Albspirit

Media/News/Publishing

Biden: Kosova do të ketë gjithmonë përkrahjen e SHBA

biden-thaqi-170816“Kosova do të ketë gjithmonë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën drejt suksesit”, deklaroi sot në Prishtinë, zëvendëspresidenti i SHBA-ve Joe Biden.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, zv/presidenti Biden tha se “Kosova ka shënuar progres dhe ka marrë njohje më të mëdha globale. Jeni në një pozitë ku bota po ju njeh po ashtu jeni duke bërë përpara nën emrin tuaj dhe duke garuar me flamurin tuaj”.

Duke folur për dialogun me Serbinë, zv/presidenti Biden tha se “duhet të ecet përpara për themelimin e komunave me shumicë serbe, do të jetë i vështirë, por i domosdoshëm”.

“Edhe me Vuçiç folëm gjatë dhe ai e kupton domosdoshmërinë për të ecur përpara, ju keni përgjegjësinë t’u përmbaheni zotimeve që keni dhënë në Bruksel, edhe për marrëveshjet e tjera që jeni zotuar”, nënvizoi Biden.
Pa një gjë të tillë, shtoi ai, nuk arrihet asgjë.

“SHBA do të qëndrojë përkrah Kosovës sepse ne besojme tek ajo. SHBA ka dhënë 2 miliardë dollarë ndihma dhe do vazhdojmë të ndihmojmë më tej Kosovën”, tha zv/presidenti Biden.

Në lidhje me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, zv/presidenti amerikan u shpreh se nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të ketë ndikim pozitiv në rajon.

Mustafa: Vizita e Biden ndikim pozitiv në marrëdhëniet Kosovë-SHBA

Më parë zv/presidenti amerikan Biden u takua me kryeministrin Mustafa. Në takim ishin të pranishëm dhe zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Branimir Stojanoviç dhe ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj.

“Jam thellësisht i bindur se kjo vizitë do të ketë ndikim pozitiv në fuqizimin e mëtejshëm të miqësisë dhe të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Zoti i bekoftë Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, shkruan pas takimit në një postim në rrjetin social Facebook kreyministri Mustafa.biden-mustafa1

Para takimit me kryeministrin Mustafa, Joe Biden u takua në holl të Kuvendit me kryeparlamentarin Kadri Veseli, me të cilin kanë pasur një shtrëngim duarsh.

“I urova mirëseardhjen në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mikut tonë të çmuar, zëvendëspresidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe Familjes së tij. Shtetet e Bashkuara janë sinonim i lirisë dhe pavarësisë tonë. Përgjithmonë”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Biden mbërriti mbrëmjen e djeshme në Kosovë, ku u prit në Aeroportin e Prishtinës me ceremoni shtetërore nga Presidenti Thaçi, i cili i uroi mirëseardhjen.

“Partneriteti strategjik me SHBA-të na ka mundësuar të bëhemi shtet dhe gjithnjë e më shumë po na bën një shoqëri demokratike me mundësi të barabarta për të gjithë”, është shprehur presidenti i Kosovës.

veseli17Ditën e sotme në Prishtinë ka forca të shtuara të Policisë për vizitën e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës, vërehen nëpër rrugët e kryeqytetit, të cilat pothuajse janë të ‘blinduara’.

Ndërsa bashkëshortja e zv/presidentit amerikan Biden, Jill Biden do të shkojë në manastrin e Graçanicës, ku do të takohet me peshkopin Teodosije, si dhe do të vizitojë ambientet e manastirit.

Në pritjen në Aeroport të nënpresidentit amerikan Biden ishte edhe Majlinda Kelmendi, fituese e medaljës së artë në xhudo në “Rio 2016”, të parës medalje olimpike të Kosovës shtet. Trajneri i xhudistes, Driton Kuka ka thënë se nënpresidenti amerikan, Joe Biden i dhuroi Stemën Shtetërore të SHBA-ve kampiones olimpike Kelmendi.Biden-Kosove-16-e-17-gusht-2016-3

Kjo është vizita e dytë e nënpresidentit të SHBA-së, Joe Biden, në Kosovë, pas të parës në 21 maj 2009, pak më shumë se një vit pas shpalljes së pavarësisë, ku është dekoruar me Medaljen e Artë të Lirisë, e cila u jepet personaliteteve të njohura të botës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe për ndërtimin e vendit të lirë të Kosovës, si dhe për integrimin e tij në
bashkësinë e kombeve të lira të botës.

Please follow and like us: