Respublica: Polifonia e gënjeshtrave verore
Nuk dihet për ç’arsye muajit gusht i ngjisin kaq shumë polemikat. Këtë vit ka shumë të tilla: për futbollistë tradhëtarë, për tradhëti në koalicionin e qeverisë, ka polemika për isopolifoninë ku edhe aty janë identifikuar maskarenjtë e radhës. Natyrisht agjentët imunitarë, aktivistët, propagandistët, mbrojtësit profesionistë të popullit dhe lavdisë së tij, vetëveprojnë, me iniciativë, pse ashtu ua kërkon ndërgjegja. Të paktën kaq dimë ne, e kaq shohim.
Ky nuk do të ishte ndonjë problem i madh, po të qe se në këtë tallava politike, amplifikuar për hir të klikimeve të mos përfshihej edhe kryeministri aktual, që qeveris edhe si polemist. Një drejtuesi ekzekutiv që bën shumë pak punë, polemika, zhurma, mjegulla, diversioni, të gjitha ato që dëgjojmë t’i kritikojë si parimor i madh te media, i bëjnë shumë punë. Le të kthehemi një vit më parë e të hedhim sytë nga “çështja e ditës” e gushtit 2015. Në ato kohë temë kryesore ishte prishja e Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, e shkatërruar natën nga INUK, ndonëse u deklarua se ishte një godinë e rëndomtë. Këshilltari i Edi Ramës, Artan Shkreli, lëvrinte i axhituar sa në një ekran në tjetrin me emrin e Nilo Katalanos në gojë, murgut bazilian që kishte hapur shkolla shqip në këtë zonë shekuj më parë. Pas Shkrelit edhe kolegu i tij Lame me të njëjtat teza. Çështja e Katalanos dhe merakut për gjuhën shqipe shkoi deri “lart”, aty prej nga ku erdhi edhe gjëmimi ndaj kishës-garazh. Kryeministri nuk përtoi, por i hodhi ca radhë në Tëitter, ku shkruante:
“Kisha e vjetër e Dhërmiut që do rilindë në emër të trashëgimisë kombëtare dhe “garazhi” pa leje që e quajnë kishë”. Fjali në erë, pasi asnjë projekt nuk u pa e as nuk po shihet.
Katalano u shpall thuajse profeti zyrtar i shqiptarisë qeveritare dhe fotoja e tij zëvendësoi në profilet e Facebook-ut edhe atë të Ismail Qemalit.
Mirëpo çfarë ndodh sot pas një viti me këtë garazhin e prishur natën? Sigurisht, ASGJË. Për zonëne bregut janë dhënë koncesione, Himara dhe fshatrat po rilindin siç na thotë kryeministri; pra lekë janë hedhur jo pak, por Nilo Katalano mbeti që mbeti vetëm në Facebook. Edhe trashëgimia kombëtare nuk po gjen atë kararin e premtuar tuiterisht nga kryeministri.
Arsyeja është e thjeshtë të merret me mend: Kisha u prish qëllimisht, jo për të ndjerin Katalano të cilit me të vërtetë që i duhet ngritur një bust për të kujtuar atë që bëri, por për të ndërruar vëmendjen. Kjo e kishës, e bashkë me të edhe përrallat e Edi Ramës me Shkreli-Lamen që ja presin në isopolifoninë e gënjeshtrave verore qeveritare, lidhej me atë problemin e madh që iu mahis qeverisë dhe disa prej ministrave të Ramës: dështimi në tatime, me një gropë që nuk fshihej dot më, problemet e ministrit të Brendshëm që u kap duke qëndruar në një hotel në Korfuz që kushtonte deri në 3000 euro/nata, e të tjera dhimbje koke që vinin nga “lëneta mediatike”, i prishin gjumin kryeministrit polemist. Pa harruar këtu se fushata e Ilir Beqjas për dezinfektimin nuk kishte nisur ende dhe mushkonjat, të të gjitha varieteteve, pickonin qetësinë e shumëkujt.
Një vit pa bërë asgjë për të kompensuar atë zhurmë aq të madhe dhe atë akt banditesk të sforcuar. Duke e lënë Katalanon pa nam e pa nishan.
Por nuk duhet vrarë edhe kaq mendja.
Sepse është e udhës që zotërinë që sot qeveris të mos e marrë më njeri edhe aq seriozisht kur merr poza, kur trash zërin, kur hedh në media “heshtjen e presionit” ndaj Ilir Metës, kur vë dorën në zemër e flet për kombin, apo kur vendos tre lapsa në xhep e shëtit në bulevard si tribun i fjalës së lirë. Është humbje kohe. Thjesht do marrë më seriozisht kur poston foton e ndonjë godine të rikonstruktuar, rehabilitimin e ndonjë sheshi, rishikimin e ndonjë projekti ku mbijnë qendra tregëtare apo parkingje. Këtu do lexuar se diçka po lëviz vërtet. I do bërë like, i do bërë share. Kush të ketë qejf edhe mund ta duatrokasë. Sa për të tjerat, “dokrra hini”, siç thotë ajo shprehja që edhe vetë e ka shumë për zemër.