Liderët botërorë anashkalojnë Maqedoninë për shkak të politikave qeveritare
Maqedonia vazhdon të anashkalohet nga vizitat e liderëve të fuqishëm botërorë që herë pas here realizojnë ture diplomatike në shtete të ndryshme të rajonit. Shkupi nuk ishte agjendën e nënpresidentit amerikan, Joe Biden, gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi, ashtu sikur që nuk ishte edhe në agjendat e sekretari të shtetit, John Kerry,gjatë vizitë së realizuar në Kosovë, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, si dhe të vizitës së fundit në rajon të kancelares gjermane, Angela Merkel.
Nga qeveria maqedonase thonë se nuk komentojnë agjendat e liderëve botëror, duke theksuar se bëhet fjalë për politika të shteteve tjera me të cilat Maqedonia, siç thonë, ka raporte shumë të mira diplomatike dhe bashkëpunim në të gjitha fushat.
Por, njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se anashkalimi i Maqedonisë nga këto, por edhe vizita tjera që janë realizuar viteve të fundit, nuk është sinjal i mirë për politikën e jashtme të vendit, pavarësisht deklarimeve të qeverisë se nuk bëhet fjalë për ndonjë ftohje të raporteve diplomatike. Denko Maleski, ish-ministër i Punëve të Jashtme, thotë se anashkalimi që i bëhet vendit e largon atë edhe më tepër nga perëndimi.
“Ne në vend që të afrohemi, gjithnjë e më shumë po largohemi nga aleatët perëndimorë, si nga NATO, Bashkimi Evropian, e kështu me radhë, pavarësisht retorikës konstante të politikanëve se jemi përkrah me perëndimin. Pra, ne po shkojmë në drejtim të kundërt dhe deri sa ndjekim këtë politikë, ne do të anashkalohemi nga vizitat e liderëve botëror.”
“ Ky është një rregull që do të vazhdojë deri sa politika maqedonase nuk ndërmerr një kurs tjetër, kurs serioz në drejtim të integrimeve euroatlantike, përkundër vështirësive që mund të paraqiten në realizimin e këtij objektivit shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit”, thotë Maleski, duke shtuar se politika e jashtme e Maqedonisë nuk është në vijë të plotë me politikën amerikane edhe sa i përket ndërtimin të shoqërisë shumetnike në vend.
“Ata do të donin sikur ne vërtetë të angazhoheshim për një shoqëri autentike shumetnike, për një demokraci të vërtetë shumetnike, por edhe për një demokraci elementare,pasi edhe në këtë segment kemi probleme. Sikur kjo të arrihet, atëherë besoj se ne do të bëheshim një destinacion i dëshirueshëm për të gjithë diplomatët amerikan dhe perëndimor”, thotë Maleski.
Ish diplomati, Alajdin Demiri, thotë se bashkësia ndërkombëtare është e lodhur nga, siç shprehet, politikat e shurdhëta të pushtetit, të cilat aspak nuk marrin në konsideratë rekomandimet e perëndimit për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat përballet vendi, në veçanti viteve të fundit, me përshkallëzimin e krizës politike, andaj edhe kjo vërehet me anashkalimin që i bëjnë Shkupit gjatë vizitave që zhvillojnë në rajon.
“E gjithë kjo trego se diplomacia botërore, pra ajo evropiane dhe amerikane, është e lodhur nga indolenca e politikës dhe politik bërjes së pushtetit në Maqedoni. Shurdhësia ndaj këshillave, shurdhësia ndaj sugjerimeve e pushtetit në Maqedoni e solli këtë gjendje që duket pa zgjidhje, mirëpo këto diplomat sikur presin rënien e këtij pushteti që t’i rikthejnë pozitat e tyre këtu dhe ndihmën e cila i duhet këtij vendi”, thotë Demiri.
Demiri dhe Maleski vlerësojnë lart angazhimin e politikës amerikane në Kosovë dhe Serbi, shtete këto që, sipas tyre, do të përfitojnë shumë nga stabilizimi i raporteve të ndërsjella që do të konkretizohet me inkuadrimin e tyre në strukturat euroatlantike. (REL)