Edhe Islami kundër nenin që rëndon mbi gazetarët: Kjo është pjellë e pushtetit të marrëzisë
Në një status në Facebook, deputeti i Partisë Demokratike, Kastriot Islami ka reaguar në lidhje me nenin që parashikohet në ndryshimet kushtetuese për dënimin ndaj gazetarëve deri në tre vjet.
“Jam kundër këtij neni qe godet transparencën dhe vret lirinë e fjalës… Këtij neni antikushtetues e antidemokratik qe kerkon te rilinde dënimin e fjalës se lire dhe te mbroje pushtetin e oligarkeve, banditeve dhe krimineleve…kjo eshte pjelle e pushtetit te marrëzisë dhe nje “vije e kuqe” e cmendurise se rilindjes…Do te jem jo vetem kundër por ne balle te frontit kunder kesaj marrezie…”, shkruan Islami në Facebook. Ndërkohë që në draftin me ndryshimet kushtetuese është edhe një nen që dënon gazetarët deri në 3 vite burg nëse investigojnë punën e SPAK, struktura e prokurorëve që krijohet në kuadër të reformës në drejtësi.
Është pikërisht neni 13 në pikën 3 që thotë se çdo influencë mbi punën e prokurorëve dënohet me burg, përfshirë këtu specifikisht mediat.
Neni 13, pika 3,: “Çdo lloj influence e papërshtashme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj”. Ky nen është kundështuar nga Shoqata e Gazetarëve dhe i ka kërkuar Kuvendit që të mos ta votojë. Nga ana tjetër, reagoi edhe kryetari i PD Lulzim Basha i cili akuzoi Kryeministrin Edi Rama që ka futur në mënyrë të fshehtë këtë nen që burgos gazetarët dhe premtoi se Partia Demokratike nuk do ta lejojë këtë nen.