Biden takon presidentin dhe kryeminstrin
Nënpresidenti I SHBA-së Joe Biden, nisi të mërkurën në mëngjes takimet me zyrtarët e lartë të institucioneve të vendit, në vizitën e tij të fundit në cilësinë e nënpresidentit amerikan.
Biden ka takuar kryeminstrin Mustafa dhe një pjesë të kabinetit qeveritar për të vazhduar me presidentin Hashim Thaci.
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka arritur të martën në mbrëmje në Kosovë, pas vizitës disa orëshe në Beograd, ku u takua me zyrtarët e lartë shtetërorë atje.
Nënpresidenti Biden u prit në aeroportin e Prishtinës, nga presidenti Hashim Thaçidhe gjatë ditës do të takohet në Kuvendin e Kosovës me kryeministrin Isa Mustafadhe me presidentin e Kosovës.
Qëndrimi në Kosovë dhe në Serbi i nënpresidentit amerikan vie në një periudhë tensionesh dhe në mungesë të vazhdimit të takimeve ndërmjet palëve, për shkak të problemeve të brendshme me të cilat të dyja vendet janë përballur dhe pas zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi.
Çështja e dialogut me Serbinë dhe përkushtimi në vazhdimësinë e tij pritet të jetë një prej temave që nënpresidenti amerikan Joe Biden do ta diskutojë me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, në takimet e veçanta, pasi të njëjtën çështje e ka hapur edhe në bisedimet me kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiq në Beograd.
Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve vlerësohet si çështja më e rëndësishme që do të ndihmojë edhe stabilitetin përgjithësisht në rajon dhe do të ruajë perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor.
Nënpresidenti Biden pritet që në Prishtinë të diskutojë në veçanti çështjet që ndërlidhen me sundimin e ligjit, posaçërisht me themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, që pritet të funksionalizohet brenda muajsh.
Në takimet me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës pritet që të flitet edhe për shtrirjen dhe përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm dhe përfshirjen e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, që do të ndihmonin në luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit.
Një prej temave themelore pritet që të jetë edhe fuqizimi i institucioneve të Kosovës, por, njëkohësisht edhe aftësia e lidershipit në Kosovë për të çuar përpara proceset e demokratizimit të vendit dhe zgjidhjes së çështjeve të brendshme pa ndikim nga jashtë.
Nënpresidenti Biden viziton Kosovën për herë të dytë, që prej shpalljes së pavarësisë së saj.
Në vitin 2009, një vit pas pavarësimit të vendit, në Kuvendin e Kosovës, pati thënë se tash të gjithë mund të binden se pavarësia ishte dhe mbetet zgjidhja e vetme.
Zyrtarë të lartë shtetëror në Kosovë thanë se kjo vizitë është historike, pavarësisht se zërat e një pjese të opozitës ishin skajshmërisht kritik ndaj tyre dhe kërkuan që nënpresidenti Biden ta adresojë në veçanti çështjen e korrupsionit në vend.
Ndërkohë, James Hooper, ish diplomat amerikan, ekspert për Ballkanin, në një tekst të shkruar enkas për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se liderët e Kosovës kanë nevojë që t’ia shprehin nënpresidentit Biden, i cili do të jetë në detyrë deri më 20 janar, se ata janë në gjendje të angazhohen me SHBA-të në baza strategjike.
“Shkurtimisht, liderët e Kosovës duhet t’iu japin arsye zyrtarëve të lartë amerikanë që janë pjesë e delegacionit për t’u angazhuar me Kosovën në çështje strategjike, në mënyrë që delegacioni të largohet nga Prishtina me bindjen se ka ende përparësi të dyanshme që Kosova të trajtohet si aleat i besueshëm dhe partner i afërt në rajon”, ka shkruar Hooper.
Në Kosovë, ndërkohë është ngritur niveli i sigurisë. Një zëdhënës i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante, si dhe në koordinim të aktiviteteve bashkëvepruese me strukturat e sigurisë së SHBA-së, që janë përgjegjëse për sigurinë e personalitetit, kanë ndërmarrë masa për ngritjen e nivelit të sigurisë gjatë realizimit të vizitës se Joe Biden në Republikën e Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Vizita njëditëshe e nënpresidentit amerikan Biden do të përfundojë me ceremoninë që organizohet kushtuar djalit të tij të ndjerë, Beau Biden, me emërtimin e një rruge në afërsi të kampit ushtarak amerikan Bondsteel, në magjistralen Ferizaj-Gjilan, me emrin e tij. (REL)