Albspirit

Media/News/Publishing

Jonathan Franzen: Nuk besoj as te ‘Twitter’, as te Joyce, sepse simulojnë ndjenjat

 

Shkrimtari i madh amerikan ka publikuar në SHBA një përmbledhje esesh, në të cilën përballet me tema të ndryshme që nga rrjetet sociale e deri te lidhjet e letërsisë.

Një vit e gjysmë pas publikimit në SHBA të “Liberty”, shkrimtari i shquar amerikan publikon “Farther Away”, një përmbledhje esesh që do të publikohet shumë shpejt edhe në Europë. Është libri i tij i tetë. Në të flitet, ndër të tjera, edhe për një ishull, sa mitik, edhe real, që ndodhet i humbur diku andej nga Kili dhe që njihet zyrtarisht me emrin Alejandro Selkirk. Është ishulli që gjeneroi mitin e Robinson Kruzo dhe ku vetë shkrimtari shkoi pas turit për promovimin e romanit të tij të fundit. Aty lumturisht iu dedikua vëzhgimit dhe observimit të specieve të rralla që popullojnë ishullin, kryesisht zogj dhe ku me shumë dhimbje hodhi në det hirin e David Foster Wallace, mikut dhe shkrimtarit të famshëm i cili nuk jeton më. Kjo përvojë ekstreme bëri që shkrimtari të përqendrohet dhe të shkruajë shumë edhe për miqësinë, për domethënien e saj, të raportit të njeriut me natyrën dhe në fund të fundit, edhe të kuptimit të ekzistencës. Të gjitha këto janë treguar në një reportazh të shkrimtarit, botuar në “New Yorker”. Ky material ndodhet pikërisht në faqet e përmbledhjes së fundit. Është një përmbledhje eklektike, në të cilën bëjnë pjesë edhe fjalime të tij në publik. “Jam bërë i ndërgjegjshëm që shkrimi i një romani nuk më mban mjaftueshmërisht të impenjuar dhe mendoj se mua më shkon alternimi i letërsisë me esetë”, thotë shkrimtari. Ja një intervistë e shkurtër me të.

 

Ju e konsideroni veten një romancier që shkruani, apo një eseist që shkruani romane?

Me kalimin e viteve kam mësuar që të respektoj si shkrimtarët, edhe eseistët dhe autorët e librave me kujtime. Do të ishte absurde nëse një romancier do t’i shihte këta krijues nga lart-poshtë. Megjithatë, nëse do të më duhej të jepja një përgjigje të ndershme, unë e konsideroj veten një romancier që shkruan herë pas here ese.

 

Në një nga esetë tuaja flisni me shumë ftohtësi për “Uliksin” e Joyce…

Pa dyshim që bëhet fjalë për një kryevepër të madhe për të cilën ka një admirim të jashtëzakonshëm. E megjithatë mendoj dhe ngulmoj se ky është një projekt letrar i ftohtë, krahasuar për shembull me atë që ia ka dalë të bëjë Beckett për të përshkruar tmerrin e ekzistencës, duke kërkuar ndërkohë një stil eksperimental që i korrespondon asaj lloj gjendjeje, atij përjetimi. Nuk bëhet falë për madhështinë e njërit, apo të tjetrit, por për brishtësinë, lëkundshmërinë. Kur lexoj Joyce kam ndjesinë se gjendem përballë atyre mendjeve të ndritura jezuite që fillimisht mendojnë dhe më pas provojnë ndjenja.

Cila është brishtësia që admironi më shumë?

Dostojevski. E shfaq në çdo faqe të tij dhe ndihet edhe tmerri dhe pulsi me të cilin e ka shkruar atë faqe. Por edhe tek Proust ndjej të njëjtën gjë.

 

Libri i bën një sulm ballor Harold Bloom, që nuk i ka dashur kurrë veprat e tij…

Edhe në këtë rast nuk e vë aspak në diskutim madhështinë e tij prej kritiku sa i takon poezisë, por mënyra e tij e punës funksionon shumë më pak në rastin e romanit. Veç kësaj ka një këndvështrim maskilist dhe vlerëson vetëm shkrimtarët e mëdhenj të gjeneratës së tij.

 

Ju admironi dhe e shprehni hapur ndërkohë këtë ndjenjë për Paula Fox dhe Alice Munro…

Për të parën do të thosha se askush nga Below, Roth apo Updike nuk ka shkruar një roman të vetëm të nivelit të “Ajo që më ka mbetur”, ndërsa mendoj se Munro thjesht është shkrimtarja më e madhe e gjallë.

 

Si ka mundësi që keni këto preferenca për letërsinë femërore?

Nuk dua që të bie në kurthin e seksizmit. Përkundrazi. Pohoj me të njëjtin entuziazëm që De Lillo është një autor shumë i madh, por të vlerësosh vetëm autorë meshkuj, mbi të gjitha është diçka e mërzitshme. Zakonisht, shkrimtaret, të paktën ato që unë çmoj dhe admiroj, janë më të interesuara për lidhjet dhe komunikimin dhe tentojnë më pak që t’i bien në sy lexuesit.

 

A nuk keni frikë se mos akuza për konservatorizëm që i adresohet Bloom të vlejë edhe për ju dhe ndërkohë, mund të akuzoheni edhe për qëndrimin tuaj ndaj teknologjisë?

I studioj teknologjitë e reja që nga mosha 20-vjeçare dhe nuk bëhet fjalë për diçka që u shfaq që jetën time kur isha në moshë të mesme dhe jam i bindur që rrjetet sociale dhe, veçanërisht “Twitter”, janë duke u përpjekur që njerëzit të mos arsyetojnë dhe të shkruajnë më.

 

A mendoni se kjo ka ndikimin dhe reflektimin e saj edhe në politikë?

Sigurisht. Rrjetet sociale mobilizojnë ata që janë dakord për diçka. Nuk e mohoj faktin që mund të shërbejnë për të komunikuar, por besoj se për sa i përket shprehjes së mendimeve, gjithçka reduktohet te një “mendim”, apo “shije”. Nuk besoj se mund të shkruash diçka serioze vetëm me 140 karaktere dhe thjeshtëzimi mbart gjithmonë me vete rrezikun e frazave që kanë thjesht efekt dhe madje, edhe të frazave të rreme.

 

Në një fjalim para një publiku akademik që keni mbajtur së fundi, ju i krahasoni objektet elektronike të përditshme duke i cilësuar si objekte ndaj të cilave njerëzit kanë një dëshirë dhe lidhje me ngjyrime gati erotike…

Tema e atij fjalimi, që në fakt, më pas u shtri edhe në një diskutim me auditorin, ishte kërkimi i dashurisë dhe duke folur për teknologjinë dhe median u ndala në marrëdhënien morboze që kanë njerëzit me celularët dhe objekte të tjera elektronike që i përdorin në jetë përditë. Ekzistojnë impulse gati erotike për në mjet që shumë-shumë e ka vendin në zyrë. Dhe për më tepër, ato janë shndërruar në objekte që ne presim të na i dhurojnë njerëzit që duam, të dashurit tanë. E lidhim edhe dashurinë me akte të tilla dhurimi.

 

Në atë diskutim ju thatë edhe se shkrimtarët flasin shpesh për veten e megjithatë, ju, në parim, e mohoni autobiografinë si parim…

Duhet që të kuptohemi në lidhje me natyrën e autobiografisë. Mendoj që nuk ka vepër më autobiografike se “Metamorfoza” e Kafkës dhe jam i ndërgjegjshëm që nuk mund të shmangesh, apo t’i ikësh kurrë vetes.

 

Ju keni shkruar një dekalog në lidhje me të shkruarit, në të cilin një nga urdhëresat thotë: “Foljet interesante janë shumë rrallë shumë interesante.”

Një folje të cilën e kërkojmë me shumë kujdes dhe vëmendje të madhe në faqet e para të një libri është një tregues i qartë dhe i dukshëm i asaj që shkrimtari nuk është duke “dëgjuar” dhe duke ndjekur zërin e brendshëm, por kërkon vetëm që të “godasë” lexuesin. Ta befasojë atë. E them këtë nga përvoja personale sepse janë gabime të cilat i kam bërë edhe unë dhe jo rrallë.

 

Një tjetër urdhëresë, apo këshillë, le ta quajmë që jeni ju, është: “Lexuesi është një mik dhe jo një kundërshtar dhe madje as edhe një spektator”…

Mendoj që është një urdhëresë gati fetare: duaje të afërmin tënd siç do veten. Kur lexoj nuk më pëlqen që të jem vetëm spektator dhe aq më keq një palë armiqësore që shkrimtari kërkon që ta korrigjojë përmes librit të tij.

Please follow and like us: