Respublica: Dy standardet e PS për drejtësinë dhe Gjykatat
Partia Socialiste është përpjekur të mbajë lart flamurin e reformës në drejtësi, si e vetmja forcë që lufton për një drejtësi të standardeve europiane, përballë asaj që e quan fronti i së keqes. Por qëndrimet që shfaq nuk lidhen dhe aq me parimet e një drejtësie të pavarur, por me standardet që vetë kjo parti krijon në raport me drejtësinë kur i preken interesat e saj. Ajo që është më flagrante lidhet me imunitetin që i jep vetes si forcë progresiste për të komentuar vendimet e Gjykatave, madje të marrë edhe rolin e Gjykatës. Ky është reagimi i Partisë Socialiste pas vendimit të Gjykatës Administrative që nuk pranoi kërkesën e saj për të shpallur të pavlefshëm dekretin e presidentit Nishani për datën e zgjedhjeve në Dibër.
“Vendimi në fjalë është dështimi i radhës i drejtësisë në këtë vend. Ai është marrë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Civile, Kodin e Procedurës Administrative dhe ligjin e posaçëm që rregullon funksionimin e kësaj Gjykate. Së dyti, argumentet e përdorura për mospranimin e kërkesës sonë janë të pabazuara dhe në padijeni të plotë të ligjit. Një gjykim kaq i mjerë profesionalisht dhe zbatimi i dy standarteve në drejtësi nga gjykatësi dhe Gjykata Administrative, është një tjetër alarm i fortë për pushtetin gjyqësor dhe domosdoshmërinë e fillimit të zbatimit pa humbur kohë të Reformës në Drejtësi”
Le të kujtojmë tani një tjetër standard të Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj kur Gjykata e Lartë dënoi për shpifje ndaj kryeministrit deputetët Edi Paloka dhe Arben Ristani. Reagimi i kryeministrit ishte ky: “Dënimi sot nga Gjykata e Larte i dy shpifesve profesioniste, te cilet per shkak te aftesise se tyre te spikatur profesionale ne fushen e shpifjes, jane zgjedhur perkatesisht si kryetar grupi e sekretar i pergjithshem i PD, është një lajm i mirë. Së pari”, sepse opinioni publik mesoi nga nje pale e trete, pra nga Gjykata e Larte e vendit, qe akuzat e bera ndaj meje nga keta zanatçinj te baltes politike, per medemek lidhje me krimin e me kriminele me damke, jane shpifje dhe asgje tjeter”. http://www.gazetaexpress.com/lajme/rama-denimi-i-palokes-dhe-ristanit-pe….
Pra është Partia Socialiste dhe kryeministri që vendosin se kë Gjykatë duhet të duatrokasim dhe kë duhet të anatemojmë edhe pse aksioma Ligji është i barabartë për të gjithë, formalisht nuk ka ndryshuar as në Shqipëri mesa dijmë.