Albspirit

Media/News/Publishing

Kreu i shtetit, në historinë e Shqipërisë 100-vjeçare

Ahmet Zogu kur ishte edhe president edhe kryeminister

Udhëtimi në kohë i një institucioni që duhet të simbolizojë unitetin

Dr. Fehmi Abdiu*

Udhëtimi në histori për një periudhë njëshekullore, për çfarëdo problemi që dëshirojmë të studiojmë, natyrisht që është i vështirë. Për ne kjo gjë vështirësohet edhe më tepër, po të kemi parasysh faktin se vështrimi i këtij problemi është i pleksur sa me historiografinë tonë shekullore, aq edhe me jurisprudencën që është shpalosur për krijimin e funksionimin e shtetit shqiptar. Që në fillim të kësaj ligjërate duhet thënë se si në doktrinë dhe në praktikë, kryetarin apo shefin e shtetit e gjejmë në dy forma; si organ monokratik, si individ, si i pari i një vendi dhe si organ qeverisës kolegjial. Veç kësaj na duhet të pohojmë që në fillim se në periudha të caktuara historike, natyra e këtij organi në vendin tonë nuk ka qenë shumë e qartë as ligjërisht.

1 – Siç dihet, bazat për krijimin dhe organizimin e shtetit shqiptar janë të shpalosura e të sanksionuara në vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, që i zhvilloi punimet nga 28 nëntori deri më 7 dhjetor 1912, që shpallën Shqipërinë si shtet të pavarur me një qeveri të përkohshme me kryetar Ismail Qemalin.

Ndër shumë vendime historike që u morën ato ditë, një çështje shumë e rëndësishme që është diskutuar e vendosur nga Kuvendi Kombëtar, ishte edhe zgjedhja e Pleqësisë, si një organ shumë i rëndësishëm, por pa përcaktuar qartë natyrën e këtij organi që në vetvete nuk njihej si duhet. Pavarësisht nga mungesa e përvojës, është i njohur fakti se në lidhje me këtë organizëm, rilindësi Sami Frashëri, në veprën e tij të njohur “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, e ka parashikuar Kryetarin e Pleqësisë si personi që duhej të zëvendësonte princin apo mbretin. Në të vërtetë, “Pleqësia nuk ishte as dhomë e dytë, senat dhe as këshill shteti – shkruhet në burimet e pakta që ekzistojnë dhe që e konsiderojnë atë më tepër si organ këshillimi dhe kontrolli ndaj qeverisë”. Kjo pleqësi do të zëvendësonte Kuvendin kur ky do të shpërndahej dhe do të bashkëpunonte me qeverinë. Pleqësia kishte të drejtë ta këshillonte qeverinë, por jo ta rrëzonte atë. Ose e thënë disi ndryshe, ajo ishte vetëm mëkëmbëse e Kuvendit.

2 – Në korrik të vitit 1913, nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, Shqipëria është shpallur principatë autonome e sovrane dhe e trashëgueshme dhe si shumë vendeve të tjera, i është imponuar për të pranuar e miratuar këtë status me një akt themeltar të dërguar prej Fuqive të Mëdha. Ndërsa më 7 mars 1914, me ardhjen e Princ Vidit, me Statutin Organik të Shqipërisë, vendi u shpall “Principatë Kushtetuese”, nën garancinë e gjashtë fuqive të mëdha me Princ Vidin në krye, si kryetar. Ai emëronte Këshillin e Ministrave. Duke përmbushur funksionet e njëshit apo të parit të vendit, princi gjithashtu kishte mjaft kompetenca si ligjvënës, nxirrte dekrete, zgjidhte kryetarin e Asamblesë, e shpërndante atë para mbarimit të mandatit etj. Në raport me Asamblenë Kombëtare, binte në sy fakti se princi miratonte ligjet si dhe kishte edhe të drejtën e vetos pezulluese.

3 – Ndër aktet më të rëndësishme për kohën e qeverisë që doli nga Kongresi i Durrësit, më 25 dhjetor 1918, gjejmë edhe krijimin e Pleqësisë, që ishte konceptuar si organ këshillimor për qeverinë, dhe kjo e fundit, nga ana e saj, ishte ajo që caktonte drejtuesit kryesorë të pleqësisë, si kryetarin, nënkryetarin dhe sekretarin. Në literaturë, Pleqësia është konsideruar si ekuivalente me senatin, megjithëse në koncept ndryshonte edhe me të. Pra, edhe në këtë rast, s’mund të flitet për një organ që drejtonte shtetin, si kryetar i tij.

4 – Kongresi i Lushnjës, më 21 janar 1920, miratoi Statutin e Lushnjës, që mund të quhet edhe dokumenti i dytë kushtetues shqiptar. Bazuar në të, kongresi nxori nga vendimmarrja e tij Senatin të përbërë nga 37 anëtarë, që më vonë u shndërrua në “Këshill Kombëtar” si dhe Këshillin e Lartë të përbërë prej 4 vetash, që në formë dukej se përfaqësonte kryetarin e shtetit derisa të përcaktohej përfundimisht forma e regjimit. Në fakt nuk kishte të drejtën e vetos pezulluese për ligjet dhe që në raport me atë të parin (Këshillin Kombëtar), kishte kompetenca më të pakta, aq sa, mund të thuhej, se varej prej tij.

5 – Mbas zgjedhjeve të vitit 1921-1922, u miratua Akti Kushtetues “Zgjerimi i Statutit të Lushnjës”, i cili në nenin 1 përcaktonte se “Vendin e Mbretit e zë përkohësisht Këshilli i Lartë me të drejtat dhe detyrat e caktuara në Statut”. Pra, ndonëse u ruajt monarki parlamentare, Këshilli i Lartë kishte funksionet e Kryetarit të Shtetit, por me kompetenca shumë të kufizuara. Me zgjerimin e Statutit të Lushnjës, Këshilli Kombëtar dhe Qeveria u karakterizuan nga mosmarrëveshje serioze, gjë që çoi në zgjedhjet e pranverës së vitit 1921.

6 – Me ardhjen në fuqi të Ahmet Zogut, Kuvendi e shpalli Shqipërinë Republikë Parlamentare dhe këtë të fundit si kryetar të Republikës Shqiptare, por siç dihet, Republika Parlamentare u shndërrua shumë shpejt në Republikë Presidenciale dhe për pak ditë më vonë, shpalli Ahmet Zogun si kryetar të Republikës Shqiptare. Ajo që të bën përshtypje në lidhje me këtë figurë me cilësinë e kryetarit të shtetit, është fakti se: “Kryetari i shtetit asht gjoja një element moderator, zbutës e paqetues, e prandaj po të baj gabime populli në zgjedhjen e senatorëve, ai i ndreq ato tue përmirësue përmbajtjen e Dhomës së Naltë”. Ky i fundit kishte kompetenca të gjera, ai kryesonte Qeverinë, caktonte vetë një të tretën e numrit të deputetëve, propozonte amnistinë Parlamentit, lidhte traktate të ndryshme e më tej, shpërndante me pëlqimin e Senatit, Dhomën e Deputetëve.

Në këtë cilësi, si kryetar i Republikës së Shqipërisë, ai nxori dekretin për zgjedhjen e Asamblesë Kushtetuese, të cilat u zhvilluan më 17 gusht 1928 dhe më datën 1 shtator 1928, Asambleja miratoi nenin 1 të Statutit të Ri Themeltar, me të cilin Shqipëria shpallej “Mbretëri Demokratike Parlamentare dhe e Trashëgueshme”.

Historia e mbretërisë na tregon se pushteti legjislativ ushtrohej bashkërisht nga mbreti dhe nga Parlamenti dhe se mbreti kishte shumë kompetenca, si të nënshkruante traktate me shtete të tjera, kishte të drejtë të shpërndante Parlamentin pa asnjë kufizim, të emëronte dhe të shkarkonte në çdo kohë kryeministrin dhe ministrat, siç kishte të drejtë edhe t’i akuzonte ata. Për herë të parë, u krijua Senati, si dhomë e dytë ose e lartë, që shërben dhe si mjet për të vendosur kontroll mbi dhomën e deputetëve.

7 – Pushtimi i vendit tonë nga Italia Fashiste, më 7 prill 1939, veç shumë e shumë gjërash, solli ndryshime edhe për këtë aspekt. Me shpalljen e bashkimit të kurorave midis “qeverisë shqiptare” dhe asaj të Emanuelit III, ky i fundit u shpall mbret monark i shqiptarëve. Me këtë akt, i gjithë pushteti legjislativ dhe ekzekutiv i përkiste mbretit.

8 – Pas 14 shtatorit 1943, kur u mblodh në Tiranë Komiteti Kombëtar, rrodhën ngjarje të tjera, që shfuqizuan vendimet për bashkimin e Shqipërisë me Italinë. Më pas, në krye të mekanizmit shtetëror u vendos Këshilli i Lartë si organ kolegjial, me 4 persona, që kryesonte me radhë, me rotacion. Ky organ, tani do të kryente funksionet që më parë i kishte mbreti.

9 – Duke qëndruar te Konferenca e Pezës, rezulton se ajo zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar, të përbërë prej 8 vetash, që kishte karakter politik dhe me një veprimtari të kufizuar në kohë.

10 – Më pas, Konferenca e Labinotit, e Shtatorit 1943, zgjodhi Këshillin e Ri Nacional-Çlirimtar, me 62 veta dhe kryesinë e tij me 16 anëtarë.

11 – Në Kongresin e parë Antifashist Nacional-Çlirimtar, që u mbajt më 24 maj 1944 në Përmet, u hodhën themelet për ndërtimin e shtetit të ri që zgjodhi Këshillin Antifashist Nacional-Çlirimtar, si trupi kryesor legjislativ dhe ekzekutiv që përfaqëson sovranitetin e popullit dhe të shtetit shqiptar dhe që shprehte parimin e unitetit të pushtetit.

12 – Asambleja Kushtetuese që u mblodh më 11 janar 1946, shpalli Republikën Popullore të Shqipërisë, duke i dhënë fund monarkisë, shpalli Kushtetutën e parë të pasluftës që u quajt “Statuti i Republikës Popullore të Shqipërisë”, zgjodhi Presidiumin e Asamblesë, që më vonë u shndërrua në Presidiumin e Kuvendit Popullor.

13 – Me Kushtetutën e vitit 1976, u theksua se Kuvendi Popullor është organi më i lartë i pushtetit shtetëror, mbajtës i sovranitetit të popullit dhe të shtetit, dhe i vetmi organ ligjvënës dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor që konsiderohej si Kryetar i Shtetit pati një rol formal.

Kushtetuta e vitit 1976, që është akti themelor më jetëgjatë, thelloi të quajturat parime themelore të mbështetjes në forcat e veta, luftës kundër kapitalizmit dhe imperializmit, kundër fesë etj., dhe ruajti sistemin e Republikës që udhëhiqej nga Partia e Punës, e vetme në vend.

14 – Me ndryshimin e sistemit politik në fillim të muajit prill 1991, u miratua ligji kushtetues “Mbi dispozitat kryesore kushtetuese”, që u plotësua disa herë deri në vitin 1998, bashkë me mjaft ndryshime që sollën si kryetar shteti, Presidentin e Republikës, që u zgjodh nga Parlamenti.

Me ligjin “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, datë 29.04.1991, për herë të parë pas vendosjes së pluralizmit, figura e Presidentit të Republikës përfaqësonte mbarë unitetin e popullit dhe në thelb bënte fjalë për një president klasik të një Republike Parlamentare me kompetenca të rëndësishme. Ajo që bie në sy është edhe fakti se në raste të ngutshme nxirrte edhe dekrete me karakter normativ, të cilat ia paraqiste për miratim Kuvendit Popullor në sesionin më të afërt.

Menjëherë pas fitores së Partisë Demokratike, dispozitat e ligjit të lartpërmendur u amenduan dhe në kompetencat e tij u shtua e drejta e Presidentit për të marrë pjesë në raste të veçanta në mbledhjet e qeverisë e për ta kryesuar atë, si dhe e drejta për të kërkuar nga organet e ekzekutivit të dhëna në lidhje me veprimtarinë e tyre. Këto, sidomos ajo që lidhet me qeverinë, ndryshuan ‘fizionominë’ e figurës së Kryetarit të Shtetit, sepse tejkaluan kompetencat e tij të zakonshme. Për këtë arsye, në shtypin e kohës, ky qëndrim është kontestuar.

Para përmbylljes së këtij vështrimi sipërfaqësor, për këtë problem është e nevojshme të përmendim se në vitin 1994 u përgatit një projekt i Kushtetutës, që iu nënshtrua një referendumi popullor, por që nuk fitoi, sepse kundër tij votoi 58% e popullsisë që mori pjesë në të. Duhet nënvizuar fakti se një nga shkaqet e dështimit të këtij projekti është konsideruar pajisja e Presidentit të Republikës me kompetenca shumë të gjera.

15 – Ky koncept bazë i Republikës Parlamentare me Presidentin e Republikës të zgjedhur prej ligjvënësve është përkrahur edhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e miratuar me referendumin e datës 22 nëntor dhe të shpallur nga Presidenti i Republikës më 28 nëntor 1998. Që nga viti 1991, Shqipëria me cilësinë e Kryetarit të Shtetit, ka Presidentin e Republikës.

*Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese Zëvendësrektor i Universitetit “Iliria”

Please follow and like us: