Raporti gjerman: Turqia, platformë qëndrore veprimi për grupet islamiste
Që prej së martës është e qartë se çfarë mendon qeveria gjermane për raportin me Turqinë. Një ditë më vonë, pjesëmarrësit përpiqen ta minimizojnë rastin e vështirë.
Se kush ua ka përcjellë gazetarëve dokumentin jo ndihmues për marrëdhëniet gjermano-turke kjo mbetet e paqartë edhe pas konferencës qeveritare. Mediet ndërkombëtare të akredituara në kryeqytet duan të dinë para së gjithash se a ka qeveria gjermane një qëndrim të unifikuar për përmbajtjen e dokumentit. Por për këtë as që mund të bëhet fjalë. Ministria e Jashtme nuk i mbështet deklaratat e medieve “të shprehura në mënyrë kaq të përgjithshme”, tha zëdhënësja Sawsan Chebli.
Zëdhënësi i Merkelit thekson “marrëdhëniet e veçanta” me Turqinë
Por se cilat paragrafë të dokumentit nuk i pëlqejnë institucionit të saj, këtë Chebli e lë të hapur. Edhe zëdhënësi i Angela Merkelit, Steffen Seibert tërheq vëmendjen disa herë për konfidencialitetin e pjesëve të caktuara të teksteve. Por një gjë është e dukshme: si Kancelarja, ashtu edhe ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier mundohen qartësisht përmes zëdhënësve të tyre që t’ia largojnë mprehtësinë dokumentit delikat. Të dy theksojnë “marrëdhëniet e veçanta” me Turqinë.
Ata tërheqin vëmendjen për luftën e përbashkët kundër “Shtetit Islamik” dhe tek bashkëpunimi në çështjen e refugjatëve; por edhe tek rreth tri milionë vetët me origjinë turke në Gjermani. Që Turqia mban kontakte edhe me Hamasët palestinezë, të cilët Gjermania i ka shpallur organizatë terrroriste, këtë Chebli e komenton në mënyrë diplomatike: “Të gjitha dialogjet që zhvillohen kanë rëndësi shumë të madhe në rajon”. Njëkohësisht ajo tërheq vëmendjen që marrëdhëniet e Turqisë me Izraelin janë përmirësuar. Pra me atë vend, të drejtën e ekzistencës të të cilit Hamasët nuk e pranojnë.
Nga Ankaraja ka ardhur një reagim i fortë. Në të, ministria e Jashtme e kundërshton vlerësimin e Turqisë si “platformë qendrore veprimi” për islamistët. Këto pohime, thuhet, janë “një dëshmi tjetër për pozicionimin e gabuar, me të cilin prej disa kohësh bëhen përpjekje për ta dërrmuar vendin tonë, duke vënë në shënjestër Presidentin e shtetit tonë ose qeverinë tonë”.
Informacionet më të rëndësishme janë nga BND
Po të kishte ushtruar dot Ministria e Jashtme gjermane ndikim në përmbajtjen e shkresës, ndoshta ajo do të kishte qenë më pak e qartë. Ky supozim është afërmendsh, pas 62 minutash pyetjesh këmbëngulëse të gazetarëve dhe përgjigjeve kryesisht shmangëse. Por e qartë është edhe se përgjigja dërguar Grupit Parlamentar e Majta nga Ministria e Brendshme Gjermane pasqyron në thelb qëndrimin e qeverisë gjermane. Në fund të fundit, vlerësimi për Turqinë dhe për marrëdhëniet e saj të shumëllojshme me islamistët vjen kryesisht nga Shërbimi Informativ Gjerman. Ai është përgjegjës për kundërzbulimin – dhe është në varësi të Zyrës Kancelarore. /DW – Titulli origjinal: Berlini ul rëndësinë e raportit për Turqinë dhe “islamikët”