Albspirit

Media/News/Publishing

Flavio QARRI: Ylli që nuk kemi

Këtë dekadën e fundit që kam qenë brënda showbiznesit shqiptar kam pasur gjithmonë një si prapamendim konstant. Kurdo ka pasur personazhe e me raste edhe VIP-a, por kurrë në këto vite nuk mbaj mend një aktor që të ketë qënë yll. Dikush që të ishte Timo Flloko i ri, apo Çim Xhepa në varësi të shijeve. Apo një Yllka Mujo e re apo larg qoftë një Tinka Kurti. Do thoni ju që janë këta të “Portokallisë”. Le të themi që më bën më shumë për të qeshur ende kur e mendoj, shikimi i vëngër i Hajrie Rondos te “14 vjeç dhëndër”. Akoma më larg ndonjë burrë nëne që të më gajasë si Roland Trebicka. Oh zot, vetëm emri i tij sjell një paradoks lotësh. Ca nga të qeshurat e ca nga trishtimi se ku përfunduan yjet e vërtetë e si nuk mundëm të kemi një piedestal të hajrit për ta. Mendohu pak dhe më thuaj të vërtetën, sa herë e ke parë “Pallati 176”?

Pikërisht!

Këto ditë u nda nga jeta Demir Hyskja. Shumë e “googëlluan” për herë të parë emrin e tij post mortum pasi u habitën nga gjithë ky nderim. Po ku ishte ky më përpara, do thoshte brezi i ri që e mori vesh kur u nda nga jeta, që ne paskemi pasur dhe aktorë të tjerë përveç Blerim Destanit! Meqë ra fjala, vazhdon ta ketë Blerimi të gjithë repertorin e vet të përqëndruar te ai shikimi si gjysëm kaps me vetullat ngritur dhe bashkuar në një miks habie dhe pseudo sensualiteti?

Ylli i ri i aktrimit që nuk kemi është një tjetër dramë e dukshme e jona. Por nuk është faji i Olta Gixharit. As i Nik Xhelilajt. As i Amos Zaharisë. Oh sa shumë janë përpjekur. Por ajo që ne duhet të kuptojmë është që kur arrijmë te momenti që të kemi një STAR, nga pas është një industri e llahtarshme që ka punuar për të e jo vullneti i askujt. E mbani mend eksperiencën jo fort të mirë të Timo Fllokos në Amerikë. E pra! Por kjo mungesë është fytyra e vërtetë e vjedhjes së një kombi. Të vetmit filma që prodhohen janë ato që regjisori e ka ngjyer pak rrotën e Bordit të Kinematografisë. Nga dy filma shqiptarë që prodhohen çdo vit, rrallë të ndodh që regjisori të jetë krenar për punën e tij. I fundit që unë do guxoja të përmendja si film me të cilin mund t’u tregosh miqve të huaj ndonjë gjë është “Lindje Perëndim Lindje” i Xhuvanit. Kanë kaluar mbi 7 vite që nga prodhimi i pelikulës. Ah pastaj është ai tmerri pafund i filmave me temë komunizmin. Oh zot boll! Boll se as Kinostudio e kohës së Enverit nuk prodhonte aq shumë filma për Partinë. Dhe janë 1 milion shqiptarë të rinj që për t’u identifikuar me kohën e një brezi janë të detyruar të hedhin sytë matanë detit. Si ylli polar që nuk e gjetëm në natën e pafundme të tranzicionit…/RevistaWho/

Please follow and like us: