Burkini – më tepër se një copë stof
Bernd Riegert
Tri komuna në Francë e ndaluan larjen në plazhet publike të grave të veshura me burkini. Ky është vendim i ashpër, por jo i padrejtë. Në Francën që vuan nga terrori do të ishte mirë që simbolet e fesë fondamentaliste ekstreme islamike të zhduken nga jeta e përditshme, konkluduan kryetarët e bashkive. Një gjykatë e konfirmoi këtë qendrim.
Në parim secili mund të shkojë për të notuar si i pëlqen, i mbështjellë me rroba ose fare lakuriq, për aq kohë sa kjo nuk shqetëson në mënyrë të padurueshme të tjerët. Por ushtrimi i lirisë së fesë, në emër të së cilës bëhen edhe banjat e grave në plazh të veshura me burkini, ka kufijtë e saj. As në Francë dhe as në Gjermani kjo nuk bën pjesë në të drejtat absolute bazë. Liria fetare përfundon atje ku do të kufizoheshin të drejtat e të tjerëve. Burkat e burkinit synohet të jenë një mbrojtje kundër meshkujve agresivë, të cilët përndryshe me siguri do t’u suleshin grave. Ato përfaqësojnë një përfytyrim absurd mesjetar për meshkujt, i cili duhet refuzuar krejtësisht. Jo të gjithë meshkujt janë të shthurrur. Unë si burrë ndihem i sulmuar dhe i diskriminuar nga këto veshje, që ekspozohen atje. Po të ishte vërtet fjala për fenë apo për ngacmime me motive seksuale, atëherë duhet të mbuloheshin edhe burrat dhe t’i fshihnin ato pjesë të vetes që mund të tërheqin të tjerët. Qoftë për të frenuar gratë e shthurrura – ose sipas përfytyrimit masiv islamik ndoshta edhe më keq – për të frenuar meshkujt homoseksualë të shthurrur.
Kundër tolerancës së keqkuptuar
Po, është e vërtetë që para 300 vjetësh edhe në Evropë gratë duhet t’i fshihnin flokët e tyre dhe që ende 100 vjet më parë, në det lejoheshe të notoje vetëm me kostum banje që mbulonte të gjithë trupin. Por që atëherë bota ka ecur përpara. Këto përfytyrime të pasakta sot duhet të refuzohen. Veç kësaj, ndalimi në Francë nuk u drejtohet shprehimisht myslimanëve. Hebrenjtë ortodoksë, të cilët gjithashtu futen në ujë plotësisht të veshur, preken gjithashtu.
Ne jetojmë në kohën e sotme dhe sot edhe grupet fetare duhet të përshtaten në një pjesë me përfytyrimet e përgjithshme të shumicës. Nëse unë do të mbështesja për shembull një fe, e cila do të kërkonte prej meje që të rrija gjithmonë lakuriq, as unë nuk do t’i jetoja dot përfytyrimet e mia. Kjo do t’i shqetësonte të tjerët.
Feja islame si fe është pjesë e Evropës, siç janë edhe feja e krishterë ose hebraizmi. Por burka, burkini, mbulimi i plotë dhe rroba të tjera të ngarkuara me siguri që nuk janë pjesë e tyre. Ato shërbejnë vetëm që grave t’u imponohen përfytyrimet e vjetëruara dhe për të damkosur meshkujt si kafshë grabitqare të fiksuara te seksi. Të dyja nuk shkojnë.Shtetet e vetme që e kanë ndaluar mbulimin e plotë të grave janë Franca dhe Belgjika. Ato veprojnë kundër tolerancës së keqkuptuar. Gjermania është këtu më pak konsekuente dhe ka ende për të bërë. Për ndalimin e burkas në Gjermani po diskutohet sërish, pa ndërmarrë veprime në fund. Të ndaluara, burkinit janë vetëm në komuna të veçanta ose në pishina të caktuara. Gjykatat gjermane detyrojnë që vajzat myslimane të marrin pjesë në orën e notit në shkollë. Këtu, detyra për edukim e shtetit e tejkalon lirinë fetare të kuptuar gabim.
“DW”