Albspirit

Media/News/Publishing

Loja e bixhozit e Hitlerit me pushtimin e Polonisë që ndezi Luftën e Dytë Botërore

Kur Hitleri pushtoi Poloninë, ishte i bindur se Britania dhe Franca do të vazhdonin politikën e tyre të pajtimit dhe ndërmjetësimit për një zgjidhje paqësore. Bradley Lightbody konsideron këtë si keqllogaritje të Hitlerit dhe si kjo çoi Evropën të binte në luftë.

Nga Bradley Lightbody
BBC

Bixhozi

Në orën 04:45 të datës 1 shtator 1939 luftanija gjermane Schleswig-Holstein hapi zjarr mbi garnizonin polak të Fort Westerplatte, Danzig (sot quhet Gdansk), në atë që do të bëhej angazhimi i parë ushtarak i Luftës së Dytë Botërore. Njëkohësisht, 62 divizione gjermane të mbështetura nga 1300 avionë filluan pushtimin e Polonisë.

Vendimi i Adolf Hitlerit për të pushtuar Poloninë ishte një lojë bixhozi.

Wehrmacht (ushtria gjermane) nuk ishte ende në fuqinë e plotë dhe ekonomia gjermane ishte ende e drejtuar në prodhim për kohë paqeje. Si e tillë, pushtimi i alarmoi gjeneralët e Hitlerit dhe ngriti kundërshtim ndaj komandës së tij – planet e tij të luftës rrodhën nga komanda e lartë në duart e Britanisë dhe Francës.
Ndërsa pjesa më e madhe e Vermahtit ishte angazhuar në lindje, gjeneralët e Hitlerit bënë thirrje për kujdes dhe kërkuan më shumë kohë për të përfunduar mbrojtjet e “Murit Perëndimor”, në mënyrë që të frenonin ndonjë kundërofensivë eventuale të britanikëve dhe francezëve në perëndim. Udhëheqësi i tyre hodhi poshtë shqetësimet dhe kërkoi besnikërinë e tyre totale.

Hitleri ishte i bindur se pushtimi i Polonisë do të rezultonte në një luftë të shkurtër dhe fitimtare për dy arsye të rëndësishme. Së pari, ai ishte i bindur se dislokimi i parë në botë i korpusit të blinduar do të mposhte forcat e armatosura polake në një ofensivë Blitzkrieg të menjëhershme. Së dyti, ai gjykoi kryeministrat britanik dhe francez, Neville Chamberlain dhe Edouard Daladier, të ishin të dobët, udhëheqës të pavendosur të cilët do të detyroheshin për një zgjidhje paqësore dhe jo luftë.

Rishikimi i Traktatit të Versajës
Gjykimi i përparshëm ishte një produkt i suksesit të Hitlerit i cili fitoi një rishikim të konsiderueshëm të Traktatit të Versajës të vitit 1919 – në të cilin u hedhën poshtë disa kufizime të rënda për Gjermaninë pas humbjes së saj në Luftën e Parë Botërore – në mes të viteve 1935-1938. Britania dhe Franca kishin pranuar riarmatimin gjerman në vitin 1935, ri-pushtimin e Rhinland-it në vitin 1936 dhe te Anschluss, ose bashkimin me Austrinë në mars të vitit 1938, të gjitha këto në kundërshtim me Traktatin.

Në Mynih, në shtator të vitit 1938, Britania dhe Franca me dëshirë gjithashtu miratuan transferimin e detyruar të Sudetenland “etnikisht” gjerman nga Çekosllovakia në Gjermani. Hitleri me plot sukses kishte frikësuar fuqitë perëndimore nga kërcënimi i veprimeve ushtarake, dhe në veçanti përmes frikës së përhapur të sulmit ajror nga ana e me anë të fuqisë së zjarrit të Luftwaffe.
Hitleri gjithashtu u ndihmua edhe nga opinioni publik në perëndim, i cili konsideronte Traktatin e Versajës të kishte të meta dhe ruante besimin se kërcënimi më i madh i demokracive perëndimore vinte më tepër nga komunizmi sesa nga fashizmi. Në këtë kontekst shumë mirëpritën një riarmatim të Gjermanisë, si një mburojë kundër Bashkimit Sovjetik.

Rrjedhimisht Hitleri gëzonte një masë të madhe opinioni pozitiv të shtypit në perëndim gjatë gjithë periudhës 1933-38, siç dëshmohet nga organizimi i Olimpiadës të vitit 1936 në Berlin si edhe vizitave që u konsideruan të favorshme nga Duka i Windsor dhe ish-kryeministri britanik David Lloyd George.

Kërcënimi në rritje
Klima pozitive përfundoi në Mars të vitit 1939. Hitleri, i trimëruar nga sukseset e tij të mëparshme, urdhëroi pushtimin gjerman të Çekosllovakisë, fitoi krahinën e Memel nga Lituania, dhe bëri presion mbi Poloninë për të lejuar ndërtimin e rrugës së re dhe hekurudhave në të gjithë territoret e saj për të përmirësuar komunikimin ndërmjet Prusisë Lindore dhe Gjermanisë.
Prusia Lindore ishte ndarë nga pjesa tjetër e Gjermanisë në vitin 1919, kur aleatët ripërcaktuan kufijtë e Gjermanisë dhe Rusisë për të ri-krijuar shtetin e pavarur të Polonisë. Polakët kishin humbur pavarësinë e tyre si një shtet komb në 1795, kur Rusia Cariste dhe Prusia kishin ndarë dhe aneksuar tokat polake.
Aneksimi i Çekosllovakisë nga ana e Hitlerit shkeli garancitë me shkrim që kishte lëshuar tek Chamberlain në Mynih në vitin 1938, duke deklaruar se ai nuk kishte kërkesa të mëtejshme territoriale në Evropë. Prandaj, më 31 mars 1939 Chamberlain lëshoi një garanci formale mbi kufijtë e Polonisë dhe tha se priste që Hitleri të moderonte kërkesat e tij.

Hitleri nuk u tremb, dhe më 3 prill ai urdhëroi Wehrmacht për t’u përgatitur për pushtimin e Polonisë i cili do të bëhej në 1 shtator. Hitleri ishte i bindur se Chamberlain nuk do të shkonte në luftë për të mbrojtur Poloninë dhe se Francës i mungonte vullneti për të vepruar e vetme.

Pakti Nazisto-Sovjetik
Shqetësimi i vërtetë dhe i vetëm i Hitlerit ishte se një pushtim i papritur gjerman i Polonisë mund të alarmonte Stalinin dhe të shkaktonte një luftë me Bashkimin Sovjetik. Nga ana tjetër Stalini i frikësuar nga një pushtim gjerman po kërkonte një aleancë “sigurie kolektive” anti-naziste me fuqitë perëndimore për shumë vite, por deri në korrik të vitit 1939 Britania dhe Franca nuk kishte rënë dakord ende mbi kushtet e aleancës.

Polonia kishte refuzuar gjithashtu edhe një aleancë me Bashkimin Sovjetik, dhe kishte refuzuar lejen e Ushtrisë së Kuqe për të kaluar në territorin e polak për t’u angazhuar kundër Wehrmacht në një luftë në të ardhmen. Hitleri pa oportunitetin, dhe autorizoi Ministrin e tij të Jashtëm, Joakim Fon Ribentrop të hynte në negociata të fshehta me Bashkimin Sovjetik.

Rezultati ishte nënshkrimi i paktit nazisto-sovjetik në 23 gusht te vitit 1939. Hitleri dhe Stalini lanë mënjanë antipatitë e tyre të ndërsjellta për përfitime kombëtare dhe në mënyrë të veçantë rivendosjen e kufijve të tyre të para 1919-tës.

Pushtimi
Hitleri në ekstazë të plotë afroi datën e pushtimit në 26 gusht, për të përfituar nga befasia që pakti kishte provokuar në perëndim. Megjithatë, vetëm disa orë para sulmit Hitleri anuloi pushtimin kur aleati i tij Musolini deklaroi se Italia nuk ishte e gatshme të niste një luftë, dhe Britania deklaroi një aleancë formale ushtarake me Poloninë.
Pasi siguroi mbështetjen politike të Musolinit, Hitleri rivendosi që pushtimi të kryhej në 1 shtator të vitit 1939. Pushtimi nuk varej nga mbështetja ushtarake italiane dhe Hitleri konsideroi traktatin anglo-polak si një gjest i kotë.
Në orën 6 të datës 1 shtator, Varshava u godit nga një seri bombardimesh të vazhdueshme, ndërsa dy grupet më të mëdha të ushtrisë gjermane pushtuan Poloninë nga Prusia në veri dhe Sllovakia në jug. Epërsia në ajër u arrit që në ditën e parë, pasi shumica e forcave ajrore të Polonisë u kapën në terren. Skuadrat e Panzerave thyen linjat polake dhe i lejuan këmbësorisë gjermane të lëvizte përmes pjesën e pasme të forcave mbrojtëse polake.
Në prag të vijës së sulmit, Luftwaffe bombardoi rëndë të gjithë rrugët, kryqëzimet hekurudhore dhe përqendrimet e trupave polake. Qytetet dhe fshatrat u bombarduan me qëllim që të krijonin një masë civilësh të terrorizuar në eksod që bllokonte rrugët dhe që pengonte ardhjen e përforcimeve të para.

Duke fluturuar përpara Panzerave, avionët bombardues në pikiatë Junkers Ju-87 (Stuka), kryenin rolin e artilerisë, dhe shkatërruan çdo pikë të fortë polake në rrugën gjermane. Strategjia surprizë gjermane e blitzkreig u bazuar paraprakisht mbi avancimin e vazhdueshëm dhe parandalimin e një vije statike të frontit të dyluftimeve që do tu jepte forcave polake kohën për tu rigrupuar.

Në orën 08:00, të datës 1 shtator, Polonia kërkoi ndihmë të menjëhershme ushtarake nga Franca dhe Britania, por u desh mesdita e datës 3 shtator që Britania të shpallte luftë kundër Gjermanisë, e pasuar nga deklarata e Francës në orën 05:00. Vonesa reflektoi shpresat britanike se Hitleri do t’u përgjigjet kërkesave dhe do të ndalonte pushtimin.

Përgjigja e Perëndimit
Komandantët ushtarakë perëndimorë ishin rrënjosur në strategjitë e Luftës së Parë Botërore dhe krejtësisht të papërgatitur për pushtimin e shpejtë të Polonisë. Ata prisnin që gjermanët të bombardonin vijën polake me artileri të rëndë për disa javë para nisjes së një pushtimi të plotë.

Rrjedhimisht ndërsa Panzersat avanconin, trupat franceze kufizuan veten në bojskautizëm dhe hartografimin e “West Wall” (Murit Perëndimor) gjerman, ndërsa prisnin dërgimin e Forcës së Ekspeditës Britanike (BEF) dhe mobilizimin e plotë të saj. Nuk kishte asnjë strategji sulmuese, sepse Franca priste të luftonte një luftë në mbrojtje, dhe kishte investuar shumë në mbrojtjen statike të vijës Maginot. RAF-i britanik gjithashtu lëshoi, jo bomba por fletëpalosje, duke kërkuar një marrëveshje paqeje.

Në 6 shtator, dy grupet e ushtrisë Wehrmacht ishin takuar në Lodz, në qendër të Polonisë dhe kishin carë vendin në dysh, duke kapur pjesën më të madhe të ushtrisë polake kundër kufirit gjerman. Dy ditë më vonë, Panzerat kishin futur në kurth forcat polake duke i shtyrë në pesë xhepat e izoluar të përqëndruar rreth Pomerania, Pozan, Lodz, Krakov dhe Carpathia.

Dymbëdhjetë prej divizioneve polake ishin të kalorësisë, të armatosur me ushtat dhe mburoja, dhe nuk kishin asnjë mundësi kundër tankeve. Çdo xhep u bombardua në mënyrë të pamëshirshme, dhe kur trupat polake mbaruan ushqimin dhe municionet nuk patën zgjedhje tjetër por të dorëzohen.

Me 8 shtator Panzersat që udhëhiqnin ishin në periferi të Varshavës, duke mbuluar 140 milje në vetëm tetë ditë. Dy ditë më vonë të gjitha forcat polake u urdhëruan të tërhiqen prapa dhe të rigrupohen në Poloninë lindore për një përballje të fundit. Të gjitha shpresat u mbështetën mbi një ofensivë të madhe franceze dhe britanike në perëndim për të lehtësuar presionin.

Megjithatë, pavarësisht deklaratave të Marshallit Maurice Gamelin se Ushtria franceze ishte plotësisht e angazhuar në luftime, të gjitha veprimet ushtarake në frontin perëndimor përfunduan më 13 shtator, kur trupat franceze u urdhëruan të tërhiqen prapa sigurisë që ofronte vija Maginot. Varshava ishte e rrethuar më 15 shtator, dhe vuajti ndëshkimin e bombardimeve pa shpresë lehtësimi.

Më 17 shtator Ushtria e Kuqe kaloi kufirin polak në lindje, në përmbushje të marrëveshjes së fshehtë brenda paktit nazisto-sovjetik, dhe përfundoi çdo perspektivë mbi mbijetesën e Polonisë. Ata polakë të cilët mundën, u larguan përtej kufirit në Rumani, dhe shumë arritën më pas në perëndim duke vazhduar luftën nën e emrin e Forcave të Lira Polake. Midis tyre ishin pilotët, të cilët ishin shumë të mirëpritur në RAF dhe morën pjesë në Betejën e Britanisë. Varshava duroi trimërisht deri më 27 shtator, por pas 18 ditë bombardimesh të vazhdueshme në fund u dorëzua në orën 2:00 të pasdites. Gjermania kishte arritur një fitore të shpejtë, por jo fundin e luftës. Britania dhe Franca refuzuan të pranonin ofertën e paqes së Hitlerit. Loja e kumarit dështoi dhe Polonia ishte bërë fushë beteja e parë e Luftës së Dytë Botërore.

Please follow and like us: