Albspirit

Media/News/Publishing

Kryeministri turk: Mbi 20 mijë të arrestuar për lidhje me FETO-n 

 

 

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, bëri me dije se 40 mijë e 29 persona janë ndaluar deri më tani, përfshi këtu policë, ushtarakë, anëtarë të gjyqësorit, administratorë lokalë dhe civilë, në kuadër të hetimeve lidhur me tentativën për grusht shteti nga organizata terroriste guleniste/struktura paralele në shtet FETO/PDY, njoftoi Radio Televizioni Shtetëror i Turqisë.

Gjatë një interviste ekskluzive për TRT-në, transmetuar drejtpërsëdrejti të mërkurën në mbrëmje, Binali Yildirim foli për rendin e ditës në Turqi dhe shpalosi të dhënat e fundit mbi hetimet në lidhje me puçin e dështuar të 15 korrikut.

Shefi i ekzekutivit turk sqaroi se 5 mijë e 187 persona hetohen ende nën masën e paraburgimit dhe 20 mijë e 355 të tjerë janë tashmë të arrestuar; ndërkohë që 79 mijë e 900 persona janë pezulluar përkohësisht nga detyrat e tyre në institucionet shtetërore dhe 5 mijë e 14 të tjerë janë shkarkuar plotësisht nga funksionet publike.

Sa i përket amendamentit për lirimin nën masën e kontrollit gjyqësor, që është përfshirë në dekretligjin e fundit të qeverisë turke, Yildirim theksoi se rreth 38 mijë të burgosur do të lirohen me kusht përpara vuajtjes së plotë të dënimit.

Ai vuri në pah se lirimi i parakohshëm nën masën e kontrollit gjyqësor “nuk është një amnisti” dhe përjashton të gjitha krimet e kryera pas 1 korrikut 2016.

“Nga ky dekretligj nuk do të përfitojnë në asnjë mënyrë të dënuarit për vrasje me dashje apo paramendim, për krime seksuale apo kundër jetës private dhe privatësisë së jetës, për prodhim dhe shitje të narkotikëve, për krime antikushtetuese dhe që cenojnë sigurinë e shtetit, për dhunim të sekreteve shtetërore, për krime kundër mbrojtjes kombëtare dhe për vepra penale të parashikuara nga ligji antiterrorizëm”, siguroi kryeministri turk.

Binali Yildirim u zotua gjithashtu se qeveria do të vazhdojë “fushatën e spastrimit” të anëtarëve të organizatës terroriste guleniste (FETO) nga sektori publik për të parandaluar rreziqet apo kërcënimet e mundshme në të ardhmen.

“Kemi marrë të gjitha masat e nevojshme kundër një tentative të dytë për grusht shteti. Prandaj kur themi rreziqet apo kërcënimet e mundshme në të ardhmen nuk e kemi fjalën për mundësinë e një tentative të re të armatosur për grusht shteti. Nuk janë zbuluar ende plotësisht të gjitha lidhjet e organizatës terroriste, që është shkaktarja dhe aktorja protagoniste e këtij puçi ushtarak, prandaj ato vazhdojnë të përbëjnë rrezik; për këtë e kemi fjalën”, theksoi ai.

Ndërsa në lidhje me deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit për ekzistencën e disa mekanizmave, që do të pengojnë arratisjen e kreut të FETO-s, Fethullah Gulen, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeqeveritari turk tha se kjo deklaratë, sipas gjasave, është bërë duke u nisur nga kërkesa e Ankarasë zyrtare për arrestimin e përkohshëm të Gulenit.

“Amerika, në fund të fundit, nuk ka sesi të mbrojë një kryeterrorist dhe një lider organizate, që dihet dhe janë provuar se kanë kryer krime. Ashtu si dhe ne, Amerika është një shtet ligjor. Kjo është çoroditje, një gjë e tillë është e paimagjinueshme”, vlerësoi Binali Yildirim.

“Gjyqësori ynë do të vazhdojë të bëjë punën e tij në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”, shtoi ai duke tërhequr vëmendjen, pa dhënë shumë detaje, se dëshmitë e fundit zbulojnë lidhje të reja sa i përket tentativës për grusht shteti.

Turqia akuzon Fethullah Gulenin, i cili jeton me dëshirë që prej vitit 1999 në Pensilvani, për orkestrimin e tentativës së dështuar për grusht shteti dhe i ka dërguar SHBA-së dy kërkesa zyrtare për ekstradimin e tij që të vihet përpara drejtësisë.

Nga ana tjetër, kryeministri turk shpjegoi edhe kursin e veprimit, mbi të cilin Ankaraja është duke punuar në mënyrë intensive, për ristrukturimin e shërbimeve të inteligjencës. Ai bëri me dije se do të ketë dy institucione të veçanta; agjencia e zbulimit të brendshëm dhe ajo e zbulimit të jashtëm.

“Shërbimi Informativ Kombëtar (MIT) do të jetë përgjegjës për aktivitetet e zbulimit të jashtëm. Shërbimi i zbulimit të brendshëm do të organizohet në një agjenci të re. Ndërsa me koordinimin ndërmjet shërbimeve informative do të merret Departamenti i Koordinimit të Inteligjencës Kombëtare”, tha ai.

Yildirim foli gjithashtu për sulmin terrorist të PKK-së ndaj stacionit policor në Van.

“Le të bëjnë ç’të duan; do të vuajmë pak, por tek e fundit do t’u vijmë hakut edhe këtyre. Populli ynë të mos ketë as më të voglin dyshim në lidhje me këtë çështje. Do t’i gjunjëzojmë edhe këta njësoj siç bëmë me FETO-n”, u shpreh Yildirim.

Shefi i qeverisë turke rikujtoi edhe lidhjet ndërmjet organizatave terroriste FETO dhe PKK.

Ky – vijoi ai – nuk është më një sekret, pasi lidhjet FETO-PKK duken qartë në raportet e shërbimit informativ; mes tyre kanë kontaktuar dhe kanë rënë dakord një sërë çështjesh edhe përpara, edhe pas tentativës për grusht shteti.

Në fund, kryeministri preku edhe politikën e jashtme. Ai tha se ekziston një formacion i quajtur Koalicioni Arab i Sirisë për sa i takon zonës Manbij, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë premtuar se nuk do të lejohet një grupim apo vendosje kurde dhe kanë rikonfirmuar se do t’i qëndrojnë besnik këtij angazhimi.

“Megjithatë ne po e ndjekim nga afër këtë çështje”, përfundoi Binali Yildirim.

Please follow and like us: