Drejtësia, mblidhet komisioni i posaçëm
Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi është mbledhur paraditen e së mërkurës për të diskutuar projektligjin që lidhet me “vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i njohur ndryshe si vetingu.
Në mbledhjen e sotme pritet që ekspertët e dy misioneve ndërkombëtare që asistojnë drejtësinë shqiptare, OPDAT dhe EURALIUS, të paraqesin vlerësimet e tyre ndaj propozimeve të opozitës për draftin në fjalë.
Pr/ligji i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë, i konsideruar si më i rëndësishmi i procesit të reformës në drejtësi, parashikon të vlerësojë përgatitjen e tyre profesionale, integritetin moral, si dhe të zbulojë shkallën e pavarësisë në punën e tyre, nga ndikimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe pushtetit politik.
Ky pr/ligj i hap rrugën ngritjes së institucioneve të tjera të parashikuara nga reforma kushtetuese, e miratuar me konsensus në orët e para të 22 korrikut.