Albspirit

Media/News/Publishing

Tensionet – Turqia kërcënon NATO-n me Rusinë

Zyrtarët e qeverisë turke kanë deklaruar se mungesa e vullnetit nga NATO për të bashkëpunuar në sektorin e mbrojtjes, mund t’a shtyjë Ankaranë që kooperojë me Rusinë. Mesazhi është përcjellë nga Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, i cili nënvizoi se Aleanca e Atlantikut të Veriut nuk po i përgjigjet siç duhet thirrjeve të Turqisë.

Në një kohë kur marëdhëniet mes perëndimit dhe Turqisë nuk janë në ditët e tyre më të mira, Turqia ka deklaruar se NATO nuk po shfaq vullnetin e duhur për të bashkëpunuar në termat e mbrojtjes e të ushtrisë, ndaj vendi mund të hedhë sytë nga Rusia për kooperim në këtë sektor.

Deklarata kësaj rradhe ka ardhur nga Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, i cili është shprehur se qeveria është mjaft e vendosur për t’u zhvilluar edhe më tej në aspektin e mbrojtjes. Megjithatë, ai shtoi se Aleanca e Atlantikut të Veriut nuk po i përgjigjet siç duhet thirrjeve të Ankarasë.

“Duket se antarët e NATO-së vijojnë të ndjekin një modë të paqartë për çështje të ndryshme si shkëmbimi i teknologjisë dhe investimet e përbashkët. Turqia ka si qëllim që të zhvillojë kapacitetet e saj mbrojtëse. Ndaj, parë nga ky këndvështrim, nëse Rusia do të shfaqë interes, ne jemi gati që të konsiderojmë bashkëpunimin në këtë sektor”, u shpreh Ministri i Jashtëm turk, Çavusoglu.

Turqia ka patur një sërë mosmarrëveshjes me disa prej vendeve anëtare të NATO-s si Gjermania apo Shtetet e Bashkuara.

Ankaraja i ka kërkuar zyrtarëve të Uashingtonit ekstradimin e klerikut Fetullah Gulen, i cili është i akuzuari kryesor si ideatori dhe mbështetësi i tentativës për grusht shteti, duke nënvizuar se pritshmëritë e Turqisë nga amerikanët janë mjaft të mëdha, si një prej aleatëve kryesorë në NATO.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka kërkuar prova të qëndrueshme që vërtetojnë përfshirjen e klerikut në përpjekjen për rrëzimin e qeverisë, në mënyrë që të transferojnë Gulen në Turqi, gjë që nuk është pritur mirë nga Ankaraja.

Nga ana tjetër, Perëndimi ka lëshuar kritika të ashpra për mënyrën sesi autoritetet po i trajtojnë të burgosurit e grushtit të shtetit.

Please follow and like us: