Albspirit

Media/News/Publishing

SULLTANI ISLAMIK NDËRMJET ALEATËSH E VËLLEZËRISH

Shkruar nga ANGELO PANEBIANCO/

Përktheu për Diellin:Eugjen Mërlika/

Pothuajse kanë sigurisht të drejtë ata që mendojnë se, nga takimi ndërmjet Putinit dhe Erdoganit, nuk do të lindë një aleancë e qëndrueshme mes Rusisë e Turqisë në funksion kundër perëndimor. Ngjajshmëritë e fuqishme mes dy autokratëve dhe demokracive përkatëse autoritare, nuk mjaftojnë për të fshirë shumë pika në të cilat interesat (çështja siriane në krye) e tyre ndahen. Është e drejtë të kujtohet se Turqia nuk mund t’i lejojë vetes, për arsye sa ekonomike aq edhe gjeopolitike, të prishet përfundimisht me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Nuk do të lindë pra, një “bosht” Ankara – Moskë i ngjajshëm me atë ndërmjet Romës, Berlinit e Tokios që u zyrtarizua më 1940. Por risia është dhe mesazhi, që Erdogani ka dashur t’i përcjellë Shteteve të Bahkuara dhe Evropës, nuk duhet nënëvlerësuar. Mesazhi është ky : kur ishte e gjallë e zotëruese Turqia e krijuar nga Mustafa Qemal Ataturku, duke filluar nga 1923, Turqia laike, evropiane, që frymëzohej nga modelet perëndimore, aleanca me Perëndimin (përkatësia në NATO, vullneti për të marrë përfundimisht “patentën” e Vendit evropian, duke marrë pjesë në Bashkimin) ishte e natyrëshme dhe e pashmangëshme. Por tani që Turqia e Ataturkut, Turqia evropiane është në shkatërrim dhe ata që i kanë dhënë shpirt janë në duart e sejmenëve të presidentit turk, ose të katandisur në pafuqi e në  heshtje, sulltanati islamik në lindje na thotë se, tani e tutje (në të vërtetë Erdogani na e ka bërë t’a kuptojmë prej disa vitesh) nuk do të ketë më aleanca “të natyrshme”, të padiskutueshme e të qëndrueshme me perëndimorët, nga të cilët shoqëria turke gjithënjë e më shumë largohet.Do të ketë vetëm përputhje të përkohëshme interesash, që do të bisedohen herë pas here. Pasojë e ndryshimit kulturor në rritje ndërmjet Turqisë e Perëndimit, pasojë e atij ri-islamizimi të shoqërisë turke, i nisur me fitoren zgjedhore të pushtetit nga ana e partisë islamike në 2002, i përkrahur e i drejtuar në mënyrë të matur e të zvarritur për disa vite, e tani  i shpejtuar dukshëm në vazhdim të kundër grushtit fitues të Shtetit të Erdoganit.

I përket specialistëve, njohësve të shoqërisë turke, t’i përgjigjen një pyetjeje : Erdogani do t’arrijë t’a shtypë përfundimisht Turqinë evropiane, Turqinë laike trashëgimtare të  Ataturkut? Sigurisht, ai ka sot në anën e tij shumicën e Vendit. Në sajë të masave islamike, sot në shumicë, Erdogani e ruajti pushtetin kundër ushtarakëve. Por ç’do të bëhet me pakicën e rëndësishme, mjaft të bollshme (pothuaj gjysma e Vendit), bijën e një shekulli të politikës laike, ç’do të bëhet me Turqinë që deri tani nuk ka dëshmuar asnjë dëshirë ri-islamizimi ? A do të mjaftojnë spastrimet e dhunëshme të regjimit t’a thyejnë përfundimisht atë ? Është ky çelësi për të kuptuar se si do të lëvizë në skenën ndërkombëtare Turqia e s’ardhmes. Nëse Erdogani nuk do t’arrinte të fuqizonte pushtetin e tij për shkak të pamundësisë së tij për të nënështruar plotësisht pjesën jo islamike të Vendit, atëherë dobësia e tij e mbrendëshme do të pasqyrohej mbi veprimin e tij ndërkombëtar : duke favorizuar me gjasë, siç është e njohur në regjimet autokratike, aventurizma e shpërthime të ndryshme agresiviteti ndërkombëtar.

Ndërsa, nëse sulltanati islamik do të fuqizohet, nëse Turqia evropiane do të fshihet përfundimisht, atëherë duhen bërë llogaritë me një fuqi të re, që ashtu si ka bërë për një kohë të gjatë Irani bektashi, do të përdorë fenë për të ushqyer “ndeshje qytetërimesh”, për t’u paraqitur si fuqi-udhëheqje e revolucionit islamik.

Do të bëhen  n’atë rast shumë të ndërlikuara marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe botës perëndimore. Si mund të pajtohet islamizmi militant me qëndrimin në Nato ? Realizmi detyron një qëndrim shumë të matur në lidhje me të. Për shumë arsye të karakterit strategjik, përfshirë këtu edhe rrezikun që sulltanati i ri islamik të zotërojë armë bërthamore të pranishme në bazat e Nato-s, të shpërndara mbi territorin e saj. Në të njëjtën kohë, do t’ishte e ndërlikuar të mbahej në NATO, duke  lënë jashtë sekreteve të organizatës një Vend që n’atë pikë do të mund të fshihte më prirjen e tij kundër perëndimore.

Nëse sulltanati islamik do të fuqizohej do t’ishte edhe një problem i madh për Evropën. Turqia do të bëhej financuesi i madh, mbrojtësi politik e financiar i atyre Vëllezërve myslimanë që janë rrënjosur thellë në Islamin evropian. Mbas grushtit të Shtetit që ka hequr Vëllazërinë nga pushteti n’Egjypt, Erdogani ka mbetur pika e tyre kryesore e referimit. Në ndryshim me perëndimorët, ata nuk mund veçse të duartrokasin veprimin e tij shtypës. Nga ana tjetër është e natyrshme dhe e kuptueshme : për Islamin politik Ataturku dhe trashëgimia e tij ishin një rravgim, një çoroditje, për t’u fshirë me çdo mjet. Nëse sulltanati islamik do të fuqizohej, marrëdhëniet ndërmjet mbështetësve të tij dhe shoqërive evropiane do të bëheshin mjaft të ndërlikuara.

“Corriere della Sera” , 11 gusht 2016

Please follow and like us: