Pilotja e avionit e hedh pasagjerin jashtë pas komenteve seksiste
Shumë e kanë problem të jenë në një makinë që drejtohet nga një grua. Ata që e kanë tepër problem, mund të zgjedhin të dalin nga makina. Situata bëhet më e vështirë kur gruaja nuk është shofere, por pilote avioni. Kështu ndodhi në një avion të kompanisë Braziliane ku një pilote u bezdis nga komentet seksiste të një pasagjeri që e kishte problem të gjendej në një avion të pilotuar nga “seksi i dobët”. Komentet e tij për fat të mirë erdhën para nisjes së avionit. Pilotja e nxorri pasagjerin dhe nisi udhëtimin pa të. Tip Airlines tha në një deklaratë se “shkelmi” që e nxorri pasagjerin seksist jashtë, erdhi pasi ai me zë të lartë bëri komente cenuese për gratë pasi mësoi se avioni drejtohej nga një femër. Avioni e vijoi udhëtimin pas një vonese prej një ore. Pasagjeri u shoqërua nga policia deri jashtë aeroportit por nuk bëhet e ditur nëse përballet apo jo me ndonjë akuzë. Kompania thotë se nuk do të lejojë pasagjerët të bëjnë komente të pakëndshme për asnjë nga 1400 gratë që punojnë për të.