Albspirit

Media/News/Publishing

Blendi Fevziu: Kush po i rikthen ligjet e diktaturës?

Të gjitha teoritë politike të botës kanë rënë dakort se në një sistem demokratik, transparenca dhe fjala e lirë jo vetëm e shëndoshin, por edhe e cojnë përpara një shoqëri. Nuk dua të përmend më shumë shembuj në këtë drejtim dhe as dua të kujtoj se cfarë pasojash i ka sjellë këtij vendi mungesa e lirisë. Mungesa e shprehjes dhe abuzimi me të. Por me gjasë, dikush nga deputetët e kuvendit të Shqipërisë, ose ndonjë prej ekspertëve të ligjeve për reformën në drejtësi (shpresoj që nuk është ndonjë prej atyre që kanë hartuar nenin e famshëm 55 në kushtetutën e vitit 1976) duket se mendojnë ndryshe.

Në projektligjin “Për Organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, në nenin 13, pika 3, ka një formulim befasues. Ai thotë:
“Çdo lloj influence e papërshtashme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj”.

Nuk ka asnjë dyshim që neni është krejt halucinant dhe në konflikt të drejtëpërdrejtë me kushtetutën e Shqipërisë dhe me gjithë kushtetutat e vendeve demokratike. Kushtetuta e Shqipërisë, në kapitullin për Liritë dhe të drejtat, në nenin 22 shprehet:
1. Liria e shprehjes është e garantuar.
2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.
3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.

Ndërkohë neni 13 i ligjit të mësipërm i shkel të gjitha këto. Më shumë se me një nen të një vendi demokratik, ai ngjan me nenin famëkeq 55 të Kushtetutës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Nëni i famshëm i agjitacion e Propagandës kundër pushtetit popullor. Dhe agjitacion e propagandë mund të konsiderohej gjithcka. Kështu po ndodh edhe me këtë ligj. Dënohet thotë: influenca e papërshtatshme e njerëzve publikë, mediave etj. Po c’dmth influencë e papërshtatshme!? Nëse dikush shkruan në FB se prokuroria nuk ka punuar mirë për këtë apo atë cështje, a është kjo influencë e papërshtatshme!? Nëse dikush bën një koment në media se është i pabindur me mënyrën se si është ndërtuar një akuzë a është kjo një “influencë e papërshtatshme”? Nëse një person publik, psh ish President apo edhe Deputet është skeptik për hetimet a quhet kjo “influencë e papërshtatshme”?

Së fundit, kush e përcakton cfarë është “influenca e papërshtatshme” dhe kush del garant që ajo nuk do të përdoret si sëpatë kërcënuese mbi cdokënd që shpreh mendimin e tij dhe nuk është dakort me hartuesit e ligjit!? Si mund të jetë një ligj kaq evaziv dhe si ka mundësi që një apo disa ekspertë të hartojnë një nen të tillë!. Si ka mundësi që deputetët e Parlamentit të Shqipërisë të jenë dakort me një nen si ky?! Edhe pse është cinike por ky nen që i mbyll gojën mediave, publikut të thjeshtë e madje edhe rrjeteve sociale ngjan me atë shprehjen e famshme që Malaparte mendonte se ishte filozofia politike e Musolinit: kush nuk mendon si unë është kundër meje. Dhe me këtë nen, kush nuk mendon si ata që ngrenë akuzën, kryen “influencë të papërshtatshme”.

Në vitin 1994, për shumë më pak se sa ky nen, ligji i shtypit u konsiderua kërcënim për lirinë e shtypit në Shqipëri. Sot një shkelje e një parimi universal, sic është liria e shrehjes, po kthehet në ligj. Dhe nëse kjo ndodh, nuk ka faj, as ai hartuese anonim, as ai eksperti që ka futur në xhep ca rroga dhe as ai prokurori që ka frikë se cfarë do shkruajnë njerëzit në Facebook për të. Ka përgjegjësi Presidenti i Shqiperisë, Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, Kreu i Kuvendit Ilir Meta, kreu i Opozitës Lulzim Basha dhe 140 deputetët shqiptarë. Ata që e kuptojnë dhe ata që nuk e kuptojnë fare këtë ligj. Të gjitha bashkë, ata janë vrasësit e një vlerë të patjetërsueshme të demokracisë, të drejtës për të thënë fjalën tënde kur ta mendosh dhe pa frikë./opinion.al/

Please follow and like us: