Albspirit

Media/News/Publishing

Rusi: Sulmet nga Irani, përpjekje për dërgim të mesazhit

Më 15 gusht, organizata mediale Al-Masdar News, me lidhje të afërta me aparatin e sigurisë së qeverisë së Sirisë, ka publikuar fotografi të bombarduesit strategjik me rreze të gjatë veprimi të Rusisë, të tipit TU-22M3, për të cilat thuhet se ishin bërë në bazën ajrore Hamadan në Iran.

Gjatë mëngjesit të ardhshëm, mediat shtetërore ruse kanë raportuar se bombarduesit strategjik rusë janë ngritur nga baza iraniane dhe kanë sulmuar caqe në provincat Alepo, Deir ez-Zor dhe Idlib, në Siri.

Aktivistët sirianë dhe shtetasit e tjerë kanë postuar video në rrjete sociale për shkatërrime masive dhe shkallë të lartë të viktimave në terren, si pasojë e këtyre sulmeve ajrore, disa prej të cilave duket se ishin punë e aeroplanit rus, TU-22M3.

Kush është në shënjestër të sulmeve ruse?

Derisa kumtesat e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, më 15 gusht, thonin se me sulmet ajrore janë vrarë militantë nga grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), dhe nga grupi tjetër, Jabhat Al-Sham (ish-Fronti Al-Nusra i lidhur me al-Kaidën), zëdhënësi i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, Christopher Graver, u tha reporterëve se “ne nuk shohim përqëndrim të ISIS-it” në hapësirat Alepo dhe Idlib, që janë qëlluar më së tepërmi nga sulmet ajrore të Rusisë.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner, i tha Zërit të Amerikës se aeroplanët rusë duket se e kanë vazhduar sjelljen e tyre të qartë të “marrjes në shënjestër në mënyrë dominuese të forcave opozitare të moderuara siriane”.

Sa janë efikas aeroplanët TU-22M3?

Prej shtatorit të vitit 2015, Forca Ajrore e Rusisë ka ndërmarrë sulme ajrore në gjithë Sirinë. Pjesa më e madhe e aeroplanëve të këtij vendi në këto operacione janë kryer nga baza ruse Latakia, në pjesën juglindore të Sirisë.

Aeroplanët TU-22M3 janë përdorë nga Rusia në Siri, por ata janë tepër të mëdhenj për pistat ajrore ruse në Siri, prandaj ata janë ngritur nga bazat në Rusi. Përdorimi i bazave iraniane e zvogëlon gjatësinë e fluturimeve të bombarduesit, kështu që me ngritjet nga Irani mund të kursehet koha, karburanti dhe çmimi i mirëmbajtjes, megjithëqë këto kursime mund të mos jenë të atilla çfarë priten për shkak të operacioneve në vendin tjetër.

Po ashtu, shtrohet pyetja nëse bombarduesit strategjikë i shtojnë shumë kapacitetet operacionale ruse.

Kryengritësit kundër presidentit sirian, Bashar al-Assad, që duket se janë cak i rusëve, nuk mbajnë pozicione me fortifikim të rëndë dhe nuk përdorin tanke të sofistikuara, kundër të cilave do të sulmonin aeroplanët rusë, TU-22M3.

Rusia kryesisht i ka përdorë bombarduesit strategjikë në Siri për t’i sulmuar qytetet dhe vendbanimet, një taktikë që është shkatërruese për civilët.

Rusia, po ashtu, i ka përdorë bombarduesit strategjikë për të lansuar raketa me fluturim të ulët, për të cilat ekspertët konsiderojnë se më tepër janë çështje simbolike sesa taktike.

Megjithatë, përdorimi i bombarduesve strategjikë nuk është pa qëllim. Kur Rusia filloi t’i përdorë këto raketa në vjeshtë të vitit 2015, ato është dashur të udhëtojnë nëpër hapësirën iraniane dhe irakiane, që do të thotë se këto dy vende është dashur t’i miratojnë fluturimet e aeroplanëve.

Këtë javë, përsëri, Rusia kërkoi siguri për ta përdorë hapësirën ajrore mbi Iran dhe Irak për lansimin e raketave me fluturim të ulët.

Në këtë mënyrë, Rusia u sinjalizonte armiqve të vet se misionet e saj në Siri kanë legjitimitet dhe janë miratuar nga vendet e tjera.

Mesazhi: Askush nuk mund ta ndalë Rusinë

Më tutje, derisa shumë prej sulmeve ajrore i kanë goditur grupet e armatosura, që kanë luftuar kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), dhe janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, rusët kanë dërguar mesazh te sirianët dhe e gjithë bota se Moska ka gatishmëri për t’i mbështetur aleatët e vet me të gjitha mjetet që Kremlini i ka në dispozicion, dhe se askush nuk mund të bëjë asgjë për t’i ndalur ata.

Muajin e kaluar, kryengritësit sirianë e thyen rrethimin e Alepos dhe potencialisht e kanë kthyer momentin e luftës kundër regjimit të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, dhe kjo paraqet dobësi të ushtrisë së Assadit.

Mbase Rusia edhe njëherë do të involvohet direkt në konflikt, me qëllim që t’i kthejë prapa kryengritësit.

Aktivisti i njohur sirian, Raed Fares, që jeton në Kafranbel në provincën Idlib, në vjeshtën e vitit 2015, pati thënë se “Assadi na ka bombarduar neve për pesë vite, pastaj Hezbollahu, Irani dhe tash Rusia…të gjithë ata po na vrasin dhe askush në botë nuk kujdeset për ne”.

Kush po e dobëson BE-në?

Duke se komponentë kryesore e strategjisë së koalicionit të Assadit është për t’i ndjekur njerëzit sikur Raed Fares nga Siria. Nëse askush nuk mbetet në vend, pos xhihadistëve dhe mbështetësve të Assadit, meqë të moderuarit ose janë vrarë, janë refugjatë ose janë radikalizuar, atëherë tregimi rus se të gjithë ata që e kundërshtojnë Assadin janë terroristë, përfundimisht shndërrohet në storje të vërtetë.

Më tutje, mbjellja e kaosit të mëtejmë dhe krijimi i më tepër refugjatëve, paraqet, po ashtu, përftim për Assadin dhe Rusinë.

Sa më tepër refugjatë do të largohen tek armiqtë rajonalë të Assadit, ata do të bëhen më të dobët në proces. Të tjerët do të largohen në Evropë, ku e djathta ekstreme, ndonjëherë në favor të Kremlinit, dhe partitë politike euroskeptike, po ndihmojnë në dobësimin e Bashkimit Evropian nga brenda. (REL)

Please follow and like us: