Saba Sahar, guximtarja e Kabulit
SABA SAHAR ËSHTË REGJISORE DHE AKTORE. NË AFGANISTAN PËR NJË GRUA ËSHTË NJË ZGJEDHJE E VËSHTIRË QË TALEBANËT NUK E FALIN. JA SE ÇFARË TREGON AJO PËR PROFESIONIN QË ADHURON DHE FRIKËN SE NË DARKË NUK DO TË MUND TË KTHEHET E GJALLË NË SHTËPI.
Në një bazë ushtarake me siguri maksimale, temperatura shënon 4 gradë nën zero. Dhjetëra agjentë të antiterrorizmit presin të kujdesshëm. Por kësaj radhe nuk është eprori i tyre që do u japë urdhra: është aktorja Saba Sahar, skenariste dhe e para regjisore në historinë e Afganistanit. Sahar ecën me hap të vendosur përpara telekamerave. Mban veshur këpucë me taka, sytë i ka lyer me blu, ndërsa në hundë ka vendosur një vath floriri. Në vend të shamisë preferon vetëm një shall dhe një palë syze të mëdha dielli. Në një vend ku vetëm 12 për qind e grave di të lexojë dhe shumë pak prej tyre punojnë, Sarah është duke nxjerrë produksionin e saj të shtatë. “Komisari Amanullah” është një serial televiziv me 24 episode, ku Sarah është regjisore dhe protagoniste në rolin e një komisareje kurajoze dhe të pakorruptuar që lufton terrorizmin në një botë të dominuar nga meshkujt.
Kinemaja dhe herezia
Të gjithë filmat e Sahar janë policesk, ku protagonistja është aktiviste për të drejtat e njeriut, që ndeshet gjithmonë me të këqijtë, talebanët, zotërinjtë e luftës në emër të islamit apo drogës, sipas rasteve. Është si një lloj superheroi në gjendje të luftojë për të mirën e komunitetit. Sahar është një police e vërtetë: shkollën e ka përfunduar 22 vjet më parë. Ende sot punon part-time në policinë e Kabulit. Nuk është e ndrojtur dhe këtë e tregon edhe para gazetarëve të shumtë të huaj që e rrethojnë. “Dua të tregoj që gratë afgane mund të bëjnë gjithçka që bëjnë edhe burrat. Dua t’u tregoj këtyre të fundit që i mbyllin në shtëpi gratë dhe fëmijët e tyre, se është koha t’i lënë të lira, të edukohen dhe të punojnë për të ndërtuar vendin”. Dëshira e saj është që katër fëmijët, dy prej të cilave vajza, të rriten në një vend ku të gjithë janë të barabartë. Por të jetosh një jetë të tillë ka edhe kostot e veta. “Çdo mëngjes që dal nga shtëpia e di që mund të jetë i fundit. Vite më parë e kërcënuan me vdekje”, thotë Sahar. Por kërcënimet për të janë diçka e vazhdueshme. “Më thirrën dhe më thanë se sikur e gjithë qeveria të më mbronte do të më vrisnin gjithsesi”. “Do të vrasim në rrugë, në publik”, i patën thënë. Sot Sahar nuk del kurrë nga shtëpia pa pistoletë dhe një truprojë të armatosur. Është rritur në një kohë kur Kabuli ishte plot me teatro dhe kinema. Ajo gjithmonë ka dashur të jetë aktore. Herën e parë që u ngjit në një skenë ishte 8 vjeçe. Ndërsa shkruante skenarin e saj të parë, në vitin 1996, talebanët erdhën në pushtet. Kinematë u mbyllën, sepse imazhet u konsideruan si një herezi. Atë vit, talebanët sulmuan Institutin e Kinematografisë Kombëtare duke djegur gjithçka. Sahar u arratis drejt Pakistanit. Disa prej miqve të saj u vranë, vetëm sepse ishin duke parë filma. Kur regjimi taleban u rrëzua, Sahar u rikthye në Kabul dhe themeloi një studio të vetën për prodhimin e filmave. Në 2004-n u projektua edhe filmi i saj i parë “Ligji”, që çuditërisht rezultoi shumë i suksesshëm.
Sot bashkëjetojnë dy Afganistanë: ai i riu, që lufton për një të ardhme të hapur dhe liberale, dhe Afganistani konservator i shqetësuar për të ndëshkuar çdo sjellje antiislamike. Kërcënimet me vdekje janë pjesë e lojës. “Të bëj filma është pasioni im. E dua vendin tim dhe dua t’u tregoj njerëzve që Afganistani nuk është vetëm luftë, drogë dhe terrorizëm. Jam gati të jap jetën për të drejtat e mia”, thotë ajo. Talebanët nuk presin gjë tjetër. “Filmat argëtues janë kundër ligjeve të Sheriatit”, thotë me qetësi një komandat taleban që jeton në një shtëpi të survejuar në periferi të Kabulit. Kush bën këta filma duhet paralajmëruar se po gabon rëndë. “Nëse kjo nuk i ndal atëherë duhen ndëshkuar sipas ligjit të Sheriatit”, thotë ai. Me fjalën ndëshkim sigurisht kuptohet vdekja. Në gjashtë kinematë e Kabulit jepen vetëm filma indianë dhe pakistanezë, por në shumicën e rasteve ato janë bosh. Pjesa më e madhe e njerëzve preferojnë t’i shohin filmat në vende të sigurta, si për shembull në shtëpi.
Një moment i artë
Salim Shaheen është një nga aktorët më të njohur të kinemasë afgane. Thotë se bën filma prej 30 vjetësh dhe pse është vetëm 42 vjeç. Ka drejtuar dhe interpeluar në 107 filma. Ai e di më mirë se të tjerët, se kinemaja në Afganistan është një aktivitet i rrezikshëm. Më 1993-n humbi 9 prej shokëve të tij në sheshin e xhirimeve që u godit nga një granatë. “I kam paguar me gjak dhe jetën e kolegëve të mi të 107 filmat që kam bërë. Do të vazhdoj në emër të tyre, nuk do të rresht kurrë së bëri filma”. Por nëse do të rikthehen talebanët, do të jetë i detyruar të lërë vendin. Sipas tij, sapo trupat e huaja të largohen nga vendi, kaosi do të fillojë sërish. Edhe Saba Sahar e di se nëse rikthehen talebanët në krye të vendit do të duhet të braktisë Afganistanin. Projekti i saj i ardhshëm është një film për talebanët. “Shpresoj të fitoj një çmim në Kanë apo ‘Oskar’”, thotë. “Nuk e di nëse do të jetoj ende pasi të bëj këtë film, por me shpresën e Zotit them se po”.