Jahjaga: Përjetësisht mirënjohëse ndaj SHBA
Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se do të jemi përjetësisht mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë mbështetur Kosovën në përpjekjen e saj për të ndërtuar shtet të lirë dhe të pavarur.
Jahjaga këto komente i bëri pas ceremonisë së përurimit të rrugës “Beau Biden”, djalit të zëvendëspresidentit të SHBA-ve, Joe Biden.
Postimi i plotë
Ne do të jemi përjetësisht mirënjohes ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës që na mbështetën në përpjekjen tonë për të ndërtuar shtet të lirë dhe të pavarur. Kosova sot e dëshmoi që është aleati kryesor i SHBA-ve në rajon, duke vazhduar thellimin e miqësisë.
Jam jashtëzakonisht e lumtur që zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden me familje erdhën në Kosovë për të inaugurar rrugën dedikuar djalit të tij të ndjerë, Beau Biden, i cili kontribuoi që në ditët e para të lirisë të ndërtojë institucionet e drejtësisë që do të forconin shtetin ligjor.
Do ta kujtoj gjithë jetën takimin me të, takim me shumë emocione, kur i dorëzova vendimin e emërimit të rrugës për nder të djalit të tij, si mënyrë e jona për të nderuar ata që besuan në fuqinë e shoqërisë tonë për të krijuar vend të lirë, të njerëzve te barabartë.