Albspirit

Media/News/Publishing

Edlira Gjoni: Mjekësi përvëluese

 

Dielli vret që në 08.00 të mëngjesit. Oborri i QSUT-së është plot që pa dalë ai. Kontigjenti është i njëjti që prej shumë vitesh: të veshurit më keq, më të ardhurat më të pakta e me fytyrat më të vrara nga dielli i pamëshirshëm fushave e maleve ku nuk hyn lehtësimi.

Dua vetëm të marr një informacion. As ku është dermatologjia nuk e di. Ndryshime duket sikur ka plot, por tabela hic. Dhe ato që janë, duhet të zbresësh nga makina, të marrësh lupë e të lexosh c’thonë.

Ndjek udhëzimet për te pisha e gjatë, vajza me uniformë të kaltër, Tuaregu i shefit, te radha e gjatë, dhe përfundoj te konsultat.

Në fakt më duhet vetëm një informacion. Jo, nuk kam rekomandim. Jo, nuk pres shërbim qyl. Nuk kam jetuar në Shqipëri këtë vit e nuk e kam aktive kartën. Dua vetëm një informacion, pa marrë kohën e askujt, se shqetësimi mund të zgjidhet edhe tek poliklinika e lagjes. Por nuk jam e sigurtë. Ndaj dua ta ti.
Një kryeinfermiere lexon me durim të stërvitur rishtas letrat e rekomandimit të secilit pacient të ardhur nga rrethinat e nga skutat e vendit. Po me durim të mësuar rishtas tregon me një ton midis lutjes, urdhërit, këshillës dhe nervozizmit, që pacientët të presin radhës sic iu është shkruar në letër. “Ti nuk ke faturë. Do paguash? A, ndryshon puna. Shko te dera e fundit majtas, të jep vajza një kod”.

Vajza ma dha kodin. 3000 lekë vizita. Në fakt dua vetëm një informacion. Mbase nuk është e nevojshme konsulta? Të mos harxhoj kohën e mjekes këtu? E di mjekja!

Futem te “sporteli i verdhë”. Dy arkëtare zbatojnë hundë e buzë rregullat e reja të sjelljes me pacientët. Regjistrojnë në kompjuter. Më duket sikur jam në postë. Pacientët nuk kanë marrë akoma trajnim. Tre prej tyre më kalojnë radhën në njërin krah, e katër duar zgjaten mbi mua në krahun tjetër, për të arritur sportelistet. Edhe respektimin e radhës, nga Rilindja e presim?!

Paguaj 3 mije lekëshin. Ora shkon 09.30. “Doktoresha është shumë e zënë. Po meqë pagove vetë, në 12.30 ka një mundësi. Ulu prit aty”. Pres disa minuta, duke parë rdhën e gjatë të pacientëve të veshur me rroba që gjithsej mund të kushtojnë 2 mijë lekë, me bluzë, këpucë e pantallona bashkë, nga më të lirat që shiten në treg të hapur. Dhe familjarët e shumtë që i shoqërojnë. Dhe mungesën totale të njohurisë së sistemit mjekësor.
“Doktoresha shumë e zënë. Ashtu si e ke dorën ti, zor se mbaron punë sot. Do të cojë patjetër në repart. E për atje duhen analiza. Y hy, sot jo njëherë, s’bëhet fjalë të mbarosh” .

E shoh gjatë vajzën që kanë vendosur tek hyrja për në të gjitha katet e dyert ku bëhen konsultat. Ankohet për disa formalizma. Dhe hap e mbyll pa pushim derë-pengesën e re prej hekuri.
Tej xhamit merrem vesh me sy me bashkëshortin. Dal jashtë e marrim majtas për tek spitali privat që është buzë rrugës. Të paktën aty pritje nuk do ketë.
Sa hyn brenda, ajri i kondicionuar të freskon fytyrën e sikur të jep një shpresë të re.
“Konsulta është falas. Ju lutem ejani. Uluni sa të vijë doktoresha. Patjetër, e bëjmë sot gjithcka. Në moment”.

Këndi i pritjes është më shumë se i mrekullueshëm. Divanë të rehatshëm, revista, lule natyrale , ujë i ftohtë, edhe kafe. Dhe gatitshmëri jo nga një, por nga disa të rinj që janë pjesë e stafit me uniformë fringo të re e borë të bardhë.
Vjen asistentja. Doktoresha ka një konsultë. Nuk ka problem. Patjetër që mund të presim. Patjetër që mund ta shohë dorën time. Kushton 20 mijë lekë. Plus analizat dhe përgatitjet dhe laboratori, rreth 11 mijë plus. Të gjitha të reja.

Për të njëjtin shërbim që në një tjetër klinikë private në Europë e kam marrë për 30 euro? Po.
Cohemi. Lëmë pas lulet, këndin, uniformat, vështirimet lekë-kërkuese dhe ajrin e kondicinuar. Mbrapsht në diellin përvëlues të QSUT-së që përherë duket sikur dielli i ka vënë flakën.
Sërish në radhë. Doktoresha akoma e zënë. Më drejtojnë në një koridor. Vjen më bërtet një infermiere. Do të dijë c’bëj aty, se po më pa administratorja, më piu e zeza. Se ajo, administratorja, i paska nervat kacurel sot. Duke bërtitur sheh letrat që mbaj në dorë e faturën që kam paguar vetë. Ul zërin, me hedh dorën pas beli e më shoqëron në kat të dytë.

Më në fund mjekja e lirë. Nuk m’i hodhi sytë mua. As dorës. “Ca kishe?” Sa kthej dorën e bëj gati zërin, i vë një firmë fletës simë: “Nuk e bëjmë ne. Shko tek poliklinika e lagjes”.
Sa kaq. Tre orë e gjysëm, humbje e kohës sime dhe e juaja, për një informacion që duhet ta kisha gjetur që në mengjes. Po “paskam bërë mirë, se këtu do më sillte prapë se prapë ajo e lagjes”, se: “këtu te kjo dhomë është shërbimi më i saktë në Shqipëri”. 90 sekonda vizitë.
“Kalofshi mirë” – më përcolli zëri i ashpër i ndihmëses, që nuk donte të humbiste më asnjë minutë kohë me konfuzitetin tim.

Te poliklinika kishte më pak njerëz. Plot ishte vetëm kontrolli i syve e veshëve që kërkon rinovimi i patentave. Kishte kaluar ora 11 dhe fluksi i pacientëve bie si me magji.
“Aha e shikoj. Eja pasdite. Nuk kemi ilac. Tani jo” – pas asnjë ceremoni kjo përgjigje e përcjellje.
Mbrapsht në diellin e Tiranës, që gjithkund pranë intitucioneve shëndetësore, përvëlon më shumë.

Dita ishte ndikuar tashmë.
Pasdite drejt e tek salla. Dera mbyllur. Sa të mblidhja veten nga habia e të mendoja “Po tani”?, rrotullohet një celës nga brenda.
“Ju bëftë mirë” – i buzëqesha një filxhani të madh me kafe turke. Dhe minutave që më prisnin në këtë dhomë të re.
“Ça kishe? Ça janë këto letra? Ça është kjo faturë e paguar jo te ne? Ça hyjnë në punë këto? Pse ke shkuar atje? Edhe e doni shërbimin nga ne. Ec e mos o nxeh po te duash. Oj kto”…

Mendimi i parë ishte t’i kundërpërgjigjesha. Por nuk pata kohë, e buzëqesha nga halli, se një bombël azoti m’u drejtuar në krahun e rrotulluar, e fjalët breshër. E mu në mes të inatit, 5 sekonda ndryshim skenari: “Kjo është bimbël azoti. Do të djegë pak dora. Nuk të dhemb. Për disa ditë do të enjtet. Mos u shqetëso. Pas një jave do vish prapë”. Dmth e kreu sqarimin mjek-pacient, fiks sic ia kërkon rregulli.
Paf. Paf. Paaf. Tre të shtrydhura të tapës, sikur po të njomte parukieria flokët, edhe vizita mbaroi.
Ora 15.30. Plot 7 orë e gjysëm pasi e kisha nisur ecejaken për këtë 90 sekondësh të thjeshtë.
Njerëz të frustruar. Pacientë të pamësuar me rregullat. Staf i lodhur nga marrdhëniet me eprorët e me pacientët. Dhe me familjarët. Mjekë të dyzuar e konfuzë me situatat që ndryshojnë shpesh.
Spitale që i bëjnë karshillëk njëri-tjetrit, edhe pse fondet për publikun nuk duket të jenë më poshtë se ato të të gënjeshtërtit me kënd lulesh.
Diell i fortë mbi mjekësinë shqiptare që të përvëlon, publike apo private qoftë.

 

Please follow and like us: