Albspirit

Media/News/Publishing

Michelle Williams – Përgjithmonë Marylin Monroe

MICHELLE WILLIMAS ËSHTË RRITUR ME MITIN E MARILYN MONROE. SI TË GJITHË, MË SHUMË SE TË GJITHË. “QË E VOGËL KAM PARË DHE KAM LEXUAR GJITHÇKA PËR TË. E NDIEJA VETEN SI DETEKTIVE, DOJA TË ZBULOJA SEKRETET E SAJ”. JO MË KOT ISHTE AJO PROTAGONISTJA E FILMIT “MY WEEK WITH MARILYN”, QË TREGON PËR BRISHTËSINË DHE SHQETËSIMET E SAJ

Michelle Willimas është rritur me mitin e Marilyn Monroe. Si të gjithë, më shumë se të gjithë. “Që e vogël kam parë dhe kam lexuar gjithçka për të. E ndieja veten si detektive, doja të zbuloja sekretet e saj”. Jo më kot ishte ajo protagonistja e filmit “My week with Marilyn”, që tregon për brishtësinë dhe shqetësimet e saj. Të njëjtat që edhe ajo vetë ka përjetuar kur partneri i saj Heath Ledger humbi jetën.

Michelle sheh, flet dhe buzëqesh si Marilyn. Madje shtoi edhe pak kilogramë për t’i ngjarë sa më shumë të ishte e mundur kur ta interpretonte në ekranin e madh. Michelle Williams është thjesht e bukur në këtë periudhë. Më në fund e qeshur e plot dritë pas trishtimit për humbjen e shokut dhe babait të vajzës së saj, aktorin australian Heath Ledger, që humbi jetën në vitin 2008. “Ishte shumë e vështirë të ecja përpara pas vdekjes së Heath. Si për mua ashtu edhe për vajzën time Matildën. Ka qenë një dashuri e madhe dhe momentet e kaluara me të do të jenë të paharrueshme. Pas vdekjes së tij, gjithçka humbi kuptimin, madje edhe vetë ekzistenca ime. Nuk e di se çfarë do të kisha bërë nëse nuk do të kisha vajzën. Ishte ajo e vetmja shpresë, e vetmja që i dha një kuptim jetës, ajo që më bëri një nënë më të mirë”, thotë aktorja. Ende sot ka një trishtim të thellë në sy dhe flet me vështirësi për këtë argument. Gjithsesi tema e bisedës është për filmin e saj të ri “My week with Marilyn”, për të cilin mori edhe një nominim për “Oskar”. “Nuk më erdhi keq që nuk fitova, sepse unë e di që përpara Meryl Streep nuk do të kisha asnjë mundësi për të fituar. Ajo është një aktore e mrekullueshme”. Filmi i frymëzuar nga fakte të ndodhura vërtet, është marrë nga libri i Colin Clark dhe tregon periudhën kur diva amerikane, atëherë e martuar me shkrimtarin Arthur Miller, u zhvendos në Angli. Faktet tregohen nga vetë Clark, që nxjerrin në dritë jetën e shqetësuar të Marilyn. “Marilyn ka qenë gjithmonë një ikonë për mua”, thotë aktorja. “Që fëmijë mbaja një poster të saj në murin e dhomës sime. Ishte ulur në një lëndinë, në një ditë me diell dhe dukej plot lumturi e dëshirë për të jetuar”. Ajo fotografi e bëri shumë për vete. “Nisa të bëja kërkime, të shihja filma e të lexoja libra për të: doja të dija çdo detaj për jetën e saj. Ndonjëherë e ndieja veten si dedektive që ndjek gjurmët e dikujt. Në fund e ndjeva që e madhja Marilyn Monroe ishte bërë si një mikeshë për mua, aq sa e njihja shumë mirë”. Ndoshta kjo ishte arsyeja që pranoi një rol kaq impenjativ. “Do të kisha bërë gjithçka për ta pasur këtë pjesë. U binda më shumë ku lexova skenarin me një frymë deri në fund. Edhe pse e kisha frikë përpalljen me një shpirt kaq të trazuar sa ai i Marilyn”. Ajo është nga ato aktore që zhytet thellë në personazhet që interpreton, madje identifikohet me ta. “Ja përse futem në krizë në çdo film të ri, shpirtërisht dhe fizikisht. Nëse personazhi im është i lumtur, jam edhe unë, nëse është i trishtuar provoj të njëjtën vuajtje. Në fund të provave, për mua është thelbësore të di se kam bërë të pamundurën, se kam dhënë vetveten. Kam gjithmonë shumë dyshime për interpretimin tim, dhe më duket sikur nuk kam dhënë maksimumin”. Michelle e pranon se shumë shpesh vuan nga pasiguritë, edhe si aktore, edhe si grua. “Por nuk jam e bindur që është defekt. Ndonjëherë jep më të mirën kur gjendesh nën presion. Pasiguria mund të jetë një motor vital, një forcë e jashtëzakonshme që të ndihmon të shkosh përtej limiteve të tua”. Në film ajo tregon se iu desh të mësonte të këndonte dhe të kërcente për këtë rol… “Po, dhe e ndjeva veten pak të çuditshme. Por u argëtova shumë. Më pëlqen të kërcej dhe të këndoj. Më vendos në humor të mirë”. Disa nga skenat e filmit janë xhiruar në Parkside House, ku Marilyn ka jetuar për një periudhë të gjatë kohe. “Nuk do e harroj kurrë ditën time të parë atje. Ishte njëlloj si nën efektin e një magjie. Isha ulur në dhomën ku ajo shkruante letra e poezi, dhe në të njëjtën kuzhinë ku ajo përgatiste vezët që i pëlqenin aq shumë. Isha nervoze dhe e qetë njëkohësisht, sepse ai vend është vërtet i mrekullueshëm dhe të jep shumë paqe. E kuptoj se përse e ka zgjedhur si strehën e saj”.

 

Please follow and like us: