Albspirit

Media/News/Publishing

Marinari i puthjes së fitores në “Times Square”

Misteri i fotos së vitit 1945, i treguar në një libër

Është puthja më e gjatë e historisë: kanë kaluar 67 vjet, por misteri i “The Kiss” është ende i pazbuluar, njësoj si përqafimi i zjarrtë i çiftit që bëri të ëndërronte Amerikën dhe të gjithë botën mbarë. A ju kujtohet fotoja e famshme në kopertinën e revistës “Life”? Marinari që gëzon për jetën dhe nga lumturia i jep një puthje infermieres veshur me të bardha nën sfondin e pangatërrueshëm të “Times Square”. Është 14 gushti i vitit 1945 dhe radioja sapo i ka dhënë lajmin botës së lirë se lufta ka përfunduar. Japonia u dorëzua. Nju Jorku është përfshirë nga festimet. “Në entuziazmin e atij momenti, për marrjen e një lajmi aq të madh, marinari vendosi të puthte infermieren e parë që do të takonte”, thotë sot George Caldorisi, një prej dy autorëve të “The Kissing Sailor”, libri që pretendon se ka zbuluar të vërtetën e legjendës së marinarit të panjohur.

FOTOJA E EISENSTAEDT ËSHTË IKONA E PËRFUNDIMIT TË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

Por cili ishte ky person? Autorët e librit “Puthja e marinarit” nuk kanë dyshime: personazhi i bërë i famshëm nga ky gjest ka një emër dhe mbiemër. Quhet George Mendonsa dhe sot është një pensionist i cili jeton në Rhode Island. Ai është simboli i mbarimit të luftës, marinari i panjohur i bërë i famshëm nga Alfred Eisenstaedt, fotoreporteri mitik që vetëm me katër shkrepje solli në sytë e botës momentin e atij çlirimi të dyfishtë: çlirimit nga lufta dhe triumfit të dashurisë.

Por çfarë provash kanë Caldorisi, një ish-aviator i flotës ushtarake detare amerikane i specializuar në rindërtimin e luftërave, dhe Lawrence Verria, mësues historie nga Providence, qyteti i marinarit të panjohur, për të zgjidhur misterin e puthjes së vitit 1945?

SIPAS DY STUDIUESVE, BURRI QË KA PËRQAFUAR INFERMIEREN QUHET MENDONSA

Ajo fotografi e mrekullueshme bardhezi mbeti një ikonë pa emra dhe fytyra për më shumë se 30 vjet, edhe pse në portën e fotoreporterit nuk trokiti askush për ta kërkuar. Një ditë të bukur të vitit 1979, Alfred Eisenstaedt lexoi një copëz letër të shkruar nga një farë Edith Shain. Zonja i kërkonte nëse mund të kishte një kopje të fotos. Në letër shkruhej: “Sepse vajza në foto jam unë”. Kështu fotografi vendosi ta takonte dhe t’i dorëzonte foton ku Edithit nuk i dukej asnjë pjesë tjetër e trupit përveç këmbëve. Por sa keq për profesorët që kanë marrë në dorë çështjen në fjalë, sepse Shain vdiq para dy vjetësh dhe nuk arriti as të merrte mirënjohjen simbolike.

Mesa duket, në këtë pikë, historia ndërlikohet edhe më shumë. Zbulimi i gruas e shtyu revistën “Life” të bënte një njoftim për marinarin e panjohur. Përse ai nuk shfaqej? Këtu vjen edhe surpriza: ai jo vetëm që nuk u bë i gjallë, por filluan të vinin marinarë e infermiere të tjera, të cilët as që kishin lidhje me foton. E gjendur në këtë situatë, revista “Life” vendosi t’i falënderonte të gjithë pjesëmarrësit. Në fund të fundit, atë ditë në “Times Square” qindra marinarë e infermiere mund të ishin përqafuar me njëri-tjetrin dhe mendonin se mund të ishin protagonistët e fotos.

Ndërkaq libri i dy studiuesve “The Kissing Sailor” ka mbledhur të gjitha provat e marinarit të vjetër. Në skenë është shfaqur edhe një superdëshmitare, e cila është bashkëshortja e George Mendonsa-s, Rita. Ajo është gruaja që duket pas çiftit në fotografi. Rita ka dëshmuar gjithashtu se ishte e fejuara e marinarit, i cili për të festuar fundin e luftës e kishte tepruar me alkool e doli dhe i puthte të gjitha vajzat që i dilnin para. Megjithatë duket se as ky rrëfim nuk mjaftoi. Duke i krahasuar pretendentët dhe foton, studiuesit arritën të vërtetonin përmes disa teknikave të specializuara se marinari ishte pikërisht Mendonsa. Djaloshit iu identifikuan edhe tatuazhet.

Ju do të pyesni a u zgjidh misteri? Mesa duket ende jo. Aspirantët e tjerë nuk dorëzohen lehtë, edhe pse lufta ka përfunduar me kohë. Edhe pse kjo do të cilësohet si puthja më e gjatë e historisë, protagonistët do të vazhdojnë të mbeten të pazbuluar.

 

INFERMIERJA: SIPAS LIBRIT “THE KISSING SAILOR”, INFERMIERJA E FOTOS ËSHTË GRETA ZIMMER FRIEDMAN, E CILA SOT ËSHTË 89 VJEÇE. NË TË KALUARËN, NJË GRUA TJETËR, EDITH SHAIN, THOSHTE SE ISHTE INFERMIERJA

MARINARI: GEORGE MENDONSA, 89 VJEÇ, ËSHTË NJË NGA SHUMË AMERIKANËT QË MORËN IDENTITETIN E MARINARIT. AI E DENONCOI REVISTËN “LIFE” QË NUK E NJOHU, POR TANI LIBRI I VERRIA-S DHE GALDORISI-T I DHA TË DREJTË

FOTOJA SIMBOL: PUTHJA MES NJË INFERMIEREJE DHE NJË MARINARI NË “TIMES SQUARE”, NJU JORK, E FOTOGRAFUAR NGA ALFRED EISENSTAEDT MË 14 GUSHT TË 1945-S DHE E PUBLIKUAR MË PAS NË REVISTËN “LIFE”. KJO ËSHTË FOTOJA IKONË E PËRFUNDIMIT TË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

Please follow and like us: