Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare dhe kritiku Zoto

ILIR YZEIRI

Më 28, 29 dhe 30 maj 2008 u mbajt në Universitetin Paris X (Nanterre La Défence) Kolokuiumi Ndërkombëtar “Lecture d’Ismail Kadaré”. Siç thonë organizuesit e kësaj veprimtarie në parathënien e botimit të librit me kumtesat që u mbajtën në këtë Kolokuium, “ishte hera e parë që mblidheshin në një universitet francez në të njëjtën kohë ata që e kanë njohur, kanë jetuar me të në Shqipëri dhe kanë lexuar veprat e tij atje, si dhe sociologë, etnologë, specialistë të letërsisë, të ardhur nga Shqipëria, SHBA-ja, Australia dhe nga universitete të ndryshme franceze, për të ballafaquar aty shijen e përftuar pas leximit të veprës së Kadaresë dhe përvojat e tyre, gjithashtu”. Mirëpo, botimi i vëllimit me kumtesat e mbajtura në këtë Kolokuium u bë i mundur vetëm pas tre vjetësh, pra, në nëntor të vitit 2011 dhe para disa muajsh ai mbërriti edhe në Shqipëri. Kjo është një nga arsyet pse jehona e kësaj veprimtarie po paraqitet kaq vonë, ndërsa një arsye tjetër më e madhe lidhet me kumtesën që mbajti aty Aleksandër Zotos, profesori me origjinë të largët nga Himara, por që banon e jeton prej kohësh në Francë. Origjinën e tij nga Himara, profesor Zotos në fillim, pra para rreth 30 vjetësh kur vinte në Shqipëri, parapëlqente ta paraqiste si shqiptare, ndërsa tani, ai kishte zbuluar se origjina e tij ishte greke dhe nga Himara gjithashtu. Këtë ai e kishte shumë për zemër që ta theksonte veçanërisht në orët e lira në pushim të Kolokuiumit. Natyrisht, kjo nuk i shtonte dhe as nuk i hiqte gjë Kolokuiumit francez, që i kushtohej shkrimtarit tonë të shquar ose më të shquarit shkrimtar shqiptar të të gjitha kohërave. Ishte hera e dytë që Franca organizonte një Kolokuium të tillë ndërkombëtar kushtuar Ismail Kadaresë. Në vitin 1992 – nga data 11 deri më 13 shtator – Shoqata e Shkrimtarëve të gjuhës franceze organizoi një Kolokuium Ndërkombëtar dhe kumtesat e mbajtura aty u botuan nën titullin “Ismail Kadaré, gardien de mémoire”.

* * *

Ismail Kadare është një ndër më të mëdhenjtë shkrimtarë botërorë të kohës. I përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë, i përfshirë në tekste shkollore dhe akademike universitare në pjesën më të madhe të globit, ai, bashkë me Nënë Terezën, është ikona më e lakmuar e shqiptarësisë në botë. Deri më sot, Shqipëria nuk ka pasur një personalitet letrar me të tilla përmasa që të jetë me identitet e kombësi shqiptare. Mirëpo fati i tij dhe fataliteti, gjithashtu, janë të lidhura me një periudhë të caktuar. Ai e shkroi pjesën thelbësore të veprës dhe u bë i famshëm nën diktaturë. Fati dhe fataliteti nuk mbyllet këtu, ai shtyhet më tej dhe takon një personazh tjetër të shquar, i cili është Jusuf Vrioni. Përkthimet e tij në frëngjisht në kohën e një izolimi total, por jo vetëm kaq, por përkthime me një frëngjishte brilante, duket sikur plotësuan paradigmën e një gjeniu që mahniti botën me veprën e tij, vepër që ai e shkruante nën diktaturë. Petër Morgan, profesori i letërsisë në Universitetin e Sidnejit në Australi, studiues i Gëtes gjithashtu, ka botuar një libër në anglisht që është përkthyer tash në fund edhe në Shqipëri, me titullin “Kadare, shkrimtari dhe diktatura 1957-1990”, në të cilin përpiqet të analizojë këtë raport, i cili megjithatë mbetet i padeshifrueshëm deri në fund, në qoftë se ti nuk ke qenë bashkëkohës me Kadarenë. Natyrisht, për shumë studiues të sotëm, por edhe për ata që do të vijnë më pas, ky raport i Kadaresë me diktaturën do të mbetet një argument joshës për të projektuar aty konceptet herë-herë mediokre për shkrimtarin, si një zgjatim të pushtetit në vende të pazhvilluara, siç mbahet Shqipëria vend e pa vend. Në shumë raste më ka qëlluar të takoj studiues perëndimorë që e shpjegojnë jetën tonë në diktaturë me citatet e Enver Hoxhës dhe e kanë të vështirë të kuptojnë se jeta në atë sistem të mbyllur e të egër, megjithatë vazhdonte, se kishte një letërsi mediokre pa fund, por kishte edhe letërsi normale e mbinormale. Përfytyrimi i tyre për Shqipërinë e diktaturës shpesh është sureal dhe në imazhin e tyre ne vizatohemi si ushtarë me kallashnikov në dorë që hamë njëri-tjetrin dhe që vrasim e grijmë njëri-tjetrin, gjithashtu. Natyrisht, diktatura shqiptare dhe Enver Hoxha kishin të gjitha tiparet e një regjimi të egër shtypës e izolacionist, por shqiptarët kanë jetuar e kanë qeshur edhe nën sundime më të egra, sepse ata e ndërpresin shumë shpejt lidhjen me shtetin e tyre dhe ndërtojnë jetën paralele, që mbështetet jo në respektimin e asaj që vendos shteti formal, por në sjelljen hipokrite ndaj shtetit formal. Të mbështjellë në vetvete, shqiptarët çojnë jetën e tyre informale duke konkurruar me shtetin formal. Po të vëresh edhe sot, shqiptarët janë shoqëria më informale në botë, që me shtetin sillen jo sikur ai të jetë pjesë e tyre, por si të jetë një konkurrent që duhet sfiduar. Në këtë pikë disa herë jam ndier i neveritur kur vend e pa vend, studiues të huaj përpiqen të shohin te vepra e Kadaresë se ku është diktatura, se letërsia në atë kohë nuk mund të kuptohej e shkruhej pa e lidhur me diktaturën. Nganjëherë të ngjan vetja sikur ti je i mbyllur dhe i rrethuar me hekura e me tela, si në një kopsht zoologjik dhe vizitorët perëndimorë vijnë e të soditin dhe kënaqësia apo kërshëria e tyre nuk është të kuptojnë se edhe ti je një si ata që jeton dhe mund ta sfidosh përmes gjenisë tënde mungesën e lirisë, por kërshëria e tyre është të kuptojnë dhe të dinë se si është lidhur teli yt me atë të shefit të zookopshtit. Natyrisht, vepra letrare apo letërsia në përgjithësi janë një entitet më vete. Studiuesit e sotëm kur flasin për mimetizmin dhe diegjezën, për ekzegjezën dhe hermeneutikën e kanë sqaruar se çfarë është thelbi i veprës letrare. Po ashtu, shkolla të tëra që mbështeten në teorinë e “literaritetit” të Jakobsonit e kanë ndriçuar gjithashtu këtë anë të njeriut që është joshja nga krijimi artistik. Më tej akoma studiuesit e gjysmës së dytë të shekullit që shkoi si Riceur e Beaudrillart, Barthes e të tjerë që u morën me tekstin letrar si të tillë, hodhën dritë në këtë strukturë të ndërlikuar të krijimit njerëzor që është letërsia. Shpesh ne bëjmë pyetjen se përse i duhet njeriut letërsia? Studiuesit kanë shënuar se bota që kemi përballë, mund të futet brenda nesh në dy mënyra, në atë mimetike dhe në atë diegjetike. Ne tretim në mendje e në shpirt ngjarje, emocione, ndjenja, frikëra, dyshime, jetë e vdekje, bukuri e trishtim në formë imazhesh e modelesh mendore, ashtu siç shtresojmë në memorie edhe nocione të thjeshta apo të ndërlikuara në mënyrë që të shtyjmë përpara jetën, të komunikojmë me të tjerët e të endim kështu stofin shoqëror. Letërsia, vënë në dukje studiuesit, e ndihmon njeriun që të kënaqë botën e tij diegjetike, i duhet njeriut që të verifikojë aty botën e tij paralele, atë që nuk e jeton kurrë në realitet, por që e mbrun dhe e ndryn në shpirt. Për këtë arsye libri dhe shkrimtari, piktura apo muzika janë të pazëvendësueshme në jetën e njeriut. Ndërsa gjenitë, ata që arrijnë të deshifrojnë botën universale të njeriut, janë në disa raste edhe njerëz pa atdhe të posaçëm. Me anë të shkrimit ata arrijnë të dekodifikojnë imazhe universale që i japin njeriut në çdo cep të globit kënaqësinë dhe joshjen që ai e provon vetëm atëherë kur me anë të shkronjave të një gjuhe ndërtohet bota paralele e diegjezës që secili nga ne e ruan në vetëdije e nënvetëdije. Më pas studiuesit përfshinë në konceptet e tyre edhe fenomenologjinë e veprës letrare dhe gjithnjë e më pak vepra shihej si një traktat shoqëror apo ideologjik. Mirëpo në disa raste, kur vjen puna për të analizuar veprën e Kadaresë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë, disa herë studiues të caktuar përpiqen të shohin aty jo një shkrimtar gjenial, por një punëtor të propagandës që ka shkruar deri edhe “Nëpunësin e pallatit të ëndrrave”, me porosi të Enver Hoxhës. Pikërisht këtë ide u përpoq të shtjellonte në kumtesën e tij në Paris, profesori Aleksandër Zotos në Kolokuiumin që përmenda më sipër.

* * *

 

Meqenëse Kolokuiumi Ndërkombëtar për Kadarenë është një ngjarje e rëndësishme, do të doja të sillja këtu hollësi që nuk gjenden në vëllimin me kumtesat që u mbajtën aty, botuar vitin që shkoi. Ditën e parë të Kolokuiumit dhe në hyrje të tij fjalën e mori në fillim Klod Durand, presidenti i shtëpisë botuese “Fayard”, që boton veprën e Kadaresë. Pas tij u bë një pushim i shkurtër dhe nisi seanca e parë e Kolokuiumit. Ardian Marashi, kolegu im dhe drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, si dhe pjesëtar i grupit organizues të Kolokuimit diskutoi në fillim. Kumtesa e tij kishte si argument romanin “Kronikë në gur”. Fill pas tij e mori fjalën profesori Aleksandër Zotos. Kumtesa e tij titullohej “De l’écrivain Kadaré au personage Kadaré et retour”, të cilën në shqip do ta përkthenim “Nga shkrimtari Kadare te personazhi Kadare e anasjelltas”. Nisa ta dëgjoj dhe në mendje më vinin titujt e veprave të tij për letërsinë shqiptare botuar në Francë. Më kujtohej sidomos vlerësimi tij për Kadarenë në një libër të posaçëm me titull “Nga Skënderbeu te Kadare”. Mirëpo tani dëgjoja një vlerësim krejtësisht të kundërt, gati-gati të inkriminuar. Nisa të vështroj në sallë dhe kolegët e mi shqiptarë që ishin Tomor Plangarica, ambasadori ynë Ylljet Aliçkaj, Dashnor Kokonozi dhe disa doktorantë, të cilët po shihnin të habitur. Nganjëherë të dukej se ishte vijim i atij folklorit të njohur të Tiranës e Prishtinës, pastaj të dukej sikur po dëgjoje jo një profesor letërsie, por një denoncues të shkrimtarit. Ai tha se pushteti, duke e njohur vlerën e tij, e nisi për studime në Moskë. Dhe kulmi, vini re: ai tha se Kadare ishte i vetmi shkrimtar shqiptar që studioi atje. (Lecture d’Ismail Kadaré, presse universitaire de Pari-Ouest, f. 134). Në fakt në Moskë, përveç Kadaresë kanë studiuar edhe shumë të tjerë saktësisht dymbëdhjetë shkrimtarë shqiptarë. Pastaj vjen argumentimi i gjatë se deri edhe vepra të tilla si “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, kanë qenë të porositura nga diktatura. Nuk po kuptoja asgjë. Si ka mundësi, thosha, që ky profesor që ka bërë të pamundurën që Kadare të marrë titullin “Honoris causa” në Universitetin e tij, që ka përkthyer një apo dy vepra të Kadaresë në frëngjisht, befas shpall se Kadare është pasqyra e diktaturës shqiptare. Isha përballë një sociologjie të tekstit që po i kalonte kufijtë e interpretimit artistik dhe po merrte formën e denoncimeve, isha përballë një njeriu që me një kumtesë po përpiqej të hidhte poshtë gjithë kultin që kishte ngritur ai vetë për shkrimtarin e madh. Në disa raste përmendi edhe Kosovën, madje angazhimin intelektual të shkrimtarit në këtë çështje ia kundërvuri idesë se Kadareja shpall që nuk ka qenë një shkrimtar i angazhuar. Pasi mbaroi, u ul dhe duke buzëqeshur po hidhte sytë në sallë që të rrëmbente ndonjë duartrokitje. Heshtje. U ngrita menjëherë dhe kërkova fjalën. Zoti më kishte ndihmuar dhe këtë profesor unë e njihja që më parë. Në fjalën time thashë se në një Kolokuium si ky do të ishte më mirë të flisnim për artin e Kadaresë dhe kolegët nga Franca të na shpjegonin se çfarë është art i madh dhe çfarë nuk është i tillë dhe si është e mundur që një shkrimtar që shkruante sipas Zotos me porosi të diktaturës, mahnit botën? Për fat të keq, vazhdova, unë që vij nga Shqipëria, jam i detyruar të dëgjoj të njëjtin vrer dhe të njëjtin denoncim që bëhet ndonjëherë në Tiranë kundër shkrimtarit tonë të madh. Me ty i dashur profesor, i thashë, unë kam një histori. Ai ngriti sytë dhe po më shihte me habi. Ju keni ardhur në Shqipëri në vitin 1982 dhe keni zhvilluar një bisedë me kursin tim të letërsisë kur unë isha student në vitin e tretë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë. Në atë kohë, pra në vitin 1982, ju na folët për dekadentizmin borgjez dhe ngritët lart letërsinë tonë të realizmit socialist. Në atë vit, i dashur profesor, madje në atë kohë, në një nga sallat e Pallatit të Kulturës bëhej gjyqi kundër romanit “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Ndërsa ju, pedagog i letërsisë nga Franca, na flisnit për letërsinë dekadente. Ju thatë këtu se personazhi Kadare dhe shkrimtari Kadare kanë qenë të lidhur me diktaturën. Pra, bëtë një denoncim të hapur. Natyrisht do të ishte mirë që edhe ju, i dashur profesor të na sqaronit raportin tuaj me diktaturën. Kush ju solli në Shqipëri në atë periudhë dhe më pas, çfarë shpërblimesh keni marrë kur keni botuar edhe letërsinë mediokre të realizmit socialist në Francë? Profesor Aleksandër Zotos ka hyrë e ka dalë në Shqipëri në kohën e diktaturës dhe së bashku me shumë të tjerë të huaj ka kontribuar në njëfarë mënyre që të përhapej komunizmi shqiptar në botë. Ndërsa sot që është në pension, është e pakuptueshme sepse ka marrë misionin që të denoncojë Kadarenë deri edhe në Kolokuiume Ndërkombëtare. Natyrisht vepra e Kadaresë është aty dhe me të, studiuesit mund të sillen si të duan, por në rastin e profesor Aleksandër Zotos, ka një gjë që nuk shkon. Është e pakuptueshme kthesa e tij në qëndrimin ndaj Kadaresë, ashtu siç është e pakuptueshme edhe dëshira e tij për t’u paraqitur një herë si shqiptar dhe një herë si grek. Sepse në takimin me ne studentët e vitit 1982 ai u paraqit si profesori francez me origjinë shqiptare.

Ndër historitë e errëta të komunizmit është, natyrisht edhe ajo e mecenatëve të huaj të komunizmit ose intelektualëve të majtë që paguheshin nga diktatura dhe që i shërbenin asaj duke “promovuar” veprat e diktatorit apo të diktaturës. Të tillë ka pasur shumë. Natyrisht profesor Aleksandër Zotos ka meritë se ka promovuar letërsinë shqiptare në Francë dhe sidomos ka ngritur lart me të drejtë veprën e Kadaresë. Qëndrimi i tij tash në fund mbetet një mister, që nuk mund të shpjegohet në kufijtë e një shkrimi si ky.

Please follow and like us: