Albspirit

Media/News/Publishing

Neuroletërsia, lidhja e fortë me njeriun

Shpesh, kur themi se një roman na bën për vete, ndodh sepse duket sikur i kemi jetuar emocionet që tregohen brenda tij. Sipas studimeve të fundit të psikologëve dhe shkencëtarëve është vërtet kështu. Ja si ndodh…

EDHE NJË HERË U VËRTETUA SE LEXIMI I VEPRAVE TË MËDHA TË LETËRSISË NA NDIHMON TË ZGJEROJMË HORIZONTIN DHE TË BËHEMI PERSONA MË TË MIRË. SHKENCA THJESHT VËRTETOI QË KJO ËSHTË E VËRTETË MË SHUMË SE SA E IMAGJINONIM

Sot, virtytet e letërsisë mund të na duken të vjetra, ose demode, për shkak të teknologjisë, mirëpo nga neuroshkenca na vijnë disa të dhëna që tregojnë të kundërtën, duke zbuluar kështu se çfarë ndodh realisht në trurin tonë kur lexojmë një tregim të veçantë, metafora ose një marrëdhënie intensive midis dy personazheve. Sipas një studimi amerikan, letërsia stimulon trurin dhe ndryshon sjelljet tona. Studiuesit e dinë prej kohësh se zonat “klasike” të të folurit luajnë rol të rëndësishëm në mënyrën sesi truri i interpreton fjalët e shkruara. Megjithatë, vetëm vitet e fundit është zbuluar se letërsia aktivizon disa zona të veçanta të trurit, gjë që do të shpjegonte më së miri arsyen se përse ndonjëherë tregimet na duken aq të gjalla. Për shembull, fjalët si “livando”, “kanellë” dhe “sapun” nxisin një reagim jo vetëm në zonat e trurit që përdoren për përpunimin e gjuhës, por aktivizojnë edhe ato të nuhatjes.

Një studim tjetër i kryer në Spanjë, në vitin 2006, dhe i publikuar nga revista “Neuroimage”, mori në analizë reagimin e disa pjesëmarrësve. Subjektet iu nënshtruan rezonancës manjetike funksionale, teksa lexonin disa fjalë që lidheshin ngushtë me sferën e nuhatjes dhe disa fjalë të tjera të konsideruara neutrale. Përballë fjalëve të tilla “parfum” dhe “kafe”, korja primare e nuhatjes së subjekteve aktivizohej për t’u rikthyer pastaj në qetësi kur përmendeshin fjalë si “karrige” dhe “çelës”.

Një studim anglez është marrë me mënyrën se si truri i njeriut reagon ndaj metaforave. Në të kaluarën, disa shkencëtarë pohonin se kombinimet figurative (për shembull “një ditë e rëndë”), tingëllojnë aq familjare saqë mendohen si fjalë normale nga truri. Para disa muajsh, një grup tjetër studiuesish nga “Emory University”, bëri të ditur përmes faqeve të “Brain & Language” se leximi i një metafore e tipit të prekshëm shkaktonte aktivizimin e kores ndijore (përgjegjëse për prekjen) te subjektet që merrnin pjesë në studim. Kështu, nëse këto metafora “këngëtari ka një zë prej kadifeje”, ose “kishte duar të ashpra” nxisin koren ndijore, atëherë fraza të tilla si “këngëtari ka një zë të këndshëm” ose “i kishte duart e forta” nuk shkaktojnë asnjë lloj reagimi, duke e lënë indiferente atë.

Keith Oatyley, profesor i psikologjisë konjunktive në Universitetin e Torontos (dhe autor romanesh) ka hedhur hipoteza se leximi sjell një stimulim të gjallë të realitetit. “Ngjarja projektohet në mendjen e lexuesit njësoj siç projektohet një simulim kompjuterik në monitor”. Nga ana tjetër, edhe romanet e mbushur me fragmente të bukura, metafora, krahasime, që përshkruajnë në detaj personazhet dhe historitë e tyre, ofrojnë një përvojë komplekse.

Ka edhe raste kur romanet e kapërcejnë realitetin duke u dhënë lexuesve një mundësi që në fakt nuk ekziston: futja në mendimet dhe ndjenjat e individëve të tjerë. Shkenca ka treguar gjithashtu se truri, ashtu siç reagon ndaj aromave, prekjes dhe shikimit, i përgjigjet edhe ndërveprimit mes personazheve të librit, a thua se bëhet fjalë për takime të drejtpërdrejta.

Duke qëndruar sërish te shkenca dhe zbulimet e saj, është konfirmuar gjithashtu se leximi ndikon në aftësitë tona shoqërore. Në dy studime të kryera nga shkencëtarët europianë me ata amerikanë në bashkëpunim dhe të publikuara në 2006-n dhe 2009-n në një revistë shkencore, personat që lexojnë shumë romane janë më të aftë t’i kuptojnë të tjerët, të identifikohen me ta dhe të shohin botën nga këndvështrimi i tyre. Një përfundim i tillë është nxjerrë edhe nga një studim i kryer në vitin 2010 te fëmijët në moshë parashkollore: sa më i madh numri i librave të lexuar, aq më të informuar e të zhvilluar ishin ata. Mendohet se të njëjtin efekt kanë edhe filmat, por çuditërisht jo nga televizori.

Librat në veçanti nxisin stimuj tepër të vlefshëm, sepse ndërveprimet shoqërore janë komplekse dhe kërkojnë të vlerësojnë një mori ndërveprimesh mes shkakut dhe pasojës. Pra, ashtu si simulimet kompjuterike mund të na ndihmojnë që të kuptojmë disa koncepte abstrakte, për shembull si të pilotojmë një avion, ose të parashikojmë se si do të jetë koha, ashtu edhe romanet e tregimet e tyre mund të na udhëzojnë që t’i kuptojmë më mirë të tjerët, e të hyjmë në botën e tyre. Pra, edhe një herë u vërtetua se leximi i veprave të mëdha të letërsisë na ndihmon që jo vetëm të zgjerojmë horizontin, por edhe të bëhemi persona më të mirë. Shkenca thjesht vërtetoi që kjo është e vërtetë më shumë se sa e imagjinonim.

KËRKIMET: KUR LEXOJMË FRAZA TË BUKURA, AKTIVIZOHEN DISA ZONA TË TRURIT, NJËSOJ SIKUR TË ISHIM DUKE I PËRJETUAR ATO QË PO RRËFEHEN

HISTORITË: SIPAS NJË STUDIMI, MENDJA E FËMIJËVE NË MOSHË PARASHKOLLORE ZHVILLOHET MË SHUMË KUR LEXOJNË LIBRA

Please follow and like us: