Albspirit

Media/News/Publishing

Dibra, bastioni i askujt: historiku 25-vjeçar i zgjedhjeve vendore me fitues sa majtas-djathtas

wpid-dscf6223

Skandali i Shukri Xhelilit i ka dhënë Dibrës një shans kombëtar që mund të shërbejë si një test 9 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, apo që për një ditë (edhe ajo e shënuar), më 11 shtator, të jetë nën reflektorët e vendit. Analizat kanë nsur që tani .Disa thonë që është test i rëndësishëm e disa jo, me arsyetimin se Dibra ka qenë dhe është e djathtë.

Në fakt Dibra nuk ka qenë ndonjëherë bastion politik.

Në zgjedhjet e para pluraliste, ato të 31 marsit 1991, Dibra pati një anim majtas duke votuar më shumë deputetë të PPSH-së. Por një vit më vonë, më 22 mars 1992, votoi për të gjithë deputetët e PD-së.

Kur Partia Demokratike ishte në kulmin e saj politik dhe kishte nisur madje të shfaqte dhe arrogancën tipike të pushtetit, vetëm 4 muaj më pas në Dibër fitoi një kandidat i Partisë Socialiste për kryetar bashkie: Kadri Rrapi, një qytetar dibran model, tejet korrekt, aq sa doli të presë edhe Sali Berishën si president kur ai i shkoi për të kërkuar vota në referendumin kushtetues të vitit 1994.

Në lokalet e 20 tetorit 1996, si kudo në Shqipëri përveçse në Shkodër, edhe në Peshkopi fitoi PD-ja dhe kryetar bashkie u zgjodh Mentor Bunguri, i cili bënte rrokadë me postin e kreut të Rrethit që zgjidhej jo me votë direkte. Interesant ishte fakti që Bunguri bënte pjesë në të njëjtin rreth shoqëror me Rrapin, por me shije politike të ndryshme.

Katër vjet më pas, në vitin 2000, kur Ilir Meta ishte kryeministër, zgjodhi një mbështetës së tij, Bajram Krashin, i cili u bë kryetar bashkie duke i rikthyer PS-së Dibrën.

Por pas tre vitesh, në vitin 2003 në Peshkopi fiton zgjedhjet një inxhinier, e që më vonë u shndërrua në gjykatës nga Kursi i Plepave: Ilir Krosi, i zgjedhur nga Partia Demokratike.

Dhe ishte hera e parë që një njeri i ardhur nga fshati, siç ishte pra Krosi, merrte kreun e bashkisë së qytetit.

Krosi rezultoi më i suksesshmi i të gjithëve pasi qëndroi për tre mandate rresht: 2003, 2007, 2011, duke i dhënë Peshkopisë ngjyrën blu të bastionit, por jo atë të një qyteti të mirëmenaxhuar. Nën drejtimin e tij, Peshkopia pësoi një shpërfytyrim të frikshëm urban.

Ndërsa fitoret e Krosit, i dedikohen më tepër lëvizjeve të madhe demokrafike, ku qyteti u mbush me banorë të fshatrave të thella, ndërsa qytetarët ikën në emigracion shumica, por edhe në Tiranë, ku gjen nga një dibran në çdo institucion, kushdo parti të jetë në pushtet.

Për të ardhur në zgjedhjet e vitit 2015, kur nuk u zgjodh vetëm kryetari i bashkisë së qytetit Peshkopi, por i të gjithë Dibrës, krahinës së vjetër, por pa Grykën e Madhe, Grykën e Vogël, Gollobordën dhe Bulqizën që janë bashki më vete: Shukri Xhelili kandidati i mbështetur nga PS-ja.

Shukja, siç njihet tashmë, nuk kishte aspak staturën e paraardhësve, e aq më pak kryetarëve të majtë si Rrapi apo Krashi. Në jetën qytetare, ai kurrë nuk ka gëzuar reputacion për ndonjë meritë të veçantë. Ndërsa vesin që e nxorri nga bashkia, e për të cilin u diskretitua në publik, ia dinin të gjithë.

Xhelili arriti të fitojë me rezultat të ngushtë, pasi humbi thellë në qytet dhe Maqellarë.

Për të  sqaruar më shumë opinionin mbi historinë politike të Dibrës, zona e Maqellarës është bastion i pastër i PD-së dhe ka votuar djathtas edhe më 31 mars 1991.

Në zgjedhjet e 2001, Ilir Gjoni, nip i atyshëm, e mori duke përdorur manovra që iu kthyen më pas PS-së në boomerang.

Peshkopia si qytet nuk ka qenë asnjëherë bastion, por kohët e fundit aty gjen më shumë mbështetës votues të PD-së. Rasti është dhe i zgjedhjeve të 21 qershorit 2015.

Ndërkaq, krahinat përreth Peshkopisë kanë të njëjtat lëvizje tektonike në zgjedhje tek zonat e thella që dikur ishin komuna: Fushë Çidhna mbetet kryesisht bastion i PD-së, Kalaja e Dodës dhe Lura kanë votuar më shumë majtas. Sllova ka pasur lëvizje të dyanshme, ndërsa Zall-Dardha e Reçi mbetet një bastion i përhershëm i së majtës, që madje kanë nxjerrë dikur deputet dhe Paskal Milon e Bregdetit, dora vetë.

Për të ardhur më 11 shtator: votimet bëhen nën efektin “Shuke”, i cili me lapërdharinë e vetë dalë faqe botës, natyrshëm që i ka dhënë një shans PD-së për të fituar më lehtë. Shtuar këtu edhe figurën e rëndë politike të kandidatit të PD-së, Sherefedin Shehu. Por ja që dhe kandidati i zgjedhur nga PS-ja, Muharrem Rama, ose doktor Rrema siç njihet në qytet, gëzon një reputacion të tillë që vështirë t’i refuzohet vota. Dhe përvoja politike e zgjedhjeve në Shqipëri, ka treguar se mjekët gjithnjë kanë fituar…/tesheshi.com/

Please follow and like us: