Albspirit

Media/News/Publishing

Tirana turistike, destinacion që po rrit interesin e të huajve

Tirana-at-nightNë këto ditë të nxehta gushti, kur Tirana boshatiset nga qytetarët e saj, vendin e tyre duket se e kanë zënë turistët. Vendet nga të cilat vijnë janë të ndryshme, madje kohët e fundit harta është zgjeruar edhe me shtete si Brazili, Zelanda e Re apo vendet aziatike.

Ekspertët e turizmit shprehen se, asetet turistike janë një pikë e fortë e kryeqytetit qe po punohet për t’i promovuar fort ato.

Ura e Tabakëve, Kalaja e Tiranës që është pjesë e kujtesës historike të kryeqytetit; Mozaiku i periudhës romake, evidenca më e vjetër; Pazari i ri, që po restaurohet dhe kulla e Sahatit, po vizitohen si rallë herë këtë sezon nga turistët e huaj. Promovimi i këtyre aseteve po krijon një itinerar kulturor, që lidh të gjitha kalatë dhe vendet historike duke nisur nga sinjalistika me harta apo tabela, e deri në rikonsktruksionin e mjedisit ku ndodhen këto objekte.

Një nga monumente historike me shumë vlera kulturore për kryeqytetin është Kulla e Sahatit. Ky monument kulture i kategorisë së parë është ndërtuar në vitin 1840, një atraksion turistik, i cili pas restaurimit në qershor të këtij viti, po ngjall gjithnjë e më shumë interes.

Por interesi i vizitorëve të shumtë që po mbushin çdo ditë e më shumë rrugët e Tiranës, ka qenë shumë i madh, si për Kullën e Sahatit ashtu edhe për muzeun. Të dy këto objekte interesin e kanë patur gjithnjë të madh, por pas restaurimit është vënë re që rritja është shumë më e madhe, edhe për shqiptarët edhe për të huajt.

Deri në vitin 1970 ndërtesa e Kullës së Sahatit ka qenë pika më lartë në kryeqytet, e ndonëse ndërtimet në Tiranë janë shtuar, sërish pamja që sheh nga kupola të lë mbresa.

Turistët mund ta vizitojnë objektet në 6 ditë të javës pa kurrfarë pagese.

Krahas Kullës, Muzeu Etnografik i hapur për vizitorët, ofron veshje të punuara me dorë, mes tyre edhe me fije ari, të gjitha objekte të zonave të Tiranës.

Please follow and like us: