi kryesor që synohet të arrihet me përfundimin e këtij aksi rrugor është që të sjellë një rritje ekonomike rajonale dhe kombëtare duke ndihmuar në shkëmbimin e të mirave materiale me vendet fqinjë dhe krijimin e vendeve të lira të përkohshme dhe të përhershme të punës” thuhet në këto dokumente.
Sipas tyre, në një këndveshtrim më të ngushtë, ky projekt do të ndihmojë në lehtësimin e trafikut ndërmjet kryeqytetit të Shqipërisë dhe qytetit të Elbasanit, e cila konsiston në reduktimin e kohës së udhëtimit, reduktimin e numrit të aksidenteve dhe përmirësimin e sigurisë rrugore.
“Aktualisht ka përfunduar loti 3 – dalje e tunelit të Krrabës – Elbasan, dhe është nën trafik Tuneli i Krrabës. Në drejtimin Tiranë – Elbasan funksionon me të dy korsitë ndërsa në drejtimin Elbasan – Tiranë vetëm me një korsi. Arsyeja e këtij ndryshimi të lëvizjes ndërmjet dy tubave është për faktin e mospërfundimit ende të lotit 1 (Dalje Tuneli Krrabës – Tiranë), duke detyruar kështu drejtuesit e mjeteve qe te ulin shpejtësinë e lëvizjes sipas limitit të vendosur në tabelat e të jenë të përgatitur për situatën mbas daljes nga tuneli se do të lëvizin në një segment që nuk ka përfunduar ende plotësisht” thuhet në dokumentet e këtij tenderi.
Sipas tij, tuneli i Krrabës ka dy tuba. Numri total i korsive është 4 dhe me 2 drejtime trafiku. Sasia e trafikut që lëviz përgjatë tunelit është mesatarisht 7000-8000 mjete në ditë, shifër e cila shumëfishohet në periudha të veçanta.
Zona tunelore e drejtimit Tiranë – Hyrje Tunel, është ende e papërfunduar për shkak të mospërfundimit të lotit 1. Zona tunelore nga dalja tunelit në drejtim të Elbasanit është e përfunduar, por është
akoma nën periudhën e garancisë së defekteve dhe po punohet për përfundimin e disa problemeve që lidhen me defektet ndërtimore, deri në përfundimin e kësaj periudhe.
Në dokumente thuhet se si objektiva themelore të kontraktorit të Menaxhimit të Tunelit, këtej e tutje i quajtur “Menaxheri i Tunelit”, do jetë që të sigurojë mbi të gjitha sigurinë, efektivitetin dhe
eficiencën në punë si dhe operimin sa më ekonomik të tunelit dhe akseseve të tij në përputhje me qëllimet e Direktivës së BE 2004/54/EU mbi kërkesat minimale të sigurisë për tunelet e Rrjetit Rrugor Trans-Europian si dhe Ligjit Nr 158/2013 “Për Sigurinë në Tunelet Rrugorë” në Republikën e Shqipërisë.
Kontraktori duhet të sigurojë mirëmbajtje efektive, cilësore dhe ekonomike për makineritë operuese dhe të gjitha punimet e montimit që janë të domosdoshme për mbarëvajtjen e punës në tunel. Kontraktori duhet të garantojë kostot për gjeneratorët me qëllim furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike, furnizimin dhe vendosjen e çdo makinerie shtesë/zëvëndësuese që mund të nevojitet për ecurinë e shërbimeve në tunel
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), nëpërmjet procedurës së prokurimit sipas LPP-se, ka për qëllim të lidhë kontratë, sipas së cilës kontraktori do të jetë përgjegjës për menaxhimin dhe mirëfunksionimin e tunelit, ambientet përreth tij, zonën tunelore, si dhe mirëmbajtjen e pajisjeve dhe sistemeve të operimit të tunelit. Menaxheri i Tunelit, do të sigurojë shërbimet e kërkuara të menaxhimit/operimit të tunelit dhe shërbimet e kërkuara të mirëmbajtjes dhe funksionimit të pajisjeve të tij në bashkëpunim me ARRSH-në, Strukturat e Policisë, Brigadën e Shërbimit të zjarrëfiksave të Tunelit, si dhe gjithë autoritetet e tjera të përfshira për këtë qëllim.
ARRSH thotë se menaxheri i Tunelit do të sigurojë gjithë shërbimet e kërkuara për operimin dhe menaxhimin e tunelit si dhe mirëmbajtjen e funksionalitetin e pajisjeve të tij gjatë periudhës 12- mujore, madje dhe ndonjë tejzgjatje kontraktuale të kësaj periudhe në rast se do të mund të jetë e nevojshme, si dhe operimet dhe procedurat e dorëzimit ndaj Kontraktorit të Koncesionit sapo ai të përcaktohet në bazë të procedurave.