Prandaj duhen hapur dosjet, që të zbardhet e vërteta!
Prof.Servet Pëllumbi t’ua nisë ditareve nga i vëllai Lirim Pëllumbi, i njohur në Durrës për burgosjen e të vëllait të Anton Çettës /
Nga Elida Buçpapaj/
Profesori i socialistëve Servet Pëllumbi me rastin e 25 vjetorit të PS, ka botuar ditarin e tij politik të titulluar “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, i cili ka shkaktuar polemika tek personazhet e përmendur. Por, kur ballafaqimi është i hapur, vihen pikat mbi “i” dhe e vërteta zbardhet.
Problemi është për të vërtetat e diktaturës që i mban të fshehura pikërisht kjo klasë politike. Këto të vërteta lidhen me krimet e diktaturës dhe me personat që njihen si persekutorë dhe ekzekutorë të tyre. Hapja e Dosjeve dhe zbulimi i veprimtarisë të eksponentëve dhe spiunëve të ish-Sigurimit do të ishte rruga e duhur për pastrim të ndërgjegjes në raport me krimet e kryera, sikur kanë vepruar të gjithë vendet që kanë dalë nga regjime diktatoriale, ku Shqipëra zë vendin e parë për nga mizoritë dhe shtazëria e regjimit stalinist.
Por në vend të zbardhjes të krimeve të komunizmit, ka një përpjekje të qartë për rehabilimin e sistemit dhe figurave kriminale siç është rasti i Mehmet Shehut.
Duke u kthyer tek Profesor Servet Pëllumbi që vjen nga garda e vjetër, ish Profesor i Shkollës të Partisë nga ku dilnin kuadrot e sistemit, ai është njëri nga ata që nuk mbështet hapjen e dosjeve.
Kam parë dikund Prof. Pëllumbi thotë se “të hapësh dosjet sikur të hapësh një varr ku mungon skeleti”. Kjo logjikë e Profesorit për të mos hapur Dosjet bie ndesh me veprimet e tij që sot del e boton ditaret, fjalë goje të thëna nëpër raste specifike a veprime të bëra në rrethana të caktuara, shpesh private, shpesh biseda konfidenciale, që kanë shkaktuar reaksion negativ sepse personazhet e përmendur i konsiderojnë ato si spekulim apo lajthitje të profesorit.
Por ndërsa Profesori merret me ditarë e kujtime duke u futur në qendër të vemendjes, qytetarët e Durrësit emri i tij i lidh në mënyrë të tërthortë me plagë të hapura nga diktatura dhe nuk harrojnë rolin e zi të Lirim Pëllumbit, ish-kryetarit të Degës të Brendëshme të qytetit të Durrësit, që është vëllai i Prof.Servet Pëllumbit.
A ju kujtohet këngëtarja e shquar Alida Hisku kur doli publikisht e tha femrat i përdhunonin nëpër burgje dhe gjatë hetuesisë. Iu sulën si çakej Alidës!
Lirim Pëllumbi, shefi i Degës të Brendshme të Durrësit, kujtohet pikërisht për tmerre të tilla se si i merrte vajzat më të bukura të Durrësit dhe i përdhunonte nëpër ambjente të Currilave. Këto kujtime tmerri ka Durrësi për vëllain e Prof.Servet Pëllumbit.
Përse nuk flet Prof.Servet Pëllumbi asnjëherë për vëllain e tij. Prandaj nuk dëshiron Prof.Servet Pëllumbi që të hapen dosjet?!
Prej këtij kapitulli do të duhej që t’i niste ditarët e tij ish-Profesori i Shkollës të Partisë. Aq më tepër kur thirrja për “katharsis” ka qenë një apel i kahmotshëm i liderit historik të PS që është Fatos Nano.
Prof.Pëllumbit i takon ta hapë këtë faqe të nxirë e të fshehur e të tregojë për të vëllain, sidomos sepse në Durrës Lirim Pëllumbi njihet si figura që në fund të viteve ’70 ka arrestuar dhe burgosur kardiologun e njohur të qytetit Beniamin Çetta, vëllain e të madhit Anton Çetta, i njohur në Durrës si Dr.Beni.
Dr.Beni gëzonte reputacion të madh në qytetin e Durrësit, e donte gjithë qyteti sepse ishte i zoti, i përkushtuar dhe i pakursyer. Për fatin e tij të keq Dr.Ben Çetta kishte rënë në dashuri me një vajzë durrsake shumë të bukur. Të dy duheshin pa masë e ndofta do të krijonin edhe familje e do të bënin edhe fëmijë. Por Sigurimi nuk i la. Pak a shumë i njëjti skenar si në filmin gjerman që ka fituar Oscar “Das Leben der Anderen”- “Jeta e të tjerëve”. Ëndërra e tyre u kthye në dramë. Sepse kryetarit të Degës të Brendshme të Durrësit Lirim Pëllumbit i ra në sy e dashura e Dr.Benit dhe sipas stilit të njohur kërkonte ta kthente në një viktimë të tij të rradhës.
Vajza nuk pranoi sepse ishte e dashuruar me Dr.Benin, atëhere Lirim Pëllumbi thirri hetuesin dhe e detyroi që ta arrestonin Dr. Ben Çettën me akuzën për agjitacion dhe propagandë, sepse në vitin 1965 Dr.Beni paskish thënë se, për t’iu shkuar sa më shpejt në ndihmë pacientëve me probleme kardiake duhen makina, pasi me biçikleta nuk arrihet të jepet ndihma e nevojshme. Dhe kjo fjalë goje e shqiptuar vite më parë, që ishte vetëm një vërejtje në të mirë të pacientëve, nga pozita të një profesionisti, iu kthye në provë krimi dhe Dr.Ben Çettën e arrestuan dhe e burgosën. Dr. Ben Çetta ishte vëllai i të madhit Anton Çettës, shkrimtarit, profesorit të letërsisë dhe patriotit shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë. Dr.Ben Çetta ishte kopje e vëllait, por në fushë tjetër. Prandaj Durrësi nuk e harron kurrë, nuk ia harron edhe vuajtjet, edhe arrestimin, edhe burgosjen e një njeriu të pafajshëm të burgosur nga një kriminel si Lirim Pëllumbi.
Dr.Ben Çetta doli nga burgu vetëm pas rrëzimit të diktaturës. Paçka se qyteti e mban në zemër kujtimin e tij, për të nuk kujtohet kush, as PD e qytetit, as PD në Tiranë. As ata që shesin dekorata. Ata merren vetëm me llogaritje për marrje pushteti ndërsa plagët e shkaktuara nga diktatura i harrojnë.
Por Durrësi nuk harron, Durrësi e kujton me dashuri Dr. Ben Çettën dhe me neveri Lirim Pëllumbin.
Dhe kur Prof.Servet Pëllumbi hap e kujton ditarët e partisë, Durrësi i thotë, Ok hapi ato ditarë sepse personazhet e tyre janë gjallë e të japin vetë përgjigje, por nise së pari nga Lirim Pëllumbi dhe kërkoi ndjesë qytetit për bëmat e tyt vëllai, kërkoi ndjesë familjes Çetta. Sepse të paktën këtë e ke për borxh.
Prandaj duhen hapur Dosjet, që të zbardhet e vërteta!