Albspirit

Media/News/Publishing

Ministri Tahiri drejt largimit, MB i kalon LSI-së për të “qetësuar” PD: ja qeveria Rama 2…

Shtatori do të vijë me ndryshime të shumta qeverie. Përplasjet e ditëve të fundit mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Parisë Socialiste, do sjellin dhe efektet e para, ku disa ministra do të largohen dhe në kabinet do futen emra të rinj. Pavarësisht tentativave të Edi Ramës për të siguruar 71 vota, ai ka pranuar ditët e fundit që të bëjë ndryshime në kabinet dhe ndër ministrat e parë që pritet të largohet është Saimir Tahiri.

Sipas burimeve, ditët e fundit vijojnë negociatat mes palëve dhe deri më tani është rënë deri diku dakord që të ketë një ndërrim mes ministrive, ku LSI të marrë Ministrinë e Brendshme dhe t’i japë PS Ministrinë e Drejtësisë.

Sipas burimeve, palët duket se kanë rënë dakord që Saimir Tahiri të ikë nga ministër i Brendshëm dhe një përfaqësues i LSI të marrë postin e tij. Nga ana tjetër, surpriza e qeverisë “Rama 2” do jetë avokat Spartak Ngjela. Edhe pse disa kohë më parë ai pati një konflikt me kryeministrin Edi Rama, pasi që kur erdhi PS në pushtet u përfol si ministër i Drejtësisë, duket se tani kryeministri do e marrë atë në kabinet. Sipas burimeve, Rama dhe Ngjela janë afruar shumë ditët e fundit dhe pritet që postin e Ylli Manjanit ta marrë pikërisht avokati. Aktualisht teksa politika po shijon pushimet, negociatat PS-LSI vijojnë dhe gjithçka pritet që të finalizohet në shtator. Nga ana tjetër, mësohet se Rama ka këmbëngulur fort që Ministrinë e Brendshme ta ketë Partia Socialiste, por gjatë negociatave ai është bindur që ajo t’i jepet LSI. Ndërkohë ende nuk dihet nëse Ylli Manjani dhe Saimir Tahiri do marrin poste të tjera, apo do largohen.

Ministrat e tjerë

Në tryezën e diskutimeve mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim janë dhe poste e disa ministrave të tjerë. Ndër më të përfolurit që pritet të largohen janë dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ai i Financave Arben Ahmetaj, i Energjisë Damian Gjiknuri dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Edhe nuk është marrë një vendim për ta, por përflitet se po diskutohet për t’i larguar, teksa në shtator do të bëhen publike të gjitha lëvizjet.

Roli i PD

Marrja e Ministrisë së Brendshme nga Lëvizja Socialiste për Integrim, duket se është një lëvizje ngushëlluese edhe për demokratët. Ditët e fundit ata kanë deklaruar se nuk do të pranojnë që të shkohet në zgjedhje me Saimir Tahirin ministër të Brendshëm, nga frika se përmes policisë mund të manipulohej procesi. Por duke qenë se LSI gjatë reformës në drejtësi tregoi se ishte për një proces konsensual, atëherë për PD qetësia është më madhe për zgjedhjet e 2017. Ditët e fundit është parë një afrimitet mes PD dhe LSI, ku me marrjen e ministrisë së Brendshme nga kjo e fundit, pritet që dhe pretendimet dhe kërkesat e demokratëve për zgjedhjet e ardhshme të bien.

Please follow and like us: