Shkollë antiimperialiste në Bolivi
Presidenti i Bolivisë Evo Morales hapi një akademi të re ushtarake, e cila sipas tij do të ofrojë kurse për të kundërshtuar influencën e SHBA-së në botën në zhvillim.
Morales tha se qëllimi i akademisë është studimi i imperializmit dhe pasojave të tij. Sipas Morales, kjo akademi do të përballet me shkollën ushtarake të Amerikës në Xhorxhia, e cila stërviti aleatët e SHBA-së gjatë Luftës së Ftohtë. Disa prej të diplomuarve të kësaj shkolle u kthyen në vendet e tyre në Amerikën Latine dhe kryen krime të rënda ndaj njerëzimit dhe shkelje serioze të të drejtave të njeriut.
Akademia e re e Bolivisë gjendet në qytetin Santa Kruz dhe do të nisë punën me 100 rekrutë. Ministri bolivian i Mbrojtjes, Reimi Ferreira tha se shkolla antiimperialiste do të ruajë jetën, ndryshe nga shkolla amerikane që i bindi oficerët ushtarakë se populli ishte armiku.
Ai tha se kjo shkollë do të ndihmojë ushtarakët që të identifikojnë kërcënimet kryesore ndaj sovranitetit të vendit. Që kur mori pushtetin në vitin 2005, presidenti i Bolivisë ka pasur një marrëdhënie shpesh të tensionuar me SHBA. Ai akuzon Uashingtonin se ka nxitur grushte shteti kongresionale si në rastin e presidentes së Brazilit Dilma Rusef, apo se promovon terrorizmin përmes ndërhyrjeve ushtarake dhe si shembull përmend Shtetin Islamik.