Artur Zheji zbulon se me çfarë e bleu heshtjen e Blushit, Edi Rama
Analisti Artur Zheji, në një shkrim të tijin të fundit, ndërsa rrëfen për betejat e Edi Ramës në funksion të fuqizimit të pushtetit të tij kryeministror, hedh edhe variantet e tij për “zhdukjen pa gjurmë” nga skena politike, të deputetit Ben Blushi.
Zheji thotë se kryeministri, fitoi fill mbas 21 korrikut të paktën tre beteja të rëndësishme që lidhen me pushtetin e tij. Të parën ai rendit atë që ai zhvilloi, “me anë të sekserëve deputetë, super të pasur dhe të super pasuruar nën pushtetin e tij, ai ja mbrriti të krijoi një “kundërlojë” ndaj frikës së Metës që kërcënoi, diku hapur, diku tërthorazi, se do ta rrëzontë qeverinë”.
Menjëherë pas kësaj ai vendos të dytën për nga rëndësia, “betejën” e Edi Ramës për të pasur të vetin, apo të paktën për ta bërë të heshtë në atë situatë, deputetin rebel të Partisë Socialiste, Ben Blushi.
“Në mënyrë magjike dhe të pakuptueshme, ai vuri në “gjumë” dhe “bleu” heshtjen e të “rebeluarit elokuent” Ben Blushi. Se si ndodhi, e se si nuk ndodhi, askush nuk e thotë dot qartazi, por ndonjë postier enigmatik do të ketë hedhur në kutinë e postës të Ben Blushit, letrën me “recetën” dhe “formulën” çudibërëse. Dikush thotë ofertë e sigurt e një posti të rëndësishëm, dikush tjetër thotë një temë për një roman, dhuruar nga kryeministri shok dhe armik, dikush tjetër, diçka krejt tjetër dhe më materiale. Por në fund të fundit kjo nuk ka fare rëndësi, në një periudhë shumë të vështirë për kryeministrin, Blushi, përmes heshtjes dhe strehimit në Dardhë apo diku tjetër, la të kuptojë se do të votonte një Qeveri Rama2. Efekti Blushi ishte shumë i rëndësishëm për Ramën sepse i siguronte atij një demoralizim të “rebelëve” apo të pakënaqurve të tjerë potencialë”, shpjegon Zheji “enigmën Blushi”, në shkrimin e tij.