Kristo Çipa i përgjigjet Barkës: Iso-polifonia para Dodonës, është vetëm shqiptare
Atë mund ta ndeshësh anekënd globit në forma e variante nga më të ndryshmet, por asnjëherë e përafërt me këngën iso-polifonike shqiptare”. Kështu shprehet në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”.
Kristo Çipa është një prej bartësve më të njohur të iso-polifonisë në vendin tonë. Në përgjigje të deklaratës së profesorit Panajot Barka i cili e cilëson polifoninë epirote dhe jo vetëm shqiptare, Çipa thotë se “kur është shfaqur Dodona, polifonia ishte krushka e parë dhe i ka çuar peshqesh asaj një këmishë të bërë me cipë gjarpri në këmbim të parashikimit të fatit të saj. Por Dodona e mjegulluar nuk mundi ta parashihte fatin e këngës se humbi brenda magjepjes së saj”. Kristo Çipa, nderuar nga presidenti Bujar Nishani me titullin “Naim Frashëri”, shton se “të gjithë ata që polifoninë shqiptare janë munduar ta shohim me syze dielli s’kanë bërë gjë tjetër veç kanë marrë imazhin e gabuar në vetvete se polifonia është aty e ylbertë dhe e pakapshme”.
Çipa u nderua si “një organizator i palodhur i grupeve tradicionale të bregdetit të Himarës. Krijues i suksesshëm dhe interpretues i veçantë, mbrujtur në djepin e këngës piluriote”. Ai ka qenë drejtues i grupit “Bregu i Himarës”, i cili është një grup polifonik që pason traditën e grupeve të tjera më të vjetra të Himarës, Pilurit, Dhërmiut, Vunoit, etj.
– A është polifonia këngë shqiptare apo e Epirit? Çfarë është përfaqësimi Epiri me këtë rast?
Përgjigja e kësaj pyetjeje gjendet në vendimin fatlum, por shumë të vonuar të UNESCO-s, e cila e quan iso-polifoninë shqiptare “Kryevepër të njerëzimit”, trashëgimi gojore. Para viteve gjashtëdhjetë nuk i thoshte askush polifoni kësaj kënge të veçantë, por kënga vë(d)nçe, e cila e shprehte jo shkencërisht, por thelbësisht identitetin e saj. Përsa i përket termit ‘Polifoni’ dhe gjeografisë së shfaqjes së saj, atë mund ta ndeshësh anekënd globit në forma e variante nga më të ndryshmet, por asnjëherë e përafërt me këngën iso-polifonike shqiptare. Pjesa e dytë e pyetjes më sjell ndërmend hapjen e librit të Marin Barletit, ku e cilëson Gjergj Kastriot Skënderbeun, mbretin e shqiptarëve dhe të epirotëve. Ky term që po përmendet shpesh nga fqinji ynë jugor dhe nga ultranacionalistët e saj më shumë se kujtdo i përket së shkuarës sonë historike dhe kënga iso-polifonike që ka mbetur si relike në Epirin Jugor tregon më së miri unifikimin shpirtëror me Skraparin, Librazhdin, Gramshin, Elbasanin, Korçën, Vlorën, Tepelenën, Gjirokastrën, etj., nga e mori edhe pasaportën diplomatike të UNESCO-s së bashku me njohjen e identitetit kombëtar.
– Në ç’zonë tjetër këndohet?
Me këtë harmoni, cilësi, natyrshmëri, ekspresivitet, vitalitet, origjinalitet nuk e gjen në asnjë cep të globit. Natyrisht, trajta të përafërta ndesh ngado, por kjo këngë autoktone shqiptare brenda unifikimit të saj ka dhjetëra e qindra forma e tipizime që të thonë se çdo fshat, krahinë e më gjerë është djepi i saj. Forma klasike brenda kufijve shtetëror është në dy variante, atë të polifonisë dhe të iso-polifonisë. E para haset në Vlorë, Tepelenë, Mallakastër, Gjirokastër, Përmet, Sarandë e gjetkë e dyta në Skrapar, Gramsh, Librazhd, Elbasan, Korçë etj. Gjithmonë bëhet fjalë për këtë këngë të tipizuar me marrës, kthyes, hedhës, prerës dhe iso (Në ishullin e Korsikës në qershor 2011 kam hasur një variant të këngës së Skraparit, të cilën vendësit e quanin këngë vëndthi, por nuk e dinin shpjegimin e fjalës ‘vëndth’).
– Çfarë e bën të veçantë këtë këngë?
Së pari, harmonia muzikore pa asnjë lloj instrumenti. E dyta, teknikaliteti i interpretimit pa dirigjent. E treta, mistika e brendshme e këngës, që shpesh të kalon në tjetër univers. E katërta, tonaliteti në ngjitjen e padukshme, pa kuptuar nga rrafshi i butë i qafës muzikore ke dalë në kulmin e majës krenare të këngës. E pesta, gjuha e këngës gjendet e njehsuar pa kod midis aktorëve të këngës dhe çuditërisht protagonizmi i njohur shqiptar, vetëm në polifoni është i vetëkontrolluar. E gjashta, kronika e përpiktë historike të lë të mahnitur dhe tregon më së miri nevojën e një misioni shumëdimensional, që ka pasur mbi supe kjo këngë origjinale e një vendi që gjuha nuk i shkruhej i ndalohej me ferman dhe mallkohej me dhespot. E shtata, solidariteti i elementëve të interpretimit të bind se prejardhja e kësaj kënge duhet të jetë sipas vet mitit për të, prej perëndive. Këto karakteristika dhe shumë të tjera e bëjnë jo vetëm të veçantë, por të papërsëritshme këtë këngë dhe me të drejtë të mirëvlerësuar në vonesën e tyre nga selitë kulturore botërore.
– Cili është dallimi mes polifonisë dhe iso-polifonisë?
Në hapësirën gjeografike shqiptare ku e ka burimin dhe trashëgohet kjo këngë, dallimi midis polifonisë dhe iso-polifonisë është thjesht midis këngës labe dhe këngës toske, ose profesionalisht midis këngës që fillon me marrës e vazhdon me elementët e tjerë, kënga labe dhe këngës që fillon me iso dhe vazhdon me elementët e plotësues. Ky shpjegim që unë po jap nuk është i plotë se me kufizimin e kësaj kënge në polifoni dhe iso-polifoni nuk mund ta rrokësh gjithë kuptimin e saj dhe më duket pak i pavend që pasi e kemi certifikuar në UNESCO, të kërkojmë ta ripagëzojmë me emra nga më të ndryshmit, duke u kthyer tek historia sarkastike e “mustaqeve të Çelos”.
– Çfarë duhet të dimë për origjinën e polifonisë?
Ditëlindja e polifonisë ende nuk dihet, por të gjithë studiuesit e saj bien dakord që është shumë e vjetër, përpara muzikës dhe shpesh i thonë një vakt përpara zjarrit. Të gjitha legjendat jugore, mitet, ritet, zbulimet arkeologjike flasin për hershmërinë e saj dhe ndaj interpretuesi i madh popull e ka pat pagëzuar këngë vë(d)nçe, duke mos i rënë në qafë askujt dhe aq më shumë ka imunizuar vetveten nga dëshira për të “pushtuar” hapësira e territore jo të sajat. Duke lindur midis tokës dhe qiellit, ajo as nuk u baltos dhe s’iku nëpër hapësira kozmike ergjele, qëndroi pranë atyre që e deshën dhe e bënë pjesë të shpirtit të tyre. Nuk e kemi braktisur dhe po e çojmë drejt përjetësisë.
-Z.Barka përmend Dodonën (si origjinë), a jeni në një mendje?
Kur është shfaqur Dodona, polifonia ishte krushka e parë dhe i ka çuar peshqesh asaj një këmishë të bërë me cipë gjarpri në këmbim të parashikimit të fatit të saj. Por, Dodona e mjegulluar nuk mundi ta parashihte fatin e këngës se humbi brenda magjepsjes së saj. Kjo këngë asaj iu duk e pafund, se kishte lindur përpara saj dhe kish për mjeshtër të plotfuqishmin Zot. Përsa i përket asaj që Barka thotë se antikiteti ka marrë shumë nga polifonia, kjo më duket e drejtë se nga oqeani i saj kanë marrë e marrin shumë dhe ajo prapë shteron. Në këtë oqean ka të drejtë të lundrojë edhe z.Barka, por nuk mbajmë përgjegjësi për dallgët oqeanike, që shpesh përmbysin anije gjigande e jo më barka të vogla. Për një gjë e sigurojmë, që polifonia kurrë nuk të mbyt, por në cektinë të zhyt.
– Këto deklarata a ndikojnë në certifikimin që i ka bërë UNESKO si pasuri botërore?
Vala sado që ta godasë shkëmbin, nuk mund t’i bëjë gjë tjetër veç ta lëmojë e zbukurojë. Dhe pasi e godet disa herë, dashurohet me të dhe ngelet në dashuri të përjetshme. Të gjithë ata që polifoninë shqiptare janë munduar ta shohim me syze dielli, s’kanë bërë gjë tjetër veç kanë marrë imazhin e gabuar në vetvete se polifonia është aty e ylbertë dhe e pakapshme. UNESCO nuk është tregtar që ndjek uljen dhe ngritjen e tregut, por selia e kulturës botërore, që neve na ka pranuar apo më mirë, kemi pranuar të hyjmë shumë vonë atje. Por, edhe asaj pjese që Panajoti i vjen si me dredhi t’i japë autorësi, ne i kemi dhënë mjaft dhe jo si Dodonës këmishë me cipë gjarpri, por fustanellë që nuk e dimë se ku u është grisur dhe e kanë shkurtuar deri mbi gjunjët burrërorë.
– A është cilësimi i saj si këngë shqiptare, në shërbim të nacionalizmit?
Nuk besoj se vlerësimi real, por e ritheksoj, i vonuar i këngës vënçe polifonike nga ana e UNESCOS-s si këngë shqiptare kryevepër e njerëzimit, përbën nacionalizëm. E kundërta flet për një gjë të tillë. Trashëgimitë gojore kanë një djep që i ka lindur dhe një shtrat që i mban. Do të dëshiroja shumë që diçka nga kultura, sjellja, psikologjia, zakonet, ritet e vendit tim të kishin pasur një grimë nacionalizmi. E kundërta ka ndodhur. Në të gjitha përmendoret e lirive të vendeve fqinje dhe pak më tej, herë shumë e herë pak do të gjesh nga lumenj deri në pika gjaku shqiptarësh dhe asnjë pëllëmbë tokë të dhunuar. Vet kënga vënçe të flet për gjeografinë e shtrirjes se këtij gjaku në ndihmë të lirisë, por në asnjë varg, në asnjë tingull, në asnjë dert nuk bëhet fjalë për të sulmuar apo dhunuar dikë. Ky është dimensioni universal i brendësisë humane e zemërgjerë të polifonisë sonë, e cila kur i drejtohet kryetrimit të Labërisë, Zenel Gjoleka, i thotë: U trete Gjolek u trete/Sos u përpoqe për vete/Po për gjithë vilajete!
– A shtrihet ajo në hartën e perandorisë së Aleksandrit të Madh?
Perandoria shpirtërore e polifonisë jeton ende dhe tani e njohur ndërkombëtarisht, duke tentuar përjetësinë. Nëpër mijëravjeçarët e kaluar, perandori ushtarake, fetare, raciste, ekonomike e të tjera kanë ardhur e kanë ikur duke u përcjellë nga polifonia me avaze sa tragjike, elegjike e komike. Nga trojet ku ka atdheun polifonia, Aleksandri i Madh pati nënën dhe bashkë me qumështin e gjirit, thithi dhe avazet e perëndishme të polifonisë. Kur ka qenë shpesh nëpër dilemat perandorake gjer në Indi, avazi brohoritës që sot e interpreton Zeqo Kallarati, e ka shpëtuar nga marrëzia. Këmbët e malit janë këputur, por vargjet e zërave të këngës së përjetshme të iso-polifonisë vazhdojnë të bashkuar nëpër të gjithë gjenezën e kombit shqiptar. Hartat gjeopolitike as nuk i ka njohur e as i ka cenuar iso-polifonia.