Albspirit

Media/News/Publishing

Vajzat dhe biznesi i seksit online

Performancat porno nga ora nëntë e mëngjesit deri në orët e para të mëngjesit tjetër

Studente, shtëpiake, kryefamiljare që bëjnë striptizëm para kompjuterit për 1 euro në minutë. Do t’u tregojmë për universin e fshehtë të femrave që janë të gatshme të zhvishen para uebkamerës në këmbim të disa parave

“DISA KLIENTË MUND TË KALOJNË DITË TË TËRA NË ÇAT DUKE FOLUR ME NE, PA SHPENZUAR ASNJË QINDARKË. PËRSHTYPJA IME? QË SHUMË PREJ TYRE NUK KANË SHKUAR KURRË ME NJË FEMËR DHE NUK E KANË IDENË SE SI BËHET”

T. sapo përfundoi ngritjen e tavolinës pas ngrënies së drekës. Shkon në dhomën e gjumit, hap dollapin e rrobave dhe zgjedh një prej kompleteve të saj intime. Ndez uebkamerën dhe i shfaqet një të panjohuri që po paguan për ta parë. Çmimi është 1 euro në minutë, shpesh edhe më shumë. Në fund të muajit T. merr 1000 euro. Për profesionin e saj e dinë vetëm ajo dhe i shoqi, i cili sjell në shtëpi një shumë të ngjashme. T. është një “camgirl”. Emri i plotë i saj nuk bëhet i ditur, sepse puna që bën mund të krahasohet me atë të një prostitute. Kategoria e këtyre vajzave bëjnë performanca pornografike para kompjuterit, privatisht dhe kundrejt një pagese. Gjatë viteve të fundit kjo lloj “industrie” është zhvilluar shumë: numri i këtyre sajteve të internetit është rritur ndjeshëm, ku mjafton të regjistrohesh dhe të bësh një pagesë nga 20-30 euro për t’u lidhur në një videoçat me dhjetëra vajza të tjera. Vajzat janë nga të gjitha llojet: nga studente 20-vjeçare te mamatë në moshë, madje edhe zonja 55-vjeçare. Mund t’i gjesh në çdo orë: nga ora nëntë e mëngjesit me filxhanin e kafesë në dorë, deri në mbrëmje kur çati është më i populluar. Klientët i shohin femrat, bisedojnë pak, pastaj i zgjedhin. Bashkëbisedimi zhvendoset në një vend më privat dhe ftesa intime shkon më tej. Ka vajza që shfaqen para uebkamerës së bashku me të dashurin ose bashkëshortin: për t’i parë duke bërë seks online ka persona që janë të gatshëm të paguajnë edhe mbi 50 euro.

Por cilët janë klientët e këtyre sajteve? “Është e pamundur të japësh një shembull”, tregon T., “camgirl” që ka vendosur të tregojë të fshehtat e këtij profesioni, mënyrën sesi funksionon kjo botë e padepërtueshme. “Ka shumë burra të martuar që nuk do ta tradhtonin kurrë gruan me një prostitutë, kështu që na drejtohen ne. Pastaj janë studentët, që në përgjithësi shpenzojnë më pak. Ka të tjerë që lidhen nga shtëpia, ose zyra në orarin e punës. Në çat futen edhe djem të papunë”. Disa sajte u kërkojnë vajzave të jenë të pranishme të paktën katër herë në javë, sepse si kudo ka edhe klientë besnikë. “Disa kalojnë në çat ditë të tëra, thjesht duke folur me ne pa shpenzuar para. Përshtypja ime? Që shumë prej tyre nuk kanë shkuar kurrë me një grua dhe nuk e kanë idenë se si bëhet”.

Bota e “camgirl” është krejtësisht e padukshme për taksat. Mund të cilësohet me plot gojën si burim parash. Ata që fitojnë më shumë në këtë mes janë sajtet që luajnë me kërkesën dhe ofertën. Pjesa më e madhe e sajteve i kanë qendrat në Panama, Zvicër dhe SHBA. Në themel të kësaj ekonomie të padukshme qëndrojnë mijëra gra, që shpesh fitojnë shumë para. “Ka ndodhur që të fitoj edhe 2500-3000 euro në muaj, varet nga koha që qëndron në çat. Unë nuk fitoj shumë, por mund të arrij shumën që merr bashkëshorti im, i cili punon me kohë të plotë”, tregon T. Me këtë lloj pune, të gjitha paratë mund t’i mbash për vete, por T. (dhe shumë të tjera si ajo) preferon që t’i paguajë taksat: “‘Camgirl’ nuk mund t’i paguajnë kontributet, sepse nuk ekziston një kategori pune që mund t’i bashkëngjitesh. Është e çuditshme: striptistet futen në sektorin artistik, paguajnë taksat dhe marrin një pension, ndërsa ne nuk ekzistojmë”.

Pak a shumë është një rreth vicioz: kush zhvishet para kamerës punon në të zezë dhe nuk mund të dalë hapur edhe po të dojë. Në fakt aktiviteti i “camgirl” është i njëjtë me atë të prostitutave. Nuk është i nevojshëm kontakti fizik: mjafton që vajza të bashkëbisedojë me klientin dhe në fund merr një shumë parash.

Por çfarë ndodh pasi bëhesh pjesë e këtyre platformave online? Ndonjë studente e bën thuajse për lojë, por janë pafund femrat e tjera që këtë profesion e shohin si alternativën e vetme për të mbijetuar. T. punon për tri sajte videoçati dhe vetëm me njërën ka nënshkruar kontratë, që në të vërtetë është marrëveshje për caktimin e të gjitha të drejtave të autorit, shfrytëzimin e emrit, pamjes së jashtme, personit, zërit, fotografive, çatit, pra për çfarëdo lloj përdorimi, me çfarëdolloj mjeti, për përdorim universal dhe pa asnjë kufizim. Zyrtarisht sajti blen të drejtat e një aktiviteti që T. kryen për llogari të saj, “si një palë e tretë”. Por e vërteta është ndryshe: “Drejtuesit e sajtit mbajnë një përqindje të fitimeve të mia, mesatarisht 20%. Askush nuk ka prerë kurrë një faturë. Klientët parapaguajnë me karta krediti”.

Gjithsesi sistemi vazhdon të funksionojë, sidomos në kohën e krizës ekonomike, ndërkohë që biznesi i seksit online nuk pushon së rrituri. Gratë që zhvishen para kompjuterit kanë më shumë se kurrë nevojë për para. “Drejtuesit e këtyre sajteve na kërkojnë ekskluzivitetin. Kështu nëse ia jep adresën e email-it ndonjë klienti, përjashtohesh menjëherë dhe paratë e fituara deri në atë moment nuk do t’i shohësh kurrë. ‘Uebmasterat’ e dinë mirë se asnjëra prej nesh nuk do t’i denoncojë”, përfundon T.

Aktiviteti i “camgirl” është i njëjtë me atë të prostitutave. Nuk është i nevojshëm kontakti fizik: mjafton që vajza të bashkëbisedojë me klientin dhe në fund merr një shumë parash.

Please follow and like us: