Albspirit

Media/News/Publishing

HAPJA E DOSJEVE – NA ZGJAT JETEN!

Nga Fritz RADOVANI/

 1946 ÇKA THA HAFIZ IBRAHIM DALLIU ?/

■Hafiz Ibrahim Dalliu (1878 – 1952) Në vitin 1946, dënohët mbasi deklaron në hetuesinë e Tiranës: “… Kam dëgjuar ndër stacionet e Amerikës dhe të Londrës lajmet anglisht, mbasi dëshroja që ata të zbarkonin në Shqipëri …

■Ne nuk kemi asnjë lidhje me Lindjen as të afërme dhe as të largët. Nga turqit ne kemi marrë vetëm besimin. Për tjera nuk ka çka na duhët Anadolli… Shqipëria është shtet që i përket vetëm Europës. Me Europën na lidhë pozita gjeografike, mardhenjet shtetrore, ato kulturore e të gjitha tjerat që vijnë pas, për një jetë më të mirë dhe të begatëshme të popullit tonë …” (Dosja I. Dalliu)

***

1953 ÇKA THA ENVER HOXHA NË MBLEDHJEN E BYROSË POLITIKE…

■DOKUMENTI (Falenderoj z. Afrim Imaj, per botimin e këtij Dokumenti. F.R.)

Protokoll nr. 20, datë 17 korrik 1953

Mbledhja e Byrosë Politike të K.Q. të Partisë dhe e Këshillit të Ministrave të R.P.Sh.

Rendi i ditës…

■ENVER HOXHA: Desha të flas pak për çështjen e zëvendësimit të Presidentit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Sot erdhi tek unë dr. Omer Nishani. Pasi folëm pak, unë ia hapa dhe i thashë se u plake, more doktor, ke menduar ndonjëherë për punën? Pastaj, shtova, të dy ne, unë si Kryeministër dhe ti si President, jemi nga Gjirokastra. Populli i sheh këto gjëra dhe ka njerëz që thonë se e morën të tërë Shqipërinë toskët në dorë. Një gjë e tillë më ka rënë dhe mua në mendje, tha doktori.

Pastaj i thashë, ti u plake, megjithëse Partia ndonjë rezervë në dorë për ty nuk ka dhe ato që kemi pasur t’i kemi thënë haptazi, kur ke gabuar të kemi kritikuar dhe ty ato kritika të kanë shërbyer. Këto fjalë të miat nuk i priti keq se bisedova me të edhe më gjatë…

Pastaj ai më tha: Të them të drejtën, edhe unë kam menduar për këtë gjë, po jo se jam nga Gjirokastra. Pastaj filloi të qajë…

■Mendoj që të jetë një njeri nga Veriu. Një nga ata mund të ishte edhe Myslim Peza, por ai është pa shkollë e këndim, pa kulturë, prandaj na duhet një tjetër…Tani puna është se me kë ta zëvendësojmë. Propozimi ynë është për Haxhi Lleshin. Në Presidium duhet të jetë një anëtar i KQ që t’i marrë të gjitha kompetencat.

Haxhinë ne e njohim të gjithë. Është anëtar i Plenumit, i lidhur që në fillim me Partinë, megjithëse nga ana e origjinës është bajraktar dhe rrethin familjar e ka të keq. Gruaja e Haxhiut është nga një familje që të tërë njerëzit ia kemi pushkatuar ne.

■Kështu të gjykosh, i thashë dhe mos u nxito në mendime. Haxhinë e para ne e njohim. Është një shok nga Veriu, është luftëtar dhe anëtar i Plenumit të KQ-së, por edhe duhet të punojë se është ca i avashëm. Pastaj është edhe shoku Pilo Peristeri. Ai është më i mirë nga Haxhiu, vetëm që është çështja e sindikatave.

■Pastaj Pilua është edhe i krishterë, kurse shumicën e popullit e kemi myslimanë dhe populli e sheh shumë këtë anë. Po të vihet çështja Pilua apo Haxhiu, preferohet më përpara Pilua, më shumë se Haxhiu… Por në kushtet konkrete, ky i fundit është më i përshtatshëm për nga besimi mysliman dhe prejardhja nga Veriu…

■SPIRO KOLEKA: Mbasi është nga Veriu edhe unë jam i mendimit të jetë Haxhiu, pastaj është edhe mysliman.

■LIRI BELISHOVA: Pse mos të vemë Tuk Jakovën?

■ENVER HOXHA: Atje nuk ka ndonjë operativitet të madh, do të rrijë të presë popullin, d.m.th. do të shohë lutjet e popullit me kujdes, ligjet që do t’i paraqiten Kuvendit, çështjet e fajeve të dënimit me vdekje etj…

■(Pas diskutimeve, shumica në fillim e pastaj të gjithë janë dakord që të zgjidhet president i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi)

■Lexues të nderuem, Ju lutem lexoni me kujdes thanjet e të Ndjerit Hafiz Dalliu, dhe kur të perfundoni së lexuemi thanjet e Enver Hoxhës, vlersoni Hapjen e Dosjeve!

■Vetem hapja e Dosjeve tregon pse nuk preken “dekorata e tituj” të kriminelëve, të cilët përditë po “ringjallen” dhe po vazhdojnë me u nderue nga pasuesit e tyne…

■Edhe kjo Dosje… asht një nder ato shumë të tjera që pengon hapjen e tyne!

            Melbourne, Gusht 2016.

 

Please follow and like us: