I angazhuar dhe i pavarur: Robert Redford mbush 80 vjeç
Robert Redford, një nga yjet më të mëdha në Hollywood, mbush 80 vjeç.
Robert Redford mbush 80 vjeç. Ai është një ndër aktorët më të sukseshëm dhe karizmatikë të Hollywood-it. Por ai ka xhiruar edhe nëntë filma si regjisor.
Disa nga filmat e tij si regjisor janë “Një familje krejt e zakonshme” (1980). Me këtë film, i pari i tij si regjisor ai fitoi në vitin 1981 çmimin Oscar. Më tej pasuan “Nga mesi buron lumi” (1992), “Quiz Show” (1994) dhe “Përshpëritësi i kuajve” (1998), melodrama emocionale të vëna në skenë me mjeshtëri.
I vendosur dhe i pavarur
Robert Redford, i lindur më 18 gusht 1936, në Santa Monica, në Kaliforni, ka qenë gjithmonë i vëmendshëm në rolet që ka përzgjedhur dhe nuk e ka përdorur famën e tij ndërkombëtare për të vrapuar nga një party në tjetrën në Hollywood.
Me regjisorin e tij të preferuar, Sydney Pollack, ai ka punuar për gjashtë filma.
Mbështetje për demokratët
Robert Redford është aktivist politik dhe shoqëror dhe simpatizant i demokratëve. Ai angazhohet për një Amerikë liberale. Në rastet e filmave që kritikojnë sistemin e Hollywood-it dhe të SHBA-së ai e ka marrë vetë përsipër edhe rolin e regjisorit.
Sundance Film Festival
Distancën e tij prej shkëlqimit të sipërfaqshëm të Hollywoodit Robert Redford e ka shprehur edhe me angazhimin e tij në vitet 1980 për një festival të vogël filmi në shtetin federal Utah. Me ndihmën e tij ky festival u shndërrua në një platformë të rëndësishme për filmat e pavarur. Nga viti 1991 ky festival quhet “Sundance Film Festival” dhe është i njohur në të gjothë botën.